Shqiptarët e Malit të Zi kërkojnë kalimin e kufirit me Shqipërinë me letërnjoftim

Nënkryetari dhe deputeti i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, deklaroi ditën e premte për KosovaLive se kjo parti parlamentare me këmbëngulje kërkon realizimin e iniciativës që qytetarët e zonave kufitare etnike shqiptare në Komunën e Ulqinit, Tivarit, Tuzi dhe Plavës, pikat kufitare t’i kalojnë me letërnjoftim.

“Kjo kërkesë e jona përsëritet tash disa vite edhe vazhdimisht është premtuar jetësimi i saj nga të dy qeveritë, Podgoricës dhe Tiranës, por shqiptarët e këtyre zonave vendkalimet kufitare duhet t’i kalojnë me pasaportë. Kroatët nga Boka e Kotorrit këtë mundësi për të shkuar nga pika kufitare Debeli Brijeg e gëzojnë tash dy vjet”, shprehet Nimanbegu.

Ai shton se Ura e re e Bunës është në përfundim e sipër dhe kalimi i pikës kufitare të Sukubinës/Muriqanit për ulqinakët, anamalasit dhe krajanët është i përditshëm dhe me të drejtë qytetarët e brezit kufitar, këndej e andej kufirit, kërkojnë që vendkalimin kufitar ta kalojnë me letërnjoftim. /Koha.Net/

KOMENTOJE