1912 Pavarësia! – nga Blendi Fevziu (pjesa 1)


Takimi me tre diplomatët që do flisnin me Ismail Qemalin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. 
Njeriu që 10 ditë më pas do të shpallte krijimin e Shtetit Shqiptar, ka qenë i rezervuar në kujtimet e tij për këtë takim. Ai kujton vetëm se ishte në Vjenë. Pas takimit në Bukuresht dhe pas vendimit të atjeshëm për pavarësi të Shqipërisë, plaku me mjaft eksperiencë politike e dinte se nuk do të arrinte në Durrës pa marrë më parë një bekim “austro-hungarez”. Në orën 14:00 të datës 19 nëntor të 1912-ës, i shoqëruar nga 14 vetë, midis të cilëve: i biri i tij, Qazim Vlora, Luigj Gurakuqi, Pandeli Cale, Dhimitër Berati, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Spiridon Ilo etj, Ismail Qemali u nis nga Trieste për në Durrës

Katër burra qëndronin ulur përballë njëri-tjetrit, në kolltukët e bibliotekës së njërit prej pallateve më të rëndësishme të Budapestit, rezidencës së Kontit Andrassy! Të gjithë në moshë, me vështrime të ftohta dhe dukshëm mosbesues, diskutonin prej dy orësh një vendim që pritej ta ndryshonte rrënjësisht Ballkanin e ndezur në luftë. Tre prej tyre qenë diplomatë të njohur. I pari  i zoti i shtëpisë, djali i njërit prej kryeministrave më të famshëm të Austro – Hungarisë; i dyti, Konti Hadik, nënsekretar shteti për politikën e jashtme; i treti, njeriu më i rëndësishëm i diplomacisë, Ministri i Jashtëm, Konti Berthold!

Përballë tyre qe ulur një burrë i moshuar. Ish-këshilltar shteti i Perandorisë Osmane, politikan i njohur në Stamboll, por edhe në Europë, Ismail Qemal Beu.

Në cep, anash tij, një djalë i ri, seminarist, me jakën e bardhë, e vetmja që dallohej në redigotën e zezë të priftit dhe që përkthente me zë të ulët dhe me kujdes. Quhej Pater David Pepa, dhe studionte në një shkollë katolike në Vjenë. Në mëngjes, ishte betuar që s’do ta rrëfente kurrë bisedën që do të dëgjonte atë mbrëmje në Budapest. Djali e ruajti sekretin e madh deri ditën që ndërroi jetë, në një qeli burgu komunist, në Shqipëri. Natën përpara se shpirti i tij të ngjitej në parajsë, ai dëshmoi thelbin e asaj bisede që deri më sot  nuk di ta riprodhojë askush.

Tre diplomatët po flisnin me Ismail Qemalin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Njeriu që 10 ditë më pas do të shpallte krijimin e Shtetit Shqiptar, ka qenë i rezervuar në kujtimet e tij për këtë takim. Ai kujton vetëm se ishte në Vjenë, kur mori një telegram nga miku i tij i vjetër, Konti Andrassy, që e ftonte në Budapest sepse “një mik” donte të takohej me të. Ismail Qemali kishte udhëtuar me tren, pa e ditur se cili do të ishte bashkëbiseduesi i tij. Por ai e dinte temën e bisedës së pritshme atë natë. Pas takimit në Bukuresht dhe pas vendimit të atjeshëm për pavarësi të Shqipërisë, plaku me mjaft eksperiencë politike e dinte se nuk do të arrinte në Durrës pa marrë më parë një bekim “austro-hungarez”. Kish devijuar udhëtimin për këtë shkak në Vjenë dhe në mungesën e një përgjigje zyrtare për takim, befas, kish marrë telegramin e pritur.

Ismail Qemali qe befasuar atë mbrëmje, kur në bibliotekën e familjes Andrassy, kish gjetur jo vetëm Kontin Hadik, diplomatin e ngarkuar me Ballkanin, njeriun që do të bëhej për 17 orë kryeministri i fundit i Perandorisë Austro-Hungareze, por edhe vetë Kontin Berthold, Ministrin e Jashtëm të saj. Takimi ishte i fshehtë; biseda konfidenciale dhe Ismail Qemali po dëgjonte se Berthold-i qe këshilluar edhe me Gjermanët dhe me Italianët për atë që pritej të ndodhte ato ditë, pavarësinë e vendit ku ai kish lindur. Por “pavarësi”, jo “autonomi”, kish këmbëngulur diplomati ndoshta më i rëndësishëm i kontinentit. Ismail Qemali e dinte që ai nuk besonte tek aksioni i shqiptarëve, por e kish ndërmarrë një provë.

Po nëse nuk kam një shtizë ku ta var flamurin e pavarësisë së vendit tim, e pyeti plaku me qetësi!

Atëherë merr një bajonetë austro – hungareze dhe vendose aty! – i qe përgjigjur Konti Berthold, me po atë zë të ngadalshëm, duke pritur që Patër David Pepa ta përkthente deri në fund.

Patër David Pepa, që zëvendësonte atë ditë Patër Anton Harapin e rrëfeu këtë frazë vetëm në fund të jetës. At Zef Pllumi e shkroi në kujtimet e tij, pas 1990-ës, duke shkelur një betim të vjetër, por duke i bërë një shërbim të madh historisë. Ai e publikoi atë në një moment kur ata katër burra s’jetonin prej dekadash, por ajo që ata po i jepnin formë atë natë, Shqipëria, ekzistonte thuajse prej 90-të vitesh si shtet!

+++

Ishte data 18 nëntor të vitit 1912. Ismail Qemali nuk qëndroi gjatë atë natë. Hyri në zyrën e parë postare për të nisur këtë telegram që u botua nga Lef Nosi vite më pas:

Me vaporrin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës asht sigurue. Ju porosis qi tyke i u mbështetun fatit të atdheut të punoni bashkë e si vllezën, të merreni me rregullimin e punëvet të përgjithshme edhe të ruani qetësiën. I epni rrethevet lajmen e gzushme. Ju falem të gjithëve atënisht.

Ismail Qemali.

Nuk dihet se përse telegrami është shkruar në gegërisht, por ky është një prej kopjeve kryesore që ekziston. Më vonë është publikuar edhe një i dytë me këtë tekst:

Përpara së premtes arrij në Durrës. E mbledhura e përfaqësuesve në Durrës ose në Vlorë është e domosdoshme. I thirrni të gjithë. Gjersa të vij unë mbani qetësi e