Vdes Tomë Bojaj, pronari i TV Boin

Me hidhërim të thellë lajmërojmë se vdiq Tomë Bojaj, themeluesi dhe pronari i televizionit të parë në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Toma vdiq mbas një sëmundje të rëndë dhe të gjatë.
Është kjo një humbje e madhe për familjen Bojaj por dhe për Malësinë, shqiptarët në Mal të Zi dhe për tërë komunitetin medial në mbarë botën shqiptare.
Jemi të bindur se shuarja e parakohshme e Tomës në asnjë mënyrë nuk do të jetë fundi i punës së tij shembullore me TV Boin por shëmbëlltyra e tij do të vazhdojë edhe më tej përmes mediumit që ai krijoi dhe la pas vetës.
Stafi i portalit Malesia.Org shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes dhe stafit të TV Boin.

_____________________________________________________________________________________

Shoqata ‘Dedë Gjo Luli’, me seli në New York, SHBA, shpreh ngushllimet e saj të thella familjes Bojaj dhe mbarë Malësisë së Madhe me rastin e vdekjes së birit të saj, të ndershmit, z. Tomë Bojaj. Duke pas parasysh karakterin, intelektin dhe veprën e Tomës, që për gjithë këto vite ia dhuroi popullit të vet, njëzëri themi se Toma ishte përkrah burrave të çmuar të Malësisë si dhe rilindas modern i kësaj treve Shqiptare. Si themelues i TV Boin, vepra e tij mbet një ndër më të çmuarat të kohës sonë dhe vazhdon të jetë fryma dhe pasqyra e këtij qoshi pothuaj të harruar Shqiptar. Trashigimia që Toma la mrapa bën që prania e tij të jetë gjithmonë prezente në Malësinë e Madhe.

Pastë tokën e lehtë.
Shoqata ‘Dedë Gjo’ Luli’

_____________________________________________________________________________________

Eshte e veshtire te fillosh te shkruash per humbjen e nje njeriu, miku dhe kolegu te dashur! Jemi te nderuar te gjithe ne qe kemi pasur rastin te jemi bashkepunetore te ngushte te Tomes, njeriut i cili sfidonte te gjitha sfidat, qe e dinte saktesisht se cilat ishin qellimet e tij, qe nuk trembej nga asgje dhe qe mbi te gjitha gjithmone buzeqeshte. Ceshtjet shqiptare, problemet me te cilat jemi perballur te gjithe ne, e preknin aq shume dhe ajo qe Toma kerkonte ishte te luftojme. Te ngrejme zerin kunder atyre qe benin padrejtesi. “Une qendroj pas jush” na thoshte gjithmone.
“Shkruaje lajmin, drejtoje ate pyetje provokative, mos ki frike sepse pergjegjesia eshte e imja. Ne kete media do te flitet dhe do te ngrihet zeri kunder cdo personi qe cenon te drejtat dhe lirine e shqiptareve” ishte menyra ne te cilen Toma inkurajonte stafin e tij te vogel por qe beri nje pune aq te madhe.

Kujtoj sikur te ishte dje sesi shendriti fytyra e tij ne momentin kur u fol per here te pare
shqip ne parlamentin e Malit te Zi edhe pse e dinte se nuk ishte ndonje ngjarje qe do te ndryshonte situaten e deriatehershme. Kujtoj sikur te ishte dje momentin kur hyra ne televizion ne ate dite shtatori. Fytyra e tij ishte e zymte dhe e trishtuar. Me vuri ne dijeni per aksionin famekeq “Fluturimi i shqiponjes”. Ate dite do te isha gjate gjithe kohes ne studio. “Kerkoj nga ti” me tha “qe te drejtosh pyetje per kete aksion. E di se do te jemi te vetmit qe do ngrisim zerin, por mua nuk me intereson. Ne nuk duhet te heshtim” ishin fjalet e Tomes.

Jane te shumte njerezit qe e kane nderuar dhe respektuar Tomen Bojaj, qe e kane vleresuar punen e tij dhe jane te shumte ata qe nuk dine se cfare sakrificash ka bere Tome Bojaj se bashku me bashkshorten e tij per ta mbajtur ne jete Tv Boin.

Sa here qe i thonim: Tome, mendo per vehten se do plakesh para kohet me gjithe keto halle qe mban mbi shpine, nuk mund te arrish kudo, ai na pergjigjej me buzeqeshje: E di, por s’du qe Malesia mem sha masi t’kem vdek. Punen qe baj e baj me ndergjegje e me nder.

E kush do te mendonte ne ate kohe se jeta e tij do te fikej kaq shpejt. Ne momentin kur ai do te duhej te vjelte frytet e punes, e te shijonte rritjen e femijeve te tij.
Eshte e dhimbshme te mendosh se nje njeri kaq i drejte, qe donte te ndihmonte gjithkend, ne familjar i perkushtuar dhe nje shqiptar i denje nuk jeton me!

Ngushellimet e sinqerta per familjen Bojaj, miqte, koleget dhe per te gjithe ata qe po vuajne per humbjen te nderuarit Tome Bojaj!

Do te jesh gjithmone njeriu nga i cili kemi mesuar shume!

Pushofsh ne paqe, Mik dhe Koleg i nderuar!

Me respekt,
Fidela Rugenbrink Zefi

_____________________________________________________________________________________

E nderuara Familja Bojaj,
Nuk harrojm se sa shume Toma ka sherbyer komunitetin Shqiptare ne Malit Zi.
Toma ka qen zani e Shqiptarve jo vetun ne Mal Zi por gjithe mar teritorit Shqiperise Etnike.
Humbje e familjes Bojaj ashte humbje rende per kombit Shqiptare.
Na prenoni ngushllimet tona te sinqerta familjes se Tome Bojaj.

