ME RASTIN E VDEKJES TE TOMË BERISHES – fjalimi i Gjergj Ivezaj

E nderuara familje Berishaj, të nderuar zyrtar dhe personalitete të respektuara politike dhe shtetërore të dy shteteve tona të dashura, Shqipëri dhe Kosovë, të nderuar të gjithë ju të pranishëm.

Më lejoni që në emër të shoqatës atdhetare “Malësia e Madhe” që vepron në Michigan të Shteteve të Bashkuare të Amerikës si dhe besoj edhe të Diasporës malësore atje, nga zemra tu shprehi ngushëllimet më të sinqerta duke u thëne, Zoti ju dhashtë forcë për vdekjen e një biri të madh dhe të shtrenjte të kësaj Malësie, patriotin, akademikun, gjeneralin, si dhe strategun e mirënjohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë i respektuari dhe sot i ndjeri Tomë Beriasha.

Meqenëse për jetën dhe veprën e madhe të ndjerit Tomë flasin të tjerët , atëherë unë shkurtimisht do t’i ceki vetëm dy përjetime të mija dhe të shumë tjerëve që kanë të bëjnë me të ndjerin Tomë, që ne si bashkvendas të Tij jemi mburrë, dhe ndije shumë krenar si malësor dhe si shqiptar.

Përjetimi i parë ka të bëjë kur Tomë Berisha nga Zagrebi vinte në Prishtinë për të mbajte ligjërata studenteve shqiptar në mungesën e kuadrove shqiptare të asaj kohe.

Mire u kujtohet të gjithë studenteve malësor, qe nuk ishin pak në atë kohë, respekti maksimal që shqiptarët dhe studentët e Kosovës e kishin për Baca Tomë, siç e quheshin ata.

Kurse ne malësoret e ndjefshim veten shumë krenar që Tomë Berisha ishte malësor. Sjelljet e tija njerëzore dhe burrërore, paraqitja dhe qëndrimi i tij intelektual dhe profesional, dukja e tij me një pashi të rrallë, i ndrinte mbrëmjet e rrugëve të Prishtinës në gjirot e njohura të asaj kohe.

Kurse përjetimi i dytë ka të bëjë me ardhjet e shumta të Tomës në SHBA ku pjesa e madhe e malësoreve jetojnë atje. Ardhja e Tomës në mesin tonë në Diasporë gjithherë ka qenë e dobishme dhe frytëdhënse për çështjen tonë kombëtare e sidomos për Kosovë.

Tomë Berisha ndikoj shume në organizimin e Diasporës për përkrahjen dhe ndihmën qe iu bë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër okupatorit fashist në krye me Millosheviqin, për çlirim, liri, dhe pavarësi të Kosovës.

Fjala e Tomës me kërkesë për t’u ndihmua Kosova peshoj rënde tek malësorët dhe më gjerë. Ndikim të madh ai pati edhe në formimin e Fondit Vendlindja Thërret në Detroit që kryesisht përbëhej prej malësorëve. Fond ky që kontribuoj me afro një milion e gjysmë dollar dhe mjete tjera të nevojshme dhe të domosdoshme për luftë, si dhe në pjesëmarrjen aktive të disa malësorëve me pushkë në dorë për çlirimin e Kosovës.

Në një nder tubimet që u bë në Detroit, kur Toma me disa të tjerë vinte për te shpjeguar situatën e rendë të Kosovës në atë kohë, ai në fillim na u drejtua me këto fjalë: Vëllezër dhe motra shqiptar, kombit tonë i ka lindë një djalë. Është i vogël, por i shendosh. Kjo foshnje për t’u rritur ka nevojën tonë, prandaj të gjithë duhet ta ndihmojmë. Këtë djalë populli e ka pagëzua me emër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Të nderuar të pranishëm, patrioti, akademiku dhe Gjenerali Tomë Berisha ka bë shumë për çështjen tonë kombëtare, e në veçanti për edukimin e studenteve shqiptar, si dhe për çlirimin e Kosovës. Prandaj të gjithë ne, sot në ditën e fundit të Tij e kemi borxh t’i përulemi para arkivolit me kufomë të tij dhe me gjithë shpirt t’i falënderohemi për kontributin e madh që ka dhënë për popullin tonë.

Tomë Berisha me punën e vet të pamohueshme për çështjen tonë kombëtare ka siguruar paharrueshmerin e tij në historinë tonë shqiptare. Lavdi i qofte, pushoftë në paqe dhe i lehtë i qoftë dheu i Malësisë.

Edhe një herë, familjes e të ndjerit Tomë, Juve të pranishëm, Malësisë mbare si dhe të gjithë bashkëkombësve dhe miqve të shumtë të Tij, ngushëllime dhe Zoti u dhashtë forcë.

Tuz, 4-Mars 2012
Gjergj Ivezaj
Kryetari Shoqatës Atdhetare “Malësia e Madhe”