Për Aleancën Kuq e Zi ka filluar numërimi mbrapsht deri më 28 nëntor, Dita e Pavarësisë. Besnikë të asaj që kishin njoftuar, aktivistët e Aleancës shpalosën në Vlorë një flamur gjigant, që do të nisë rrugëtimin simbolik deri në Prishtinë.
Në një miting në Vlorë, qytetin e Pavarësisë, Kreshnik Spahiu vuri në dukje se Shqipëria e sotme dhe gjendja e shqiptarëve, kudo ku janë, të ndarë në disa shtete dhe në ngjyra partiake, nuk është ëndrra e Ismail Qemalit.
“Prej 20 vitesh na u premtua Shqipëria si gjithë Europa, për 10 vite pritëm, ndryshuam 20 qeveri, ndryshuam 200 ministra, për 20 vite na u premtua Europa dhe jemi të fundit në Europë, nuk e kemi gjetur ende derën e saj. Për 20 vite në Kushtetutën e Shqipërisë u sanksionua bashkimi dhe plotësimi i aspiratës për bashkimin e shqiptarëve. Ku është ëndrra, detyrimi shtetror, detyrimi i gjithkujt për të plotësuar atë detyrim kushtetues?, tha Spahiu.
Kreshnik Spahiu i ftoi shqiptarët, kudo ku janë, që të injorojnë flamujt e partive politike dhe të respektojnë flamurin kombëtar, duke vendosur nga një flamur në cdo dritare.
“Në këto 20 vite zgjodhëm flamuj të tjerë, të cilët mbollën urrejte dhe që na kthyen më keq se 99 vite më parë. Ja disa vargje të Pashko Vasës qe kam deshire t’i them ketu: Shqiptarë, në 100 parti jeni përcarë/ca thonë janë turq, ca thonë janë grekë/ por sado të gënjeni more të mjerë/ kuq e zi ne jemi miliona herë”, tha në fjalimin e tij Spahiu.
Aktivitetet e Aleancës Kuq e Zi për 99 vjetorin e Pavarësisë do të kulmojnë të hënën në Prishtinë, ku në bashkëpunim me Komunën dhe lëvizjen Vetëvendosja do të veshin kuq e zi kryeqytetin kosovar.
Durrës, festime për pavarësinë
Në Durrës janë zhvilluar festime në kuadër të ngritjes së flamurit të pavarësisë më 26 nëntor të vitit 1912.
Me këtë rast flamuri para Bashkisë së Durrësit, në të njëjtin vend ku është shpalosur edhe 99 vjet më parë.
Pavarësia, Clinton uron popullin shqiptar
Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton uron gjithë popullin shqiptar për Ditën e Pavarësisë.
“Dy vendet tona bashkëndajnë një histori të gjatë miqësie dhe bashkëpunimi. Sot, po e forcojmë këtë partneritet ndërkohë që punojmë krah për krah në NATO dhe nxisim stabilitetin në rajon dhe kudo në botë. Vazhdojmë të mbështesim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxisim udhëheqjen politike të Shqipërisë që të punojë sëbashku për t’u siguruar që vendi të ecë përpara. Populli shqiptar do një qeveri transparente, udhëheqje që jep llogari dhe institucione të forta demokratike që do të ndihmojnë për të ndërtuar një të ardhme të begatë dhe të sigurtë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë vendosmërisht me popullin e Shqipërisë teksa punojmë sëbashku për t’i arritur këto synime”, thuhet në mesazhin e urimit.
Thaci uron Berishën
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci i dërgoi një mesazh urimi homologut shqiptar Sali Berisha.
“Shpallja e pavarësisë është një akt i rëndësishëm për popullin. Më 28 nëntor u kurorëzua përpjekja për liri”, shkruan në mesazhin e urimit Thaci.
Kryeministri vlerësoi ndihmën e vazhdueshme që Shqipëria jep për Kosovën. /top-channel.tv/