A është lëngatë shqiptare sëmundja e përçarjes ?

Bora ka mbërthyer pjesën më të madhe të Kosovës dhe në lagjen time e kudo në qytet janë kthyer skenat e bukura me njerëzit që përshëndeten ngrohtë dhe qëndrojnë gjatë e gjatë kokë me kokë duke biseduar për hallet e problemet e reja e duke iu lutur, prapë bashkë Zotit, për mëshirë e për shpëtim nga të ftohtit. Kështu përshëndeteshin e llafoseshin njerëzit e qytetit e shtetit tonë edhe në vitet e vrara të Kosovës. E kisha kuptuar nga paslufta se gjithë këto pamje e sjellje njerëzish ishin produkt i frikës nga kobi e tmerri. Shqiptarët i bën tok e kokë me kokë vetëm tmerri e kohët e liga. Kur kalon rreziku ata ishin bërë e po bëhen pikë e pesë.
Si duket nga kohët e lashta kemi trashëguar sëmundjen e përçarjes, që është kthyer në lëngatë dhe shërohemi vetëm për pak kohë dhe prapë bëhemi edhe më të sëmurë. Liderë dhe njerëz të thjeshtë trimërohen e krenohen në ndeja e para grave të tyre për sulmet më bërryla e për kontributin e dhënë për të ndarë e përçarë njerëz e subjekte. A mund të gjejë njeriu në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malësi e në Kosovën Lindore dy subjekte e dy liderë që kuvendojnë si vëlla me vëlla e që punojnë bashkë për kombin e truallin ?. Jo nuk i gjen. Ata edhe kur bashkëpunojnë këtë e bëjnë, jo nga dashuria vëllazërore e në shërbim të çështjeve madhore, po për të fituar numra e pushtet. E bëjnë për të fituar vota e kolltukë. E nëse kolltuku e interesi personal e grupor nuk i afron, atëherë bëhen pikë e pesë dhe marrin shigjetat plot helm dhe i drejtojnë në zemër njëri-tjetrit. Shahen, fyhen, etiketohen, pështyhen në pikë të ditës. Sëmundje e përçarjes është kjo që ka vrarë e po vret kombin tonë. Një pjesë e madhe e intelektualëve shqiptarë kudo janë dhe një numër i madh liderësh të partive po të bëheshin bashkë e po të mblidhnin fakte e argumente për gjithë tmerret e padrejtësitë që i janë bërë në shekuj e dekada popullit tonë, kudo është në trojet e tij stërgjyshore, atëherë Evropa do të vepronte e logjikonte ndryshe dhe se e vërteta për vuajtjet e popullit tonë dhe për krimet e okupatorëve do të ishin të hapura në tavolinat e qendrave të vendosjes e nuk do të ishte situata kjo që është kudo në trojet etnike të vëllezërve tonë në Malësinë e Madhe, Maqedoni, Kosovë Lindore e trojet tjera shqiptare. Intelektualët shqiptarë bashkë me pjesën e madhe të liderëve e subjekteve politike kohën e kishin harxhuar dhe e bjerrin duke shpikur e “gjetur” çka është një e zezë për njëri-tjetrin. Në të dy shtetet tona dhe në trojet etnike faqet e mediave dhe lajmet e para të TV janë për përplasjet e liderëve dhe me sharjet e ofendimet e tyre kundër njëri-tjetrit e për tmerret, vrasjet, mizoritë, dhunën e gjithë shëmtitë tjera që kanë bërë pushtuesit flitet pak e si me droje, vetëm në datat e caktuara dhe asgjë më shumë. Sëmundjes së keqe për përçarje të shumë liderëve e subjekteve politike i ndihmojnë edhe disa analistë e komentatorë, që merren me “analiza” dhe e thonë “të vërtetën” ashtu si i konvenon atyre e në shërbim të avancimeve e ndonjë dhurate , ashtu “nën plaf”. Lëngata e gjatë nga sëmundja e përçarjes ka bërë që të mos mbetet as edhe një subjekt politikë a organizim tjetër pa u ndarë e përçarë diku shumë e shumë e diku , bile pak , po. Kudo arriti ky mikrob nuk la pa leshur rrënjë e rezultatet po vërehen . Shqiptarët këtu e kudo janë bërë pikë e pesë dhe jo për hir të çështjeve të mëdha, por për t’u bërë kryetarë e liderë. Nuk qajnë kokën pse shkatërrojnë unitetin. Për ta , edhe nëse pas i kanë vetëm pesë e gjashtë njerëz, kryesorja është t’i quajnë “kryetar”. Ata kënaqen duke u krekosur në ndeja të vogla e të gratë e tyre se ja kanë arritur të prishin , qajnë e përçajnë. “Ju qoftë e fundit”- mallkon populli, e besimtarët do të thoshin AMIN.

Rrahman Jasharaj ,
Koordinator dhe zëdhënës i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”

KOMENTOJE