Shqiptarët duhet ta duan e përkrahin njëri-tjetrin kudo janë
I qetë në pamje , po plot forcë e zjarr në angazhimet për kombin e truallin. Pedagog, veprimtar, njeri i kulturës e folklorit. Njeri i fjalës e i besës. Këto janë vetëm disa nga virtytet e Rexhep Abazit nga Medvegja e Kosovës Lindore. Ai udhëheq një grup të shkëlqyer të folklorit me emrin domethënës “Shpëtimi” dhe nuk ka lënë takim kulturor, festival e Manifestim shqiptar që nuk ka marrë pjesë bashkë me Shefki Halimin, Bacën Kadri, me Xhemajliun e burra të tjerë të fjalës e të këngës shqipe. Ishte edhe në Malësinë e Dedë Gjo Lulit në takime rapsodësh e këngëtarësh. Ishte çdo herë aktiv e plot kurajë edhe në aktivitetet e Shoqatës së vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. Ai është kudo në shërbim të këngës, fjalës dhe valles së bukur shqipe.
Në bisedë për lexuesit e malësia.org e pyesim për shumë angazhime e veprimtari. Ai na tregon se me vite të tëra është në shërbim të arsimit shqip në Kosovën Lindore për të shpalosur pastaj shumë nga vështirësitë me të cilat përballen shqiptarët në komunën e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës. Rexhepi shprehet se shqiptarëve atje u janë mohuar shumë nga të drejtat elementare, por dashuria për truallin stërgjyshor dhe aktivitetet kulturore i mbajnë të fortë . Profesor Abazi shton se me këngëtarë e valltarë të Grupit folklorik “Shpëtimi” kanë marrë pjesë në shumicën e takimeve dhe ngjarjeve të mëdha kulturore në trojet shqiptare. “Kudo kemi qenë jemi pritur ngrohtësisht dhe kjo na ka dhënë forcë të vazhdojmë me aktivitetet kulturore. Mërgata jonë na përkrah dhe u jemi mirënjohës dhe nga kjo edhe ndjejmë obligim të vazhdojmë në kultivimin dhe ruajtjen e traditave dhe të këngës s ë pastër shqipe. Edhe bashkëpunimi me Shoqatën e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” na ka dhënë forcë të vazhdojmë me këngën e vallen tonë shqipe. Në këtë Shoqatë jemi shumë të respektuar dhe na dëgjohen me kujdes idetë dhe propozimet dhe prandaj aty ndjehemi thjeshtë si në shtëpinë tonë dhe kemi dhënë kontribut në bukurinë e madhështinë e Manifestimeve kulturore dhe të angazhimeve tjera arsimore e atdhetare të kësaj Shoqate. Ansambli ynë nga Medvegja ka gjetur shumë vëllezër në këtë Shoqatë, në tërë Kosovën, por edhe në Shqipëri e në Malësinë e Madhe”, shprehet prof. Abazi.
Në këtë bisedë vëllazërore e spontane për lexuesit e malësia.org, profesorin e nderuar e pyesim edhe për momente gëzimi a hidhërimi nga jeta e tij dhe e banorëve të Kosovës Lindore. Ai ndalet e mendon dhe pas pak sikur loti do e tradhtojë.
“Kemi pasur shumë më shumë momente të dhembshme ne shqiptarët atje. Edhe unë shumë momente të tilla pata në jetë. Por, ndoshta pse ngjau tash se voni , por moment tepër i rëndë për mua e edhe për shqiptarët tjerë ishte aktgjykimi shumë i padrejtë i gjykatës serbe dhe dënimi tmerrësisht i rëndë e i pabazuar ndaji nëntë djemve të rinj shqiptarë. Unë e përcolla në gjykatore seancën e fundit dhe ishte vërtetë skenë e dhembshme dhe e tmerrshme. Gjyqi i dënoi ata djelmosha vetëm e vetëm pse po mundet se fakte të qëndrueshme e argumente nuk kishte. Delegatët shqiptarë të tri kuvendeve komunale atje janë mbledhur në një takim të përbashkët dhe pas shumë diskutime plot argumente kemi ardhur në përfundim se Gjykata më e lartë duhet ta shfuqizojë këtë vendim duke pasur parasysh motivimet e tij politike dhe mungesën e fakteve materiale, si dhe shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë procesit të arrestimit dhe paraburgimit të nëntë qytetarëve të Preshevës. Ky Kuvend në deklaratën e përbashkët e ka cekur se Aktgjykimi ndaj nëntë shqiptarëve të komunës së Preshevës është vazhdimësi e presionit sistematik të Beogradit zyrtar ndaj qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës. Kjo ka bërë që Kuvendi i përbashkët të kërkojë nga faktorët relevant ndërkombëtarë, të ushtrojnë presion tek organet shtetërore në Beograd , që krahas ndërprerjes së proceseve gjyqësore politikisht të motivuara të ndërpres edhe të gjitha format e diskriminimit dhe presionit të vazhdueshëm shtetëror që po ushtrohet në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, tregon profesor Abazi, për të shtuar se Kuvendi i përbashkët i delegatëve shqiptarë atje ka deklaruar se në rast të mospërfilljes së kërkesave të parashtruara në këtë Deklaratë, do të shqyrtojë të gjitha format e veprimit politik deri në shprehjen e pa dëgjueshmërisë qytetare.
Ky veprimtar e pedagog i devotshëm mendon se Kosova, po veçmas Shqipëria përmes takimeve bilaterale e takimeve të institucioneve evropiane e botërore duhet të kërkojë nga shteti serb respektimin e përpiktë të të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore. “Shqiptarët duhet ta duan e përkrahin njëri-tjetrin kudo janë. E ne shqiptarët në Kosovën Lindore dhe vëllezërit tonë në Malësi kanë shumë e shumë nevojë për këtë respekt e përkrahje edhe nga institucionet e shtetit amë, por edhe nga individë e Shoqata “, apelon në fund të kësaj bisede prof. Rexhep Abazi, për të përshëndetur nga zemra stafin e malësia.org dhe gjithë lexuesit e saj të shumtë kudo ka shqiptarë.
Rrahman Jasharaj