Djukanovic: Malazezët me kornizë ligjore, shkëmbehen ambasadorët me Kosovën

Podgoricë, 18 tetor – Kryeministri malazez Milo Djukanovic tha se megjithëse ende nuk është bërë shkëmbimi i ambasadorëve me Kosovën, po punohet në këtë drejtim, krahas zgjidhjeve të disa problemeve të mëparshme, karakteristikë për marrëdhëniet midis dy shteteve të sapokrijuara, apo të vendeve të cilat kanë rimëkëmbur shtetësinë e tyre.
Në një intervistë dhënë të përditshmes “Pobjeda” të Podgoricës, Djukanovic ka vlerësuar se ky problem ka të bëjë me pozitën e pakicës malazeze në Kosovë. Sipas Djukanovic kusht për shkëmbimin e ambasadorëve “është krijimi i presupozimeve për afirmimin e pakicës malazeze në jetën politike dhe të përgjithshme në Kosovë”. Kryeministri rikujtoi se në takimet e gjertanishme me zyrtarët e Kosovës ka marrë garancione se “problemi është identifikuar dhe se ekziston përcaktimi që nëpërmjet zgjidhjeve normative të gjendet një model i vërtetë për zgjidhje adekuate”. “Pra malazezët në Kosovë do të kenë kornizën ligjore, normative për afirmimin e interesave të tyre specifike kombëtare në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës”, është shprehur Djukanovic. Pas kësaj, thotë Djukanovic, mbetet të konstatohet se janë krijuar kushtet për shkëmbimin e ambasadorëve midis dy shteteve fqinje. /Koha Net/

KOMENTOJE