Lidhja Demokratike – Leter e hapur Iniciativës Qytetare

Leter e hapur Iniciativës Qytetare
Respektivisht, dy antarëve të saj Vasel Sinishtaj dhe Smail Çunmulaj

Meqenëse bisedimet dypalëshe dhe shkresa interne, të cilën, ditë më parë, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, ia drejtoi Iniciativës Qytetare, sikur as apeli ynë në Kuvendin e KU të Tuzit, që të mos verifikohet mandati i shtatë, nuk dhanë shpresë për zgjedhje të situatës së krijuar pas grabitjes së mandatit të Lidhjes Demokratike, nga ana e IQ, jemi të detyruar që, publikisht t’i ftojmë zotërinjtë në fjalë, që t’i kthehen respektimit të marrëveshjes që bëmë disa çaste para dorëzimit të listave. Me kët marrëveshje parashihet që, nëse “Koalicioni për Malësinë” fiton vetëm shtatë mandate, mandati i shtatë i takon Lidhjes Demokratike, konkretisht kandidatit të saj, Marash Dedvukaj, i cili, për hir të kompromisit, në listën zgjedhore, është në vendin e tetë.

Siç dihet, në Malësi, marrëveshja e lidhur me fjalë të dhënë dhe me shtrëngim dore ka karakter të normës dhe, si e tillë, për ne që ende funksionojmë nën institucionin e fjalës së dhënë, është e barabartë me çdo akt të nënshkruar, andaj ju ftojmë që të bëni çka është e mundur në mënyrë që ajo të ruhet edhe kur është në pyetje marrëveshja të cilën e arritën Lidhja Demokratike-Dega e Malësisë, e lidhi me Iniciativën Qytetare.

A thua zotërinj të nderuar, për interesa të ngushta partiake, jeni të gatshëm t’i humbni kuptimin vetisë më të bukur, me të cilën janë njoftë me shekuj malsorët e Malësisë, Fjala e dhënë. A thua se për ju marrëveshja e lidhur me fjalë të dhënë dhe me shtërngim dore nuk ka të njëjtën vlerë me çdo akt të nënshkruar. Ne anëtarët e Lidhjes Demokratike, Dega e Malësisë besuam se po, prandaj, të vetëdijshëm për peshën që pikërisht mban fjala e dhënë, marrëveshjen me ju nuk e qitëm në letër, por besuam në fjalën e burrit e të malësorit të dhënë nga Smail Çunmulaj e Vasel Sinishtaj. Por ju nuk e perjetuat sikur ne.
Ne, Nikollë Camaj, Marash Dedvukaj e Gjokë Dukaj, menduam se nuk ka nevojë që marrëveshja të jetë në letër, edhe për arsye se nuk e çmonim të natyrshme që në opinjon të paraqesim se luftohet për mandatin e shtatë, përderisa ne pretendonim të merrnim pushtetin, apo së paku 10 mandate.

Ju besuam në fjalë të dhënë edhe për shkak se, kur ju kishit problemin me Amir Hollaj rreth mandatit të deputetit, haptazi deklaruat se në Malësi një gjë e tillë kurrë nuk do të mund të ndodhte. Por, ja pra se ndodhi! Bile edhe më keq, se nuk është fjala për mandatin e deputetit pot të një këshilltarit.

Grabitja e mandatit, i cili sipas të gjitha parametrave na takon dhe në çdo variant, gjatë bisedimeve, për LD rezervoheshin 2 vende brenda shtatëshes, çka nuk është kontestuar asnjëherë as nga ana juaj, e çka mund të vërtetohet duke shikuar procesverbalet, kopjet e të cilëve u janë dhënë çdo natë pas takimit, bie në pyetje, jo vetëm funksionimin e LD në KK të Tuzit, pa mundësi të formimit të klubit, jo vetëm se zhvlerëson institucionin e fjalës së dhënë, por bie në pyetje edhe funksionimin e koalicionit, me çka drejtpërsëdrejti dëmtohet Malësia dhe, për këtë, përgjegjësia do t’ju takojë ju. Dëmin material nuk është rasti ta përmendim ndonëse edhe ai është evident.

Votuesit në Malësi e pritën duar-hapur formimin e koalicionit tonë, edhepse ishin skeptik pas perçarjeve të para një viti brenda ASH. Mirëpo të vetëdishëm se votuesit në Malësi duhet t’i ndihmojmë të deklarohën në zgjedhjet lokale, LD u angazhua shpirtërisht në formimin e listës unike, respektivisht “Koalicionit për Malësinë”, duke hequr dorë nga pozita dhe poste të mundshme, vetëm për hirë të arritjes së marrveshjes. Në vazhdën e kësaj edhe pranuam marrveshjën gojore siç e thamë më lartë duke e dëshmuar edhe në këtë mënyrë besimin ndaj partnerëve tone të koalicionit.

Por partnerët tonë e dëshmuan se nuk u ka mbetur deri tek veprimtaria unike e “Koalicionit për Malësinë”, si grup opozitar, në parlamentin vendor. Se kush përfitoi nga kjo, ne e dimë, por edhe juve do t’ua dëshmojë koha. Se kujt i shërbyet ju, le të gjykojnë ata që na e dhanë votën, të cilëve ne u jemi mirënjohës dhe do të tentojmë t’ua shpërblejmë me angazhimin tone të pa rezervë në vijën programore të LD edhe pse juve ndoshta kjo nuk ju pëlqen. Pra ju perkujtojmë se nga LD do të vazhdohet të dëgjohet zëri i shpresës, qoftë edhe i vetëm.

Për shërbimin informativ të LDnëMZ,
Marash Dedvukaj

KOMENTOJE