Strehimi i popullatës shqiptare kosovare në Mal të Zi – Hapen dyert e vëllapritjes

Pikat më të afërta dhe më të sigurta strehuese për Dukagjinin dhe disa vise të tjera të Kosovës ishin Rozhaja dhe Plava me Guci. Në këto qendra kalohej shtigjeve të maleve të larta të Alpeve Shqiptare. Rrugëtimi ishte përplot rreziqe të cilat paraqiteshin maleve, por edhe rrugës deri në Rozhajë e Plavë.
Gjatë rrugës ishte e stacionuar ushtria serbe e cila ndalte grupet dhe kolonat e pambarim, ku kishte të sëmurë, të plagosur, fëmijë e pleq. Ata që trajtoheshin në policinë malazeze dhe me aktivistë shqiptarë e boshnjakë të atyre viseve, kalonin pa përjetuar tortura nga njësitet ushtarake serbe dhe përcilleshin deri në vendin e sigurtë. Këto dy qendra llogariteshin vendstrehim, por edhe si nyje e gjetjes së mundësive për vazhdim të udhëtimit edhe më larg, qoftë për Shqipëri, Tuz e Ulqin, qoftë përtej detit tek të afërmit në diasporë.

Demë Mulliqi

Qeveria e Malit të Zi me rastin e paraqitejs së të përndjekurve, formoi Komesariatin Qendror për Refugjatë me qendrat e veta nëpër komuna si në: Ulqin, Tuz, Plavë, Rozhajë etj. Po ashtu kishte formuar edhe Shtabet e Emergjencës pranë Komesariateve. Në këto komesariate dhe shtabe në ato qendra ku ishte invazioni i popullatës shqiptare të përndjekur nga Kosova. ishin caktuar persona të përkatësisë shqiptare dhe boshnjake të cilët u dëshmuan për solidaritet dhe sjellje vëllezërore dhe miqësore ndaj të përndjekurve nga Kosova. Të gjithë të përndjekurit shqiptarë nga Kosova të cilët kaluan në Mal të Zi për të pritur çlirimin e Kosovës në një siguri familjare, kryesisht u vendosën në këto katër komuna malaziase: në Rozhajë, Plavë, Tuz dhe Ulqin, ku ishte numri më i madh i tyre.

1. Strehimi në Rozhajë

Rozhaja me popullatë shumicë shqiptare dhe boshnjake, falë afërsisë dhe solidaritetit të asaj popullate dhe institucioneve në krye të të cilave ishte subjekti boshnjak e shqitpar e përjetoi një invazion të madh të të përndjekurve nga Kosova, shumica e të cilëve ishin tranzit (kalimthi), pas një pushimi shumë miqësor. Shtëpiakët boshnjakë e shqiptarë të Rozhajës me rrethinë i hapën dyert pa pyetur se kush është e nga është, për të gjithë ata që ua mësynë konaqeve të tyre.
Ishte një fat që njeriu i parë i Komunës dhe popullata shumicë e Rozhajës dhe rrethinës e ndienin një afërsi gjyku e tradite dhe një obligim të ruajtur në kujtesë nga luftërat e përparme të përbashkëta të kosovarëve dhe sanxhaklinjve kundër agresorëve të njëjtë.
Nëpër këtë qendër tranzitore kaluan me dhjetra, qindra e mijëra të përndjekur kosovarë, kurse në vendbanimet e kësaj komune gjetën strehim rreth 2500 banorë shqiptarë nga Kosova. Për përcjelljen e atyre që donin për ta vazhduar rrugën për Plavë-Guci, Tuz e Ulqin dhe për vendosjen e të tjerëve në Komunën e Rozhajës u interesuan me një përkushtim të veçantë kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, për komunën e Rozhajës. Z. Aliu, jo vetëm që kujdesej për vendosjen dhe sigurinë e lëvizjes së atyre që vazhduan rrugën, por edhe vet kujdestaroi atë ditë e natë në Shtab për t’ua siguruar qëndrimin të gjithë të vendosurve në ato treva.

2. Strehimi në Plavë e Guci

Plava me Guci, troje të Ali pashë Gucisë, Jakup Ferit, Mulla Gan’s e shumë të tjerëve që i kushtuan pasuri e jetë mbrojtjes së trojeve shqiptare, krah për krah me vëllezërit kosovarë e të trojeve të tjera shqiptare, llogaritej nga të përndjekurit një trevë sigurie e mikpritjeje për të gjithë ata që i kaluan malet e larta e të thepisura, gjatë një rrugëtimi të rëndë prej Rrafshit të Dukagjinit e deri në ultësirën e Plavës. Për të arritur gjer në Plavë e vetmja mundësi udhëtimi ishte ecja në këmbë, shumica prej tyre të zbathur, pa ushqim e ilaçe për të sëmurët e të plagosurit, duke bredhur shtigjeve të panjohura e vende-vende të pa shkelura për t’u shpëtuar pritave ushtarake e policore serbe. E vetmja shpresë për ndihmë preventive me ushqim, ilaçe e rroba gjatë rrugëtimi ishte në solidaritetin e banorëve të Plavës e Gucisë dhe pushtetarëve plavjanë. Aktivistët vullnetarë shqiptarë e boshnjakë, në ballë të të cilëve thuajse përherë gjindej djaloshi shtathedhur e guximtar, zotëri Naim Prelvukaj nga Martinaj, ishin kativë në çdo kohë. Në rastet më dramatike kur grupet e të përndjekurve binin në pritat e ushtrisë serbe, ka ndërhyrë policia e Malit të Zi për t’i shpëtuar nga maltretimet dhe likuidimin e tyre.
Edhe në Plavë e Guci ashtu si në Rozhajë nuk janë vendosur të gjithë ata që zbritën në këtë qendër komunale, jo pse nuk e kishin ndjenjën e sigurisë, por shumica e tyre kishte planifikuar për të kaluar në Shqipëri dhe për të vazhduar për Tuz apo Ulqin.
Në Plavë, Guci dhe vendbanimet rurale të këtyre dy qendrave u strehuan shumë banorë kosovarë. Popullata që gjetën bukë, kripë e zemër në këto vise janë mirënjohës të përmotshëm ndaj të gjithë nikoqirëve, kryetarit të shtabit të Emergjencës dhe institucioneve shtetërore të Plavës me në krye kryetarin e komunës.

3. Strehimi në Tuz

Edhe Tuzi me Malësi si troje shqiptare me një fanatizëm besnik për ruajtjen e identitetit kombëtar i hapi dyert e vëllapritjes dhe ndihmës morale e materiale të kosovarëve të përndjekur. Tuzi me rrethinë, ashtu sikurse qendrat e tjera pritën, por edhe përcollën faqebardhë të përndjekurit. I pritën dhe strehuan ata që kishin vendosur për të kërkuar ndihmë aty, kurse përcollën, me rrezikim, ata që donin të kalonin në Shqipëri.
Shtabi i Emergjencës me kryetar zotëri Xhemajl Nikaj, e organizoi vendosjen vëllazërore të të gjitha familjeve, shumica e të cilëve e kishin të siguruar edhe ushqimin nga familjet nikoqire. Z. Xhemajli kujdestaroi ditë e natë për shpërndarjen e ndihmave dhe kujdesjen ndaj kosovarëve.

4. Strehimi në Ulqin

Ulqini si qendra më e madhe shqiptare në Mal të Zi, ku shumica e kosovarëve kishin krijuar miq gjatë pushimeve verore dhe studimeve të shumë ulqinakëve në Universitetin e Prishtinës dhe qytetit ku gjeti strehim dhe mbështetje Ymer Prizreni i ndjekur nga pushteti osman gjatë Lëvizjes Kombëtare të Lidhjes së Prizrenit, si pikë e përshtatshme për të kaluar në Shqipëri dhe përtej detit te të afërmit, e përjetoi një invazion marramendës, posaçërisht në peirudhën e masave serbe për spastrimin total etnik të Kosovës. Si element tjetër për një invazion të tillë ishte edhe pjesa rurale e cila tërësisht ishte me vendbanime të pastra shqiptare (Ana e Malit dhe Kraja duke e llogaritur edhe shumicën e Shtoit deri te Buna).
Duke e marrë parasysh kapacitetin urban të Ulqinit me rrethinë, dukej e pakapshme mundësia e strehimit të një popullate aq të madhe. Mirëpo, falë vullnetit dhe aktivitetit mirë të organizuar nga ana e Shtabit të Emergjencës, Komesariatit për Refugjatë dhe strukturave të tjera vendore, të gjithë të zbarkuarit në Ulqin gjetën strehim dhe mbështetje morale e solidare. Invazioni aq i madh në këto vise shqiptare ishte edhe rezultat i një ndjenje ngrohtësie e sigurie ngase Qeveria e Malit të Zi kishte garantuar për sigurinë e qëndrimit dhe për faktin se në krye të posteve udhëheqëse në të gjitha organet dhe asociacionet vendore ishte subjekti shqiptar. Njeriu i parë i komunës ishte zotëri Osman Rexha, dhe më vonë zotëri Skënder Hoxha, shef i policisë ishte z. Qazim Elezoviq (Elezi); kryetar i Komesariatit për Refugjtë z. Tahir Peraziqi; kryetar i Shtabit të Emergjencës z
. Gjok Shkreli. Po ashtu, partitë politike shqiptare i kishin selitë e veta në Ulqin: Lidhja Demokratike në Mal të Zi me kryetar mr. Mehmet Bardhi dhe Unioni Demokratik me kryetar z. Fuad Nimani.
Pranë Shtabit të Emegjencës në Ulqin, në fillim ishin angazhuar me dakordimin e kryetarit të këtij Shtabi dhe kryetarit të Komesariatit, një numër aktivistësh kosovarë vullnetarë, për të ndihmuar punën e këtij Shtabi. Në fillim, Shtabi ishte caktuar në bodrumin e objektit të Kuvendit Komunal. Me rritjen e invazionit të të përndjekurve Shtabi u transferua në objektin dhe lokacionin e tregut të gjelbër, të Plazhit të Madh, ku kishin tri zyra dhe deponë e materialit për ndihma humanitare. Një zyrë ishte për administratën e kryetarit të Shtabit të Emergjencës, një për administratën e aktivistëve kosovarë për emergjencë dhe një për administratën e ekipit për arsimin kosovar.
Duhet theksuar se popullatën kosovare të strehuar në Komunën e Ulqinit përmes këtij Shtabi dhe drejtpërdrejt e kanë ndihmuar : Vëllezërit Zagragja, Zef Kovaqi, ulqinak, Jakup Smajli nga Komuna e Klinës e shumë të tjerë. Me theks të veçantë kontribut të madh ka dhënë Pren Koci nga Bistazhini i Gjakovës me punë në Zvicër. /Koha Javore/

KOMENTOJE