Piktori Gjelosh Gjokaj, flet për jetën artistike jashtë kufijve shqiptarë

Tiranë, shkurt 2011 – Në Galerinë Kombëtare të Arteve u çel ekspozita personale “Shejza” e autorit të njohur shqiptar me banim në Mal të Zi dhe Gjermani, Gjelosh Gjokaj. Kjo ekspozitë personale është e para që autori hap në Shqipëri dhe përbën një ngjarje të shënuar për komunitetin artistik shqiptar. Ekspozita tregon punë të afro 20 viteve të fundit, që nga 1992 e deri në 2010, dhe i përket kryesisht ciklit të tij të abstraksionit lirik.

Ekspozita përmban 37 vepra (51 punë), shumica në teknikën e akuatintat, akrilikut në letër, dhe akrilikut në pëlhurë, por nuk mungojnë edhe një cikël grafike dhe vizatimi, kryesisht i përmasave të vogla dhe intime. Autori i pranishëm në Galerinë Kombëtare të Arteve tregon se ai ka zhvilluar një jetë artistike të ngjeshur jashtë kufijve shqiptarë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën SOT ai tregon se i pëlqen abstraksioni, ndërsa thekson se në krijimtarinë e tij artistike kanë ndikuar shumë elementët popullorë shqiptarë.

Për jetën e tij artistike ai tregon se regjimi i asaj kohe në Kosovë nuk ka ndikuar aspak në krijimtarinë e tij si piktor. “Në atë kohë që unë kam jetuar në Kosovë, megjithëse ishte regjimi serb ka qenë një harmoni. Mua gjithmonë më kanë ftuar në ekspozita, serbët, Jugosllavia. Unë nuk mund të gënjej në këtë aspekt. Por populli i Kosovës kohët e fundit e ka ndier shkeljen e huaj dhe Kosova e pavarur është shumë e rëndësishme për ne si shqiptarë, por edhe për Ballkanin. Sa i takon largimit tim nga Kosova, ai ka qenë dhe për arsye familjare”, pohon piktori.

Piktori i njohur shqiptar, Gjelosh Gjokaj, i cili prej kohësh jeton në Gjermani, ishte i ftuar special në “Onufri 09″, ku prezantua me dy vepra “Pa titull 1″ (vaj në kanavacë, 200x130cm) dhe “Pa titull 2″ (vaj në kanavacë, 200 x 130cm), krijuar në vitin 2005. Këto vepra ishin të periudhës moderne të krijimtarisë së tij. Në këto krijime mbizotëronin ngjyrat e paqme, bluja e thellë, “shpirtërore” siç e quan ai, kontrasti i së bardhës me të zezën, e kuqja dhe e verdha e pjekur dhe grija e përhime, e përdorur për të arritur tonalitetin e duhur të harmonisë. Abstraktja jo vetëm e kënaq artistin, por i ka gjetur një vend në Galeritë e Evropës,”Haus de Kunler” në Mynih, ku ka hapur disa ekspozita, dhe “Holbein Galeria” në Augsburg, të tjera në Paris, Romë, Zvicër, Austri, Holandë. Në fund të 2010-ës, në galerinë e Mynihut, Gjokaj ka gjetur mundësinë për të prezantuar në një ekspozitë edhe punë të artistëve bashkëkohorë shqiptarë. Në projektet e këtij viti ishte edhe ky prezantim me punë nga krijimtaria e tij në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Gjelosh Gjokaj ka lindur në vitin 1933 në Milesh, lokalitet i Tuzit në Mal të Zi. Në Beograd kreu Shkollën e Mesme të Artit dhe më pas, studimet e larta në Akademinë e Artit. Diplomohet më 1963. Në vitet 1964-1969 themeloi degën e grafikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Nga viti 1969 deri më 1983, punoi dhe jetoi në Romë. Që prej 1983 jeton në Augsburg, Gjermani.

-Vini në Galerinë Kombëtare të Arteve me një ekspozitë personale e titulluar “Shejza”, çfarë sjell kjo ekspozitë?
Ekspozita “Shejza” vjen me këtë titull falë mikut tim që është dhe kurator i ekspozitës Parid Teferiçi, i cili e ka gjetur këtë titull falë një reviste shqiptare me titull “Shejza” të Ernest Koliqit. Në atë kohë kur unë kam jetuar në Romë, janë botuar dhe shumë piktura të miat në atë revistë. Ky titull për mua i përshtatet shumë bukur kësaj ekspozite. Në këtë ekspozitë janë 50 punime, janë disa formate të mëdha dhe disa në të vogla, por ka dhe një pjesë figurative. Për mua kjo pjesë që është figurative, lidhet me ngjyrën, një inspirim ku dhe dalin pikturat abstrakte. Teknika që unë kam përdorur këtu janë ngjyra akrilik. Unë me anë të kësaj ekspozite dua ti prezantohem Shqipërisë. Për mua sot Tirana, Shqipëria ka një fytyrë tjetër dhe një atmosferë tjetër. Shoh që artistët e Shqipërisë kanë përparuar, ata kanë bërë ekspozita të mëdha si brenda kufijve shqiptarë ashtu edhe në botë.

-Në këtë ekspozitë ju vini me tablo abstrakte, çfarë provoni me këtë lloj art?
Prej detajeve të figurës ka lindur piktura abstrakte tek mua. Ju e shikoni që ajo nuk ka lidhje shumë me figurën, por ka lidhje me harmoninë e ngjyrave.

-Jetoni në Gjermani, por cilat ishin arsyet që ju u larguat nga Kosova?
Kam jetuar për 15 vite në Romë dhe prej 25 vitesh unë jetoj në Gjermani. Në Kosovë unë kam qenë edhe profesor dhe aty ka lindur muza e parë për mua në art. Më pas erdhi udhëtimi im në Romë. Ky udhëtim në jetën ime ka bërë ndryshime shumë të mëdha, sepse aty unë u takova dhe me artistë shumë të mëdhenj botërorë. Ata kishin një tjetër kulturë dhe mua më kanë vlejtur shumë takimet me këta emra të njohur të artit botëror. Përmend këtu dhe takimin tim me piktorin e famshëm botëror Pikaso.

-Çfarë kujtoni nga takimi juaj me Pikason?
Kam ndenjur dhe kam biseduar me të. Kemi ngrënë darkë bashkë. Ai ka qenë miku i Renato Gotuzës, një piktor i njohur në atë kohë. Mbaj mend kur po darkonim në lokal, vjen një njeri me një pëlhurë dhe i thotë Pikasos: “Mjeshtër apo më vini një firmë tek kjo pëlhurë”. Pikaso i thotë: “Jo, sepse nuk e di se çfarë mund të bëni me të”. Më pas ai kërkon nga pronari i restorantit një pastelë dhe bën një pikturë të bukur në atë pëlhurë dhe i vendos firmën. Kur e pyesin se sa duhej ti paguanin, Pikaso iu përgjigj rreth 20 milionë lireta në atë kohë dhe ata u bënë gati t’ia paguanin, por Pikaso i thotë: “Ju sonte jeni mysafir tek unë në këtë darkë”, dhe qeshi, pra ai bëri një pikturë shumë të shtrenjtë por nuk mori asnjë shpërblim për atë. Kjo ka qenë një ngjarje që ka ndodhur me Pikason, që unë e kujtoj dhe sot e kësaj dite.

-Ju thatë që keni takuar shumë personalitete të artit pamor në botë, e ndërkohë ju vetë sa jeni ndikuar nga arti i këtyre emrave, që sot janë të njohur në të gjithë botën sa i takon krijimtarisë artistike?
Arti pamor i Evropës sigurisht që ka ndikuar edhe në krijimtarinë time artistike, ka ndikuar në pikturën time. Elementët që kanë qenë më reale, janë abstraktuar edhe kanë një harmoni tjetër në pikturën time dhe në veprimtarinë time artistike.

-Ju keni zhvilluar jetën artistike në Kosovë në një kohë kur atje ishte një tjetër regjim dhe shumë artistë nuk ishin të lirë për të realizuar krijimtarinë e tyre artistike. Po ju sa jeni privuar nga kjo?
Regjimi i asaj kohe në Kosovë nuk ka ndikuar aspak në krijimtarinë time si piktor. Në atë kohë që unë kam jetuar në Kosovës, megjithëse ishte regjimi serb ka qenë një harmoni. Mua gjithmonë më kanë ftuar në ekspozita, serbët, Jugosllavia. Unë nuk mund të gënjej në këtë aspekt. Por populli i Kosovës kohët e fundit e ka ndier shkeljen e huaj dhe Kosova e pavarur është shumë e rëndësishme për ne si shqiptarë, por edhe për Ballkanin. Sa i takon largimit tim nga Kosova, ai ka qenë dhe për arsye familjare.

-Si e shikoni sot artin shqiptar?
Unë e kam parë vjet ekspozitën “Onufri”, e kam parë edhe këtë vit dhe vërej se arti shqiptar po përparon, po krijon piedestal shumë interesant.

-Çfarë mendoni sot për artistë e rinj sh
qiptarë?

Ka shumë emra të talentuar. Përmend këtu artistin Anri Sala, por ka dhe artistë të mirë në Kosovë. Të rinjtë kanë sjellë krijimtari të bukur dhe me shije artistike. Mesazhi im është që ata të punojnë, të krijojnë dhe të mos e lënë pas dore artin.

-Pas Tiranës, ku do të udhëtojë ekspozita “Shejza”?
Ekspozita do të shkojë në Mal të Zi, më pas dhe në Prishtinë.

-Folët deri tani për krijimtarinë tuaj artistike, por cili ka qenë frymëzimi juaj gjatë këtyre dekadave që ju krijoni art?
Frymëzimi im ka qenë më së shumti nga elementët popullorë dhe kam ngjyra. Në krijimtarinë time artistike kam shumë piktura të tilla në abstrakte.

-Keni pengje në jetën tuaj artistike?
Nuk kam pengje, por dua që kolegët e mi të jenë të kujdesshëm në art dhe të sjellin vepra të bukura. /Gazeta Panorama/

KOMENTOJE