Podgoricë, 17 prill – Shkrimtarët dhe botuesit shqiptarë nga Ulqini nuk janë ftuar në një tribunë, që organizohet të shtunën, në Podgoricë.
Tribuna “Drejt dialogut të ri – Literatura e re malazeze dhe ajo shqiptare dhe përkthimet”, është organizuar nga asociacioni “Prostory” nga Podgorica, nën patronatin e Fondacionit “Hajnrih Bel”, dhe përkrahur nga Ministria malazeze e Kulturës dhe Qendra për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës së pakicave në Malin e Zi.
Tribuna është e para e këtij lloji në Malin e Zi dhe qëllimi i saj është vendosja e komunikimeve të reja dhe afatgjate midis dy kulturave, raporton KosovaLive.
Sipas programit, pjesëmarrës të tribunës janë shkrimtarët eminentë shqiptarë dhe malazias, profesorë, përkthyes, botues, përfaqësues të asociacioneve të shkrimtarëve, të Institutit të gjuhëve dhe universiteteve nga Tirana, Shkodra, Nikshiqi, Podgorica.
Nga lista e të ftuarve, hiq përkthyesin Qazim Muja, plotësisht janë anashkaluar shkrimtarët, studiuesit dhe botuesit nga Ulqini, duke përfshirë këtu në veçanti Art Club-i. Kjo shoqatë, e cila është bërë sinonim i kulturës shqiptare në Mal të Zi, nga themelimi (1990) e këndej, qoftë me organizimet, publikimet dhe manifestimet letrare apo shkencore të tipit ndërkombëtar, siç është “Kalimerja poetike”, apo kontributin për organizimin e edicioneve të Panairit të librit në Ulqin, ka realizuar projekte të rëndesishme në frymën e dialogut mes dy kulturave.
Fal këtyre veprimtarive, Ulqini, është shndërruar në qendrën kulturore të shqiptarëve në Malin e Zi. Këtu botohen dy revista shumë prestigjoze, “Lemba” dhe “Dija”, të vetmet në Malin e Zi që kultivojnë dialogun shqiptar-malazez dhe në faqet e tyre publikojnë të përkthyera edhe nga letërsia malazeze.
Krijuesit e studiuesit shqiptarë nga Ulqini anashkaluan edhe me rastin e vizitës së paradokohshme të ministrit shqiptar të Kulturës, Ferdinand Xhaferri. /Koha Ditore/