Milo Djukanovic dha sot dorëheqje nga posti i kryeministrit të Malit të Zi

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Djukanovic, ka dhënë sot dorëheqje në postin e kreut të qeverisë së Malit të Zi.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Djukanovic në një konferencë për shtyp sot në Podgoricë.

Djukanovic, që ka qenë në qeverinë e Malit të Zi për rreth 20 vjet, ka thënë në një konferencë për gazetarë se do të mbajë postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), e cila është në pushtet.

Nuk janë njoftuar hollësi për motivet që shtynë Djukanovic të japë dorëheqje, të paralajmëruar qysh muaj më parë.

“Po largohem me ndërgjegje të pastër dhe me kokën lartë, i kënaqur me ato që kam bërë”, ka deklaruar ai.
Opozita thotë se Djukanovic la postin e kryeministrit nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare dhe ka paralajmëruar kërkesën për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Pasardhësi i Djukanovic, Igor Luksic, der tash ka ushtruar funksionin e nënkryeministrit dhe të ministrit të Financave.
Edhe nënkryeministri malazias, Svetozar Marovic, ka konfirmuar se do ta braktis qeverinë.
Djukanovic pat dhënë dorëheqje edhe në fund të vitit 2006, por kje kthyer si kryeministër në shkurt të 2008-ës.

Djukanovic u bë kryeministri i Malit të Zi në vitin 1991.
Ai u zgjodh president në vitin 1998, para se të mirrte sërish postin e kryeministrit në vitin 2002 dhe 2008. /Koha.Net – Malesia.Org/

KOMENTOJE