Mbështetje Abetares mbarëkombëtare shqiptare edhe për nxënësit shqiptarë në Mal të Zi

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, zoti Myqerem Tafaj, priti në një takim kortezie Ministrin për të Drejtat e Pakicave të Malit të Zi, Z. Hamdi Hasani, dhe Ambasadorin  e Malit të Zi në Shqipëri, Z. Ferhat Dinosha. Ministri Tafaj, fillimisht uroi Z. Hasani për detyrën e tij të re si Ministër për të Drejtat e Pakicave. Ministri Tafaj, informoi delegacionin mbi bashkëpunimin dhe i siguroi për mbështetjen që Ministria e Arsimit dhe Shkencës  të Republikës së Shqipërisë ndaj shqiptarëve të Malit të Zi në fushën e arsimit .
Kështu është shtuar numri i kuotave të pranimit në programet e studimit në arsimin e lartë për studentët shqiptar të Malit të Zi në të tre  ciklet e studimit (Bachelor, Master dhe Doktoraturë).
Gjithashtu, Ministri Tafaj, ftoi Z. Hasani për një intensifikim të bashkëpunimit sidomos në fushën e arsimit parauniversitar me Malin e Zi. Më konkretisht u propozua përkrahja e nismës për abetaren mbarëkombëtare shqiptare dhe trajnimin e mësuesve me kombësi shqiptare në Malin e Zi.
Nga ana e tij, Ministri Hasani, falenderoi Ministrin Tafaj për pritjen. Ministri Hasani vlerësoi mbështetjen që Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë i jep vazhdimisht studentëve dhe nxënësve shqiptar të Malit të Zi.  Ai shprehu mirënjohjen e tij për rritjen e kuotave për studentët shqiptarë nga Mali i Zi për vitin e ri akademik 2012-2013. /MASH/ /Malesia.Org/