Zoti i llasht kivet familjes e Tomes.

Familja Jozef Zagreda

_____________________________________________________________________________________

Veç lajme të dhembshme vijnë nga Malësia

Kthehem me një delegacion të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”nga qyteti i Bajram Currit. Ishim atje për të shtuar edhe ndonjë metër të rrugëtimit tonë drejt bashkimit kombëtar. E them,hajt të shikoj në malësia.org mos ka ndonjë lajm të mirë, bile një herë për Malësinë dhe Jo , jo, veç lajme të dhembshme vijnë nga atje. Lexoj dhe e shoqëroj me lot.

“Me hidhërim të thellë lajmërojmë se vdiq Tomë Bojaj, themeluesi dhe pronari i televizionit të parë në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Toma vdiq mbas një sëmundje të rëndë dhe të gjatë. Është kjo një humbje e madhe për familjen Bojaj por dhe për Malësinë, shqiptarët në Mal të Zi dhe për tërë komunitetin medial në mbarë botën shqiptare. Jemi të bindur se shuarja e parakohshme e Tomës në asnjë mënyrë nuk do të jetë fundi i punës së tij shembullore me TV Boin por shëmbëlltyra e tij do të vazhdojë edhe më tej përmes mediumit që ai krijoi dhe la pas vetës. Stafi i portalit Malesia.Org shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes dhe stafit të TV Boin”.

Marrë telefonin dhe njoftoj, ashtu si e kam detyrë, kryetarin e Shoqatës sonë, Ukshinin, dhe anëtarët e kryesisë. Takohemi dhe e lexojmë rishtazi lajmin në malësia.org. Me një minutë heshtje i bëjmë nderim vëllait tonë Tomë Bojës dhe bëhemi pjesë e lumit të madh të dhembjes për këtë njeri të madh. Kishim dëgjuar për sëmundjen e Tij dhe për gjithë ato përpjekje për ta mposhtur atë. Dëgjonim e lexonim lajme për shëndetin e tij dhe na kishte arritur deri në Pejë një fije shprese se Toma ynë e mposhti sëmundjen dhe i tha ik e tretu vdekjes. Ishim të gëzuar shumë atyre ditëve se Toma ishte vëlla yni. Më kujtohet kur në televizionin TV Boin kisha pasur një emision për Shoqatën tonë . Më kujtohet sa jehonë kishte mes malësorëve ai emision dhe sa telefonata e mesazhe më kishin arritur. Toma ishte i të gjithëve . Ishte edhe vëlla i Shoqatës sonë dhe prandaj Malësi e nderuar dhe Ju familja e madhe Bojaj në këto momente dhembje, por edhe krenarie, nuk jeni vetëm. Loti na tradhtoi dhe për Tomën nuk ke e si të mos qash se ai ishte njeri i madh dhe është nder për familjen dhe Malësinë e trojet tjera që e kishte. I lus të angazhuarit në TV Boin që të mos e ndalin punën e tyre as edhe për një minutë se mes valëve ë këtij televizioni do ta dëgjojmë zërin e butë e njerëzor të Tomës. Ai ka ndërruar jetë, por është mes nesh me punën e madhe të tij në emër të së vërtetës.

Toma ynë është edhe në faqet e historikut të Shoqatës “Martin Dreshaj”. Atë do ta kujtojmë me respekt dhe do ta lartësojmë kujtimin për të në çdo takim të trojeve etnike. I lehtë i qoftë dheu dhe u takofshim me këtë vëlla tonin në parajsë.

Rrahman Jasharaj

_____________________________________________________________________________________

FALEMINDERIT, KOLEG I DASHUR!

Sa shumë më ka prekur lajmi për vdekjen tënde, i nderuari koleg Tomë! Kam pritur me padurim që të nisim realizimin e projekteve të cilat i patëm filluar që në fund të shekullit të kaluar. Realizuam vetëm njërin, atë mbi mikpritjen në Malësi të të përndjekurve kosovarë në fund të shekullit të kaluar.
Jam gëzuar pa masë që u takuam kohë më parë një një manifestim në Tuz. Kisha shumë shpresë se sëmundjen e pamëshirshme do ta sfidosh edhe do të kthehesh me kamerë për të regjistruar jetën e shqiptarëve,jo vetëm në Malësi.
Veprimtaria jote, me aq sakrifica dhe mund, do të mbetet monument i pa harrueshëm në kulturën tonë televizive që ia ke dhuruar popullit shqiptar, kudo që ndodhet ai edhe kanë arritur valët e TV BOIN. Jam shumë krenar që bashkëpunuam. Për fat të keq, ai bashkëpunim mbeti jetëshkurtër, por shumë mbresëlënës dhe vëllazëror.
Një shkrimtar me famë botërore ka thënë “Është bukur të jetosh,o vëlla!”. Por, kështu e desh fati. Emri dhe veprimtaria e z.Tomë Bojaj do të mbetet emblemë në analet e medies vizive shqiptare, jo vetëm në Malin e Zi, por edhe në mbarë rrafshin kombëtar, sidomos në Diasporë.
Unë sot kam humbur një mik, një kolegë, një shqiptarë të mirë e fisnik.
Faleminderit për veprën dhe përkushtimin tënd të spikatur njerëzor, humanitar dhe profesional.
Ngushëlloj familjen edhe kolegët e TV BOIN.

Ibrahim Berjashi, shkrimtar dhe publicist