Të mbrojmë tokat stërgjyshore
Forumi Demokratik për Integrim më datën 4 gusht 2012, organizon protestën kundër diskriminimit më ç’njerëzor që Partia në pushtet së bashku me satelitët e saj po u bën shqiptarëve duke tentuar që përmes plaçkitjes së pronës (tokës) t’i largojë njëherë e përgjithmonë nga trojet e tyre etnike autoktone. Këtë sulm ndaj tokave tona e përjetojmë jo vetëm si plaçkitje të tokës por, edhe si sulm armiqësor, që ka për qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve nga tokat e tyre stërgjyshore.
Siç e dini të nderuar qytetarë planet e këtij pushteti janë që një nga një të na i marrin tokat që nga Dheu i Zi e deri në breg të Liqenit, po kështu edhe tokat e Plavës e Gucisë, Rozhajës, Tivarit dhe Ulqinit. Është e drejtë dhe obligim i shenjtë dhe njerëzor që çdo qytetar të ngritet dhe t’i mbrojë tokat e veta, sepse toka nënkupton jetën.
Për këtë arsye duhet që të gjithë së bashku të dalim në protesta, fillimisht në Vuksanlekaj për të vazhduar edhe në tokat e tjera të rrezikuara nga ky pushtet anti – shqiptar. T’u japim me dije njëherë e përgjithmonë të gjitha politikave anti – shqiptare se tokat tona do ti mbrojmë deri në fund të jetës.
E perjetshme qoftë Malësia – të përjetshëm qofshin të gjithë shqiptarët që jetojnë në tokat e tyre etnike në Mal të Zi.
FDI