Me votat e deputetëve shqiptarë, zgjidhet drejtori i UDB-së

Me votat pro të deputetëve shqiptarë, në seancën e djeshme të Parlamentit të Malit të Zi u zgjodh drejtori i Agjencionit të Sigurimit Kombëtarë Boro Vucinic.

Partia Demokratike e Socialisteve (Milo Djukanovic) me ndihmën e partive të pakicave, Iniciativës Kroate, Partisë Boshnjake dhe 3 deputetëve të klubit shqiptar arritën të emërojnë drejtorin e UDB-së Vucinic. Kundër ishin partitë opozitare, kurse as partia Social Demokratike e cila është partnere qeveritare e DPS-it nuk e përkrahi emërimin tij por ishin të përmbajtur.

Përkrahja nga ana e deputeteve shqiptarë, Bardhi, Sinishtaj dhe Nimanbegu ka zgjuar polemika të mëdha në qarqet politike sidomos të opozitës.
Lëvizja për Ndryshime (PZP) kërkon hapur nga deputetet shqiptarë Bardhi, Sinishtaj dhe Nimanbegu që të arsyetojnë votën e tyre në seancën e djeshme. Kjo parti kërkon të di se për çfarë lloj të premtimeve politike bëhet fjalë – a bëhet fjalë për koncesione territoriale, amendamentet kushtetuese, rregullime legjislative apo interesa të ngushta partiake, raporton MINA.

Gjithashtu kjo parti thotë se këto janë premtime të rrejshme të DPS-it dhe se deputetët shqiptarë do të mashtrohen sërish, si shumë herë deri tani.
Në fund të reagimit të kësaj partie përmendet fakti se drejtori i sapozgjedhur Vucinic, menjëherë pas marrjes së ministrisë së mbrojtjes, si bashkëpunëtorë të tij më të ngushtë ka zgjedhur njeriun i cili, siç thuhet, ka ideuar, planifikuar dhe kryer aksionin “Fluturimi i Shqiponjës”. /Malesia.Org – Ulqini Online/

KOMENTOJE