Klubi i Taekwondo-së Besa arriti sukses në kampionatin e Malit të Zi për pionierë, kadetë dhe juniorë

Garuesit e Klubit të Taekwondo-së “Besa” arritën sukses në Kampionatin e Malit të Zi për pionierë, kadetë dhe juniorë, në të cilin fituan 35 medalje, prej të cilave 11 medalje të arta, 14 të argjendta dhe 10 të bronzta.
Në kampionat, i cili u zhvillua më 17 tetor në palestrën e Shkollës fillore “Shtampar Makarije” në Podgoricë, morën pjesë tetë klube me rreth 150 garues, ndërsa “Besa” u përfaqësua me 38 garues.
Përveç KT “Besa”, në kampionat morën pjesë edhe klubet “Ulqini”, “Shqiponja”, “Viktoria”, “Partizan”, “Buduqnost”, “Montenegrostars – Budva” dhe “Ostrog”.

Vendin e parë dhe medalje të artë në kategorinë e juniorëve nga KT “Besa” fitoi Vilson Lajçaj, në peshën -78 kg, në kategorinë e kadetëve Diana Lekoçaj (-29 kg), Mario Gegaj (-53 kg), David Lekoçaj (-37 kg) dhe Anton Dukaj (-45 kg), kurse në kategorinë e pionierëve Tom Gjokaj (-27 kg), Ilir Dreshaj (-36kg), David Arapaj (-39 kg), Gjergj Lekoçaj (-51 kg), Nikë Junçaj (+51 kg) dhe Nora Gegaj (-43 kg).

Sipas drejtuesve të KT “Besa”, rezultati përbën sukses akoma më të madh nëse merret parasysh fakti se një numër i madh i garuesve morën pjesë për herë të parë në kampionat. “Rezultatet nuk do të mungojnë as në të ardhmen gjë që e dëshmon suksesi, mirëpo ne presim përkrahje më të madhe nga shoqëria e gjerë”, thuhet në deklaratën për shtyp të KT “Besa”. Në të po ashtu theksohet se ky klub do të vazhdojë të realizojë edhe gjatë vitit të ardhsëm projektin humanitaro – sportiv. /Koha Javore/

KOMENTOJE