Maqedoni – Përleshje e armatosur në afërsi të Radushës, 4 të vdekur

Shkup, 12 maj – Katër të vrarë, tre nga të cilët janë identifikuar, një nga Gërçeci i Shkupit, një nga Merova dhe një nga Prishtina. Ky është epilogu i përleshjes së armatosur që ka ndodhur sot në orët hershme të mëngjesit mes forcave të sigurisë maqedonase dhe një grupi të armatosur. Incidentin e konfirmojnë edhe banorët e fshatrave përreth, të cilët kanë dëgjuar të shtëna armësh. Derisa banorët e fshatit Radushë, të cilët sot në mëngjes ishin nisur për në qytet kanë mbetur të bllokuar deri në ora 9 e 30 minuta, përkatësisht deri në momentin kur edhe janë tërhequr forcat e shumta të policisë të cilat kishin bllokuar vendin dhe po kryenin ekspertizë.
“Ka pasur të krisma në rajonin ku ndahet rruga për në Rashçe dhe Radushë, por jo në Radushë. Ne morëm si informatë, sidomos në mëngjes kur punëtorët dhe nxënësit që udhëtojnë për në Shkup na thanë se është rruga e bllokuar nga policia speciale”, deklaroi Zulqufli Saiti, kryetar i bashkësisë vendore të fshatit Radushë.
Edhe banorët e fshatit Rashçe shprehen se kanë dëgjuar të shtëna armësh të cilat në fillim kanë qenë me intensitet më të vogël, ndërkohë që më pas me intensitet edhe më të madh.
“Mbrëmë prej ora 12 deri kah ora 3 të mëngjesit kemi dëgjuar disa të shtëna armësh prej nga Graçani dhe nga Merova dhe më andej nuk di se çka ka ndodhur, krismat kanë zgjatur deri kah ora 3 dhe më pas janë ndalur”, u shpreh një banor i fshatit Rashçe.
“Kah ora 2 ka pas të shtëna me armë zjarri, ka zgjat diku nja 5 minuta. Mendoj se vinin andej si kah Sfillarja. Po u ka dëgjua një zë i helikopterit”, tha një banor tjetër i Rashçes.
Vendi ku ka ndodhur incidenti është rreth 15 kilometra larg qendrës së Shkupit, përkatësisht 11 kilometra larg fshatit Radushë, më saktë në afërsi të vendit ku ndahet rruga për në fshatin Rashçe dhe Radushë. Ndryshe fshati Radushë ndodhet vetëm 5 kilometra larg kufirit me Kosovën. /Alsat-M/