Varshavë, 10 prill – Presidenti i Polonisë, Leh Kaçinjski, gruaja e tij dhe 130 udhëtarë e anëtarë të ekuipazhit kanë vdekur të shtunën në aksidentin e aeroplanit të tipit Tupoljev afër qytetit rus Smolensk, kanë konfirmuar zyrtarët rusë.
Drejtuesi i krahinës ruse Smolensk, Sergej Anufjev ka thënë se në aksident nuk ka të mbijetuar dhe se ai ka ndodhur rreth orës 7 të mëngjesit të së shtunës sipas kohës së Evropës së Mesme.
Kryetari i Kuvendit të Polonisë, Bronjislav Komorovski ka marrë obligimet e shefit të shtetit, kurse qeveria në Varshavë është tubuar në mbledhje të jashtëzakonshme pas lajmit se presidenti Kaçinjski nuk e ka mbijetuar aksidentin.
Duke iu referuar Ministrisë ruse për Situata të jashtëzakonshme,m agjencitë ruse të lajmeve kanë njoftuar se në aeroplanin polak gjendeshin gjithsej 132 persona dhe se askush nga ta nuk e ka mbijetuar rrëzimin.
Sipas informatave të para, aeroplani gjatë fluturimit ka prekur majat e drunjve dhe pastaj është rrëzuar. Aksidenti ka ndodhur vetëm 1.5 kilometra para aterrimit në aeroportin e Smolenskit.
Pops presidentit Kaçinjski dhe bashkëshortes së tij, Marija, në aeroplan gjendeshin edhe nënkryetari i Kuvendit të Polonisë, Jezhi Shmagjinski, guvernatori i Bankës qendrore Slavomir Skipshek, peshkopi i Kishës Katolike polake, kryeshefi i Shtatmadhorisë së armatës polake e persona tjerë që shoqëronin delegacionin polak për përkujtimin e 70-vjetorit të viktimave nga pranvera e vitit 1940 në Katyn, kur, me urdhrin e diktatorit të atëhershëm Stalin, forcat ruse kanë vrarë 22 000 ushtarë të zënë robër të Polonisë.
Sipas medieve polake, në aeroplan bashkë me presidentin gjendej edhe vëllai i tij binjak, ish kryeministri Jarosllav Kaçinjski.
“Aeroplani ka prekur majat e drunjve, ka tentuar të ringjitet, por pastaj është rrëzuar dhe është djegur”, ka deklaruar Pjotr Pashkovski, zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Polonisë.
Agjencia gazetare polake PAP ka transmetuar komunikatën e zyrtarëve të Smolenskit se nuk ka të mbijetuar. Po këtë komunikatë e ka transmetuar edhe televizioni polak, por informata zyrtare lidhur me fatin e presidentit polak ende nuk ka.