Letër e hapur në lidhje me shkeljen e të drejtave nga marrëdhënia e punës drejtuar zyrtarëve të lartë shtetëror të Malit të Zi – Edmond Ujkaj

Lënda: Letër e hapur në lidhje me shkeljen e të drejtave nga marrëdhënia e punës drejtuar zyrtarëve të lartë shtetëror të Malit të Zi, disa përfaqësuesve të misioneve diplomatike dhe organizatave të huaja në Mal të Zi, si dhe Kuvendit të Komunës urbane të Tuzit (kryetarit, trupave punues dhe klubeve të këshilltarëve).

Të nderuar,

Ju drejtohem me anë të kësaj shkrese me qëllim të njoftimit tuaj mbi shkeljen e të drejtave nga marrëdhënia e punës ndaj punëtorit të administratës të Komunës urbane të Tuzit, Edmond Ujkaj, këshilltar për çështje juridike pranë kësaj administrate.
Këtë shkresë ua drejtoj pasi e kam vlerësuar si të nevojshme që në formë zyrtare t’ju vë në dijeni për shkelje të drejtave themelore të njeriut të garantuara me aktet më të larta të këtij vendi dhe me normat e të drejtës ndërkombëtare. Fjala është për të drejtën e çdo individi në punësim, për të drejtën e ushtrimit të detyrës zyrtare në mënyrë profesionale, në pajtim me kualifikimin dhe aftësitë e tij, duke mos bërë diskriminime qoftë për shkak të bindjeve politike apo përkatësisë fetare.
Organet kompetente të Komunës urbane të Tuzit kanë filluar dhe janë duke implementuar një procedurë jashtëligjore të ndrrimit të aktit të sistematizimit të vendeve të punës në Administratën e Komunës urbane të Tuzit, pa kurrfarë arsyetimi ligjor për sjelljen e këtij akti, përveç arsyeve të përfitimit politik dhe sjelljes së kuadrove partiak në këtë administratë. Këtë pohim timin e vërtetoj edhe me normën e Ligjit mbi punëtorët dhe administratorët shtetëror (“Gz. zyrtare e MZ”, nr. 50/08 dhe 86/09), i cili në Nenin 107 normon se “reorganizimi i organit mund të kryhet nëse vjen deri tek zvogëlimi i vëllimit të punëve të organit shtetëror ose në rast të ndryshimeve organizative, publiko-financiare dhe arsyeve tjera të ngjashme.” Pasi, në KU të Tuzit, përveç ndryshimit të ushtruesve të pushtetit, prej themelimit e deri më sot, nuk kemi ndonjë ndryshim as në aspektin e kompetencave të shtuara apo të zvogëluara, nuk kemi ndonjë punë të deleguar më shumë, nuk kemi kurrfarë kërkese reale për sjelljen e një akti të tillë, është më se e qartë se tërë kjo procedurë kryhet për të eleminuar kuadrot profesional, me përvojë, me aftësi, me kualifikime të nevojshme, për themelimin e bazave të forta të një administrate moderne dhe funkcionale. Pra qëllimi është sjellja e “ushtarëve” të ashtuquajtur partiak pa marrë parasysh kualifikimet, aftësitë apo përvojën sepse mbi të gjitha, madje edhe mbi Kushtetutën dhe ligjin, përparësi kanë premtimet e dhëna gjatë fushatës parazgjedhore për punësim. Organet kompetente të KU të Tuzit pasi nuk munden të përballojnë presionin si pasojë e këtyre premtimeve për punësime të shumta në Administratë të KU, e duke ditur vendimin e organeve shtetërore për mos të bërë punësime të reja në këtë periudhë krize financiare, në mënyrë akrobatike vijnë deri tek idea se si të zgjidhet kjo situatë e palakmueshme, gjegjësisht të bëhet pushimi nga puna i kuadrove profesional, apolitik, në Administratën e KU në mënyrë që të krijohet hapësira për ardhjen e “të pëlqyerve” të pushtetit, si e vetmja mënyrë për realizimin e qëllimeve të tyre politike.

Gjithë kjo që u tha më lartë bëhet në dëm të punësuarve aktual në Administratën e KU të Tuzit, që gjatë këtyre viteve punuan palodhshëm me qëllim të dhënies së kontributit të vetë në avancimin e nivelit të drejtave dhe mirëqënies së qytetarëve të trevës sonë. Me këto veprime ndaj kësaj administrate, largohen profesionistët të cilët, në mos tjetër gjë, në Malësi për herë të parë institucionalizuan gjuhën shqipe, punuan në sjelljen e akteve të para, themeltare, të organizimit të kësaj forme të vetëqeverisjes lokale. Them forme, sepse të gjithë e dimë se KU nuk është njësi e vetëqeverisjes lokale për fat të keq tonin. Udhëheqësia e KU të Tuzit në vend se të shfrytëzonte përvojën e të punësuarve aktual për fuqizimin e kapacitetit të kësaj administrate, ajo të njëjtit ka për qëllim t’i pushojë nga puna.
Konkretisht, me këtë shkresë dëshiroj t’ju njoftoj se më dt. 18.11.2011 më është dorëzuar Vendimi mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës pranë Administratës së Komunës urbane të Tuzit, në të cilën kam qenë i angazhuar pa ndërprerje që nga dt. 18.06.2007. Në Vendim si arsye për ndërprerjen e marrëdhënies së punës figuron se në bazë të aktit të ri mbi sistematizimin nuk mund të ngarkohem me ndonjë detyrë tjetër zyrtare, pasi nuk i plotësoj kushtet e kërkuara. Me këtë rast ju njoftoj se këto ndryshime janë bërë ekskluzivisht për të më larguar së pari mua nga puna të cilën kam ushtruar në administratë e më pas edhe ndonjë punëtor në administratën tonë, të cilit i është paralajmëruar lëshimi i të njëjtit vendim. Pasi për sa i përket angazhimit tim në punë kurrkush nuk ka patur ndonjë kritikë apo ndonjë pakënaqësi, të cilën së paku mua asnjëherë as me gojë, as me shkrim nuk ma ka shprehur punëdhënësi im i deritashëm, arsyet për largimin tim nga puna, i kanë të njohura të gjithë nga treva jonë pak a shumë.

Për ata të cilët nuk i kanë të njohura këto, kur përmendet emri famëkeq i aksionit policor “Fluturimi i shqiponjës”, në lidhje me të, saktësisht pas kryerjes së këtij aksioni, unë asokohe isha kandidat në listën e këshilltarëve të koalicionit PDS-UDSH, si anëtar i atëhershëm i UDSH-së, për Kuvendin e KU të Tuzit dhe ditën e zgjedhjeve (ditën e nesërme pas aksionit), e kam njoftuar kryesinë partiake dhe kam dhënë deklaratë se tërhiqem nga lista dhe njëkohësisht lajmëroj eprorin tim të asaj kohe në Drejtoratin e Policisë, ku isha i punësuar si praktikant, se për shkak të brutalitetit të policisë të shfaqur gjatë këtij aksioni, unë ndërpres marrëdhënien e punës pranë këtij organi. Më pas, për të qenë korrekt, dhe për të mos keqpërdorur apo manipuluar me vullnetin e qytetarëve të Malësisë, kam hequr dorë nga mandati i verifikuar nga Komisioni zgjedhor i Podgoricës, si kandidat të cilit automatikisht i ishte verifikuar mandati, pasi isha ndër të parët në listë, edhepse asokohe kisha këshilla që këtë mos t’a bëja, por të disponoja me mandat sipas preferencave të mia. Sot, në KU të Tuzit pushtetin e mbajnë pikërisht partitë në fjalë, të cilat në vitin 2006 humben zgjedhjet në KU të Tuzit dhe tanimë në skenë kemi zbatimin e hakmarrjes ndaj meje personalisht për shkak të veprimeve të lartpërmendura të cilat nuk u pëlqyen me sa duket aspak, funksionarëve të lartë të këtyre partive politike të cilët, kënaqësi të jashtëzakonshme dhe prioritet programor, kanë largimin nga puna të një profesionisti, të një personi në fillimet e karrierës së tij, me qëllim të demonstrimit të fuqisë dhe dhënies së shembullit të tjerëve se si do të përfundojnë poqese guxojnë të mendojnë me kokë të vetë.
Kërkoj që në kuadër të mundësive tuaja këtë shkresë timen t’a shqyrtoni dhe të shfrytëzoni ndikimin tuaj që të ndalet shkelja e mëtejme e të drejtave themelore të njeriut, pasi ky është një sulm brutal dhe i paprecedent në trevën tonë ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut, si vlera universale të njerëzimit, e aq më shumë duke ditur aspiratat e shtetit të Malit të Zi për integrime europiane dhe euro-atlantike. Përndryshe dëshiroj t’ju njoftoj se unë kam inicuar procedurat tek institucionet kompetente dhe poqese nuk do të marrë përgj
igje të kënaqshme nga këto të fundit, atëherë do t’i drejtohem gjykatave kompetente vendore, por edhe atyre ndërkombëtare, nëse do të jetë e nevojshme, për mbrojtjen e të drejtave të mia dhe sjelljen para drejtësisë të atyre personave të cilët keqpërdorin detyrën zyrtare për qëllime politike, si dhe do të kërkoj kompensimin e dëmit material dhe atij jomaterial për veprimet joligjore të udhëheqësisë së Komunës urbane të Tuzit.

Me respekt,
Edmond Ujkaj, bsc. i drejtësisë

KOMENTOJE