Në Prishtinë u organizua Tryeza tematike “99 vjet. E tani çka…? nga Shoqata “Martin Dreshaj”

E Organizuar nga Shoqata “Martin Dreshaj” u mbajt në Prishtinë Tryeza tematike “99 vjet. E tani çka…?
A vërtetë kemi mbetur jetimë ?, pyesin shqiptarët nga trojet etnike

Duke vazhduar të mbetet zë në Kosovë i Malësisë së Madhe dhe trojeve të tjera etnike jashtë kufijve të dy shteteve tona, Shoqata e Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” ka organizuar në ambientet e Qendrës së Studentëve në Prishtinë Tryezën tematike “99 vjet. E tani çka…?” me qëllim që të bëj bashkë veprimtarë e udhëheqës politik nga trojet etnike shqiptare për të debatuar vëllazërisht e lirshëm për gjendjen e pjesëve të truallit shqiptar, që administrohet nga Podgorica a nga Beogradi.
Ftesës për Tryezën i janë përgjigjur Tahir Tahiri, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi, deputeti Vasel Sinishtaj, veprimtari Ali Daci, Nagip Arifi, kryetar i Partisë Demokratike shqiptare në Bujanovc, anëtari i kryesisë së këtij subjekti politik, z. Bajram Hasani, deputeti e veprimtari Rexhep Abazi bashkë me veprimtarët nga ky truall shqiptar Shefki Halimi, Kadri Abazi, Zenel Halimi e Sabit Uka. Në këtë tryezë ishin edhe vëllezërit nga Shkodra, Ndue Sanaj, kryetar i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” me veprimtarët Prel Kroi, Ndue Mici e Gjon Kroi. Me ta i kanë shkëmbyer mendimet e i kanë qarë hallet e mëdha të kombit tonë edhe Mustafë Kryeziu e Ali Topalli nga OJQ “ Ekzodi ‘99” ,gazetari i njohur Zekë Sinani , kryesia e Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, dhe shumë përkrahës e miq të kësaj Shoqate.

Podgorica Shqiptarëve po ua mungon të drejtat e fituara

Të pranishmit në këtë Tryezë kanë dëgjuar shumë fakte e argumente për gjendjen alarmante lidhur me të drejtat elementare të njeriut teksa po i drejtohej pjesëmarrësve në Tryezë kryetari i këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi, z. Tahir Tahiri. Nga pronat e nëpërkëmbura private shqiptare e deri të punësimi, shëndetësia, arsimi, përfaqësimi në gjykata, institucione, gjuha shqipe e shkollimi, simboli kombëtar shqiptar e sfera të tjera të jetës kanë qenë pika në të cilat Tahiri ka përmendur shkelje në dëm të shqiptarëve që ka bërë e është duke bërë pushteti në Podgoricë. Ai përmes Tryezës ka shpalosur, edhe njëherë, kërkesat e shqiptarëve atje drejtuar institucioneve të Malit të Zi, por edhe atyre të Shqipërisë e Kosovës. Komuna e Tuzit duhet të ketë të drejta të plota dhe të ekzistojë në kufijtë historik të Malësisë. Duhet të ketë përfaqësim autentik të shqiptarëve në organet e shtetit dhe në të gjitha nivelet e pushtetit në Mal të Zi, Mandatet e garantuara në Parlament dhe kthimi i njësisë së veçantë zgjedhore, Decentralizimi i pushtetit vendor( kthimi i kompetencave që janë marrë, Kthimi i pronës dhe pasurisë ish pronarëve, Rishikimi i të gjitha privatizimeve të bëra gjatë viteve të tranzicionit në komunat dhe vendbanimet në të cilat jetojnë shqiptarët, Arsimimi në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet e arsimit, Anulimi i Projektit për Parkun Nacional “Prokletije” dhe kërkesat të tjera janë ngritur në këtë Tryezë nga z. Tahiri me kërkesën që me to të njihen edhe institucionet shqiptare e ato ndërkombëtare përmes një letre të përbashkët në emër të kësaj Tryeze.

I zëshëm e kategorik në këtë tryezë ka qenë edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, z. Vasel Sinishtaj, ai duke mos dashur të përsëris nga ato që kishte thënë më parë z. Tahiri, është ndalur të disa çështje konkrete që kanë të bëjnë me Kushtetutën malazeze dhe me shkeljen e saj në dëm të shqiptarëve atje. Ai është shprehur se shqiptarët atje me votën e tyre kanë ndihmuar në pavarësinë e Malit të Zi, por kjo u është kthyer me të keq. Sinishtaj ka treguar për angazhimet e deputetëve shqiptarë në mbrojtjen e të drejtave të garantuara të shqiptarëve atje duke cekur veprimet e vazhdueshme të Podgoricës zyrtare për zvogëlimin e të drejtave e fituara e garantuara. “Askund në botë nuk zvogëlohen liritë dhe të drejtat e arritura të pakicave, por kjo ndodh në Mal të Zi me të drejtat e shqiptarëve. Sinishtaj edhe në këtë Tryezë u ka apeluar institucioneve të shtetit të Kosovës që të mos nguten me vënien e marrëdhënieve të plota diplomatike me Podgoricën pa u njohur të drejtat dhe përfaqësimi autentik i shqiptarëve atje, pa u njohur e drejta për komunë të plotë dhe shumë të drejta legjitime të shqiptarëve në trojet e tyre. Deputeti Sinishtaj ka kujtuar Kosovën se Mali i Zi po kushtëzon marrëdhëniet duke kërkuar të drejtat e mbi të drejta për diku 3000 malazezë të Kosovës, që dihet se janë pasardhës të familjeve që në Kosovë kanë ardhur si kolonizator dhe prandaj Kosova ka plotësisht dhe shumë të drejtë që të kërkojë njohjen dhe ruajtjen e lirive të fituara dhe mos cenimin e tyre për shqiptarët në Malësi e kudo që janë banorë autoktonë në ato troje. Sinishtaj ka kërkuar që Partitë shqiptare kudo janë të krijojnë një platformë legale të veprimit institucional dhe të lejuar me gjithë dokumentet ndërkombëtare dhe të veprojnë bashkërisht në mbrojtjen e të drejtave legale të shqiptarëve dhe se cilado parti a lider i saj që nuk respekton këtë Platformë të mos gëzojë mbështetje e as komunikim e takime me dy qeveritë në Shqipëri e Kosovë e as me partitë tjera shqiptare kudo janë.

Edhe përfaqësuesi nga Rozhaja, veprimtari Ali Daci, ka dhënë shumë shembuj të realitetit në Dacaj dhe vendbanimet tjera shqiptare atje. Ai ka dhënë e fakte e argumente edhe për gjendjen e vështirë të shqiptarëve të mbetur në Plavë e Guci duke treguar se në këto troje shqiptare dikur kishte mjaft banorë shqiptarë e tani, si tha ai, gëzohesh kur dëgjon një fjalë e a një këngë shqipe.
Nga diskutimet me fakte të këtyre pjesëmarrësve në Tryezë nga Malësia shihet se Podgorica po vazhdon me politikën e asimilimit, kolonializmit dhe të zbrazjes së trojeve shqiptare dhe se janë dy shtetet, Shqipëria e Kosova që duhet të ngritin zërin e të kërkojnë reciprocitet në veprime dhe respektimin e gjithë të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe aktet ndërkombëtare për pakicat atje.

Gjendje e vështirë e alarmante edhe në Kosovën Lindore

Nagip Arifi, kryetar i Partisë Demokratike shqiptare në Bujanovc dhe deputeti e veprimtari Rexhep Abazi i kanë sjellë Tryezës argumente të shumta që flasin për një gjendje të vështirë e alarmante të gjithë shqiptarëve në Bujanovc, Preshevë e Medvegjë, pra në gjithë Kosovën Lindore. Ata kanë kritikuar zëshëm edhe heshtjen e institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë ndaj gjithë dhunës dhe ndaj mohimit të të drejtave elementare që Beogradi po i bën popullatës shqiptare atje. Ata kanë kërkuar që Kosova të vë në veprim reciprocitetin duke kërkuar të drejta të njëjta për shqiptarët në Kosovën Lindore me ato që kanë serbët në Kosovë. Duke treguar hapur se shqiptarët në Kosovën Lindore janë hidhëruar me institucionet e Kosovës, këta dy diskutues kanë ofruar edhe arsyet pse ka ndodhur kjo duke rikujtuar ndihmën që shqiptarët atje i kishin dhënë në çdo kohë popullit të Kosovës. Ata kanë kujtuar se më 14 janar të vitit 2006 kishim shpallur publikisht Platformën e gjithë subjekteve politike në përkrahje të Pavarësisë së Kosovës, Arifi e Abazi kanë shprehur alarmin se kështu si po vepron Serbia dhe me këtë heshtje të institucioneve në Shqipëri e Kosovë shqiptarët në Kosovën Lindore do të ndjehen të pasigurtë e të pambrojtur dhe se do të vazhdojë vënia në jetë e politikës serbe për të krijuar atmosferë frike, pasigurie dhe kështu do të vazhdojë zbrazja e trojeve etnike shqiptare. Ata janë shprehur me emocione se është shumë e dhembshme të humbet Mevegja, por edhe trojet tjera
.
“ Derisa të tjerët do të festojnë për flamurin, ne do të jemi në protesta”, kanë lajmëruar këta dy diskutues.
Edhe nënkryetarët e OJQ “ Ekzodi ‘99” , Mustafë Kryeziu e Ali Topalli kanë shprehur dhembje për gjendjen e vështirë të vëllezërve tonë në trojet etnike, që për momentin gjenden jashtë kufijve ekzistues të Shqipërisë e Kosovës. Kryeziu e Topalli kanë premtuar angazhime të përbashkëta në shërbim të unifikimit të kombit tonë.

Ndue Sanaj, kryetar i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” nga Shkodra me një zë të butë e vëllazëror ka diskutuar për brengat dhe hallet e shqiptarëve në disa prej trojeve etnike. Ai ka kërkuar që çështjet të diskutohen me mendje të qetë e bashkërisht dhe bashkërisht edhe të ketë veprime të lejuara e në mbrojtje të të drejtave të garantuara të shqiptarëve në trojet etnike. “Për gjendjen e kombit tonë kudo është ai, nuk janë fajtorë vetëm të tjerët, si jemi mësuar të deklarohemi, por fajtorë jemi edhe vetë ne. Historikisht ne inatin e kemi pasur me të sojit tonë me shumë se me të huajt”, ka rikujtuar qetë e bukur plaku shkodran , Ndue Sanaj.
Gazetari i njohur Zekë Sinaj, që njeh mirë gjendjen në trojet etnike sepse ka realizuar shumë emisione televizive atje ka kërkuar që të mos ndalemi vetëm me përshkrime ngjarjesh e të gjendjes, por të punojmë për unifikim të veprimeve dhe që në mënyrë institucionale e të përkrahur nga institucionet e Shqipërisë e Kosovës të kërkohet realizimi dhe mbrojtja e të drejtave të garantuara të shqiptarëve.
Rrahman Jasharaj, koordinator i Shoqatës “Martin Dreshaj” teksa po udhëhiqte këtë Tryezë ka kujtuar se kjo Shoqatë bashkë me simotrat e saj dhe me miqtë e veprimtarët kanë përcjellë me shqetësim gjendjen në një pjesë të trojeve etnike dhe kanë ngritur zërin vazhdimisht kundër padrejtësive që u janë bërë e po u bëhen vëllezërve tanë.
Ukshin Jashari, kryetar i së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” ,sekretari i përgjithshëm , Frashër Rraci dhe veprimtarët Lekë Camaj e Armend Blakaj kanë falënderuar pjesëmarrësit për gjithë atë rrugë të bërë për të qenë bashkë në të njëjtin vend e për të dëgjuar e debatuar për hallet që janë të të gjithëve. Po ashtu kanë falënderuar stafin e Qendrës së studentëve dhe zotërinjtë Ali Shabanaj e Ymer Ymeri që kanë mundësuar mbajtjen e kësaj Tryeze. Ata kanë premtuar se do të përgatisin një letër nga diskutimet e bëra dhe do ua dërgojnë institucioneve të Shqipërisë, Kosovës, por edhe atyre ndërkombëtare.

Pjesëmarrësit në këtë Tryezë të pjesën e dytë të punimeve të saj janë njoftuar me propozimin e Shoqatës “Martin Dreshaj lidhur me Manifestimin e tyre tradicional “Zëri i Vëllazërisë” për vitin 2012 , i cili do të jetë shumë masiv dhe përmbajtjesor sepse i kushtohet ngjarjes së madhe historike ngritjes së flamurit në Malësi dhe datës së madhe të kombit tonë, 100 vjetorit të pavarësisë. Një propozim përmbajtjesor për këtë Manifestim është dhënë edhe nga Shoqata Atdhetare “Dukagjini” dhe kështu do të punohet një skenar i përbashkët e shumë përmbajtjesor i Manifestimit.

Rrahman Jasharaj , gazetar nga Kosova i Malesia.org

KOMENTOJE