Shpallen kuotat e rezervuara për studentët shqiptarë në Mal të Zi që duan të regjistrohen në universitetet publike të Shqipërisë në vitin akademik 2010/2011

396 vende për studentët shqiptarë në Mal të Zi

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Shqipërisë ka lejuar 396 vende për studentët shqiptarë në Mal të Zi që dëshirojnë të regjistrohen në universitetet publike të këtij vendi në vitin akademik 2010/2011.
Numri më i madh i vendeve (183) janë rezervuar në Universitetin e Shkodrës »Luigj Gurakuqi«, pastaj në Universitetin e Tiranës (107), nga 28 vende në Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin Bujqësor të Kamzës dhe Universitetin e Vlorës. Në Akademinë e Arteve janë parashikuar 12 vende për studentët shqiptarë në Mal të Zi, atë të Sporteve gjashtë vende, kurse më së paku – katër vende janë rezervuar në Universitetin e Durrësit.
Përzgjedhja e studentëve do të bëhet nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave. Nga kjo ministri kanë bërë të ditur se afati i dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm për konkurrim do të jetë nga data 6-8 shtator.
Studentët e interesuar për të konkurruar duhet të dërgojnë në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave kërkesën, dëftesat origjinale të vitit të parë, dytë, tretë dhe të katërt të shkollës së mesme, çertifikatën e shtetësisë dhe çertifikatën mjekësore. /Koha Javore – I.K./

KOMENTOJE