Kryetari i KU të Tuzit, Nikollë Gegaj, takon Kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha në Tiranë

Kryetari i Komunës urbane të Tuzit, Nikollë Gegaj, më 12 dhjetor 2011 ishte në vizitë zyrtare në Kryeqytetin e Shqipërisë, ku kishte takim pune me Kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha.

Takimi Basha – Gegaj u zhvillua në atmosferë miqësore, ku me kënaqësinë e të dy palëve, u konstatua se edhe ky takim është vërtetim i marrëdhënieve të shkëlqyera midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, marrëdhënie të cilat mund të shërbejnë si shembull në rajon.

Kryetari Gegaj ia prezantoi Kryebashkiakut të Tiranës Komunën urbane të Tuzit, si bashkësi multinacionale dhe multikonfesionale, e cila është krenare me marrëdhëniet e mira të popullsisë në pikëpamje nacionale dhe fetare, prezantoi organizimin dhe mënyrën e funksionimit të pushtetit ligjvënës si dhe atij ekzekutiv të KU të Tuzit. Gegaj i prezantoi investimet në realizim e sipër me vlerën rreth 4 milion euro, të cilat në trevën e KU të Tuzit i realizon Kryeqyteti Podgorica dhe Shteti Mali i Zi, duke e veçuar rrugën Tuz – Bozhaj, si dhe investimet e rëndësishme të cilat paraqesin prioritetet e kësaj komune urbane në periudhën e ardhshme, duke e veçuar me këtë rast rrugën Dinoshë – Vërmoshë – Guci.

Gegaj u shpreh se është i kënaqur me marrëdhëniet e Komunës urbane të Tuzit me komunat në Shqipërinë e veriut, si dhe me Bashkinë e Shkodrës, po ashtu edhe me marrëdhëniet me OJQ-të nga Shqipëria, me të cilat si partnerë aplikojmë me projekte për IPA programet e bashkëpunimit ndërkufitar.

Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, u shpreh se është i kënaqur me marrëdhëniet me Malin e Zi, u deklarua se i nderon investimet që realizohen në trevën e Komunës urbane të Tuzit, posaçërisht në dekadën e fundit.

Gjatë takimit Gegaj – Basha paraprakisht u morën vesh mbi binjakëzimin e Qytetit të Tiranës dhe Komunës urbane të Tuzit dhe paralajmëruan investime simbolike ndërqytetare, të cilat do të marrin emrat e dy qyteteve.

ADMINISTRATA E KOMUNËS URBANE

KOMENTOJE