Tiranë, 18 shtator: Parlamenti i Austrisë pritet të miratojë brenda muajit tetor aktet ligjore që do t’i hapin rrugë rikthimit në Shqipëri, për t’u ekspozuar gjatë festës së 100-vjetorit të pavarësisë, armëve të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.
Vullneti politik është konfirmuar nga kryetarja e Parlamentit të Austrisë pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Prammer i bëri me dije kryeministrit Berisha se në Austri po finalizohen procedurat për ardhjen e armëve Skënderbeut, në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë. Kryeministri Berisha i shprehu zonjës Prammer mirënjohjen më të thellë, duke theksuar se “për shqiptarët Skënderbeu është dhe mbetet figura më e lartë dhe e respektuar e kombit, vepra dhe kujtimi i të cilit mbajti gjallë shpirtin kombëtar duke u dhënë një shtysë të madhe patriotike të gjitha përpjekjeve të shqiptarëve në shekuj, për pavarësi, liri dhe dinjitet kombëtar. Personi që i grumbulloi të gjitha armët e heroit kombëtar Skënderbeu pas vdekjes ishte djali i Perandorit, Arqiduka Ferdinand i Tirolit. Më vonë, ky princ ngriti Muzeun e Ambrasit pranë Tirolit, me materiale ushtarake dhe portrete të personaliteteve të kohës. Në 1806, armët u transferuan në Muzeun Perandorak në Vjenë. Shqipëria ka bërë disa herë përpjekje që të kthejë armët në vend, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Shënimet për shekullin e parë të shtetësisë kanë bindur austriakët që të lejojnë ekspozimin e tyre në Shqipëri. Ndryshe, ka pasur zëra që dyshojnë në origjinalitetin e këtyre armëve. /KohaNet/