Një delegacion i shqiptareve nga Mali i Zi viziton Kosovën – Kërkojnë reciprocitet

Prishtinë, 6 shkurt – Kryetari i Grupit Parlamentarë të LDK-së, Ismet Beqiri, priti një delegacion deputetësh shqiptarë të Parlamentit të Malit të Zi, i cili përbëhej nga Mehmet Bardhi, Genc Nimanbegu dhe Vasel Sinishtaj. Pjesë e këtij delegacioni ishte edhe kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Malit të Zi, Tahir Tahiri.

Në një takim vëllazëror u bisedua për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe shqetësimet e përfaqësuesve shqiptarë të Malit të Zi, për disa zhvillime në këtë shtet.

Kryetari Beqiri i informoi për zhvillimet aktuale në Kosovë për punën e G. P. të LDK-së dhe ecurisë së punës dhe reformave në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Deputetët Bardhi, Nimanbegu dhe Sinishtaj si dhe Kryetari i Këshillit, z.Tahiri, shprehën shqetësimet e tyre rreth disa zhvillimeve në Malin e Zi, veçmas për të drejtat e shqiptarëve autoktonë që jetojnë në Malin e Zi, si çështja e kufizimit të përdorimit të Flamurit Kombëtar, diskriminimi i komunave me shumicë shqiptare etj.

Ata kërkuan mbështetje dhe që për këto halle dhe shqetësime të ngrihet zëri në institucionet tona, shkurt të vlejë një reciprocitet, ajo që u lejohet dhe garantohet komunitetit të vogël malazez në Kosovë, t’ju garantohet edhe shqiptarëve si komunitet i madh në Mal të Zi.

Kryetari i G.P. të LDK-së premtoi së këto shqetësime do t’i ngrisë në institucionet shtetërore të Kosovës, veçmas në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu u theksua nevoja e bashkëpunimit të G. P. të LDK-së me G.P. të deputetëve shqiptarë në Malin e Zi. Në këtë takim ishin edhe dy deputët të Kuvendit të Kosovës, z. Arben Gashi dhe Armend Zemaj.

Beqiri shprehu mirëkuptimin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke theksuar që LDK-ja, mbështet fuqishëm shqiptarët të cilët jetojnë në Malin e Zi, duke siguruar bashkëpunim të ndërsjellë për sigurimin e kushteve sa më të mira për jetë dhe realizim të të drejtave kombëtare per shqiptarët që jetojnë në këtë shtetë fqinjë.

Gjithashtu u vlerësua lartë kontributi i shqiptarëve që jetojnë në Malin e Zi në të kaluarën, por edhe tani për Kosovën dhe rreth Kosovës. /KohaNet/

KOMENTOJE