Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha vizitoi Malësinë

Takimi në KU Tuz

Gjate vizitës që kryeministri shqiptar i bëri Malit të Zi, dje në orët e mas ditës qëndroi për më se një orë në Komunën Urbane të Tuzit, ku përpos kryetarit të Komunës, z. Nikollë Gegaj, kryetarit të Kuvendit, z. Fadil Kajoshaj, prezent ishin edhe këshilltarët në Kuvendin e Komunës urbane, Smail Çunmulaj, Gjergj Camaj, Halil Dukoviq, Enes Gjokaj dhe Nikollë Camaj.

Paraprakisht , para godinës së Komunës urbane e priten dhe e takuan dhjetëra qytetarë si dhe stafi i Komunës urbane.

Në fjalën e vet kryetari i Komunës i uroi mirëseardhje Kryeministrit shqiptar dhe i shpjegoi për mënyrën e funksionimit të Komunës Urbane dhe për investimet që po bëhen në Malësi. Po ashtu ai përmendi edhe marrëveshjen për mbajtjen e referendumit për ndryshim të statusit të Komunës urbane. Mirëseardhje Kryeministrit i dëshiroi edhe kryetari i Kuvendit Fadil Kajoshaj.

Në fjalën e vet Kryeministri Berisha foli për marrëdhëniet e mira Shqipëri Mali Zi, për ndihmësen që Mali i Zi i ka dhëne çështjes së Kosovës, por edhe për ndihmësen që shqiptaret e këtushëm i kanë dhënë themelimit të shtetit të Malit të Zi. Përpos tjerash, ai potencoi edhe bisedimet që kishte pasur me palën malazeze nga të cilat rrjedhë kërkesa që Malësia të ketë Komunën e plote dhe marrëveshja për hapjen e pikës kufitare në Cem të Trieshit.

Në bisedë u kyç edhe opozitari Nikollë Camaj i cili, duke potencuar nevojën që ka Malësia për përkrahje nga shteti amë, ftoi Kryeministrin shqiptar që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë politike, kanalet diplomatike por dhe miqësinë në mes të dy shteteve, që të themelohet Komuna e plote e Malësisë, që të sigurohet përdorimi i lirë i simboleve kombëtare dhe të garantohet përfaqësimi autentik e proporcional i shqiptareve në Mal të Zi. Ai tha se ‘’Malësia në gjeografinë shqiptare mund të paraqesë vetëm do kopshtie, por në historinë shqiptare paraqet pediestalin e qëndresës kombëtare, simbolin e rezistencës dhe sakrificës, prandaj meriton kujdes të veçantë dhe angazhim të plotë të shtetit shqiptar për përmirësim të statusit të shqiptareve të këtushëm’’.

Këshilltari Smail Çunmulaj në bisedën e vet u ndërlidh me vizitën që delegacioni i Iniciativës qytetare i kishte bërë kryeministrisë para gjashtë viteve dhe se asnjë nga premtimet qe ua kishte bërë nuk janë realizuar. Ai tha se ‘’atëherë na është premtuar angazhimi permanent për themelimin e Komunës së plotë por që në fakt, nga ajo kohe asgjë nuk është ndërmarre në atë drejtim. Çunmulaj potencoi nevojën e organizimit të qeverisjes lokale si të vetmit kusht për zhvillimin e Malësisë. Përpos tjerash, ai shprehu friken se akrepat e orës nuk janë duke punuar në favor të shqiptareve të këtushëm meqenëse situata në teren ndërron nga dita në ditë’’.
Në përgjigje që dha Berisha, tha se me gjithë atë akrepat e orës do të punojnë për shqiptaret, se Malësia do të ketë komune dhe se Shqipëria do te jetë në përkrahjen e kërkesave legjitime të shqiptarëve në Mal të Zi. /Albert Camaj/

FOTOGRAFITËVIDEO KOMENTOJE