+355 shokon Serbinë

Rezoluta për ndryshimin e prefiksit ndërkombëtar të Kosovës me atë të Shqipërisë (+355) është shkelje e rendë e marrëveshjes ndërkombëtare, ka thënë Rasim Ljajiq, ministër i tregtisë së jashtme dhe brendshme dhe telekomunikacionit të Serbisë.

Ai i ka thënë agjencisë Beta se sot i ka dërguar notë proteste sekretarit të përgjithshëm të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), Amadu Tureas. “Në notën e protestës kam theksuar se Rezoluta e përmendur paraqet shkelje të rëndë të marrëveshjeve dhe standardeve ndërkombëtare, veçanërisht Rezolutave relevante te ITU-s”, tha Ljajiq, i cili njëherit është edhe zëvendëskryeministër i Serbisë.

Ai ka theksuar se ka kërkuar nga ITU që ta parandaloj implementimin e kësaj Rezolute, pasi që sipas tij, nëse ajo implementohet në praktikë, kjo do të thoshte që në të ardhmen komunikimi ndërkombëtar në drejtim të Kosovës do të shkonte përmes Shqipërisë.

“Ky akt i njëanshëm, tregon që autoritetet në Prishtinë nuk kanë gatishmëri që marrëdhëniet komplekse ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës t’i zgjidh përmes bisedimeve dhe dialogut”, theksoi boshnjaku Ljajiq, raportojnë mediat. /Telegrafi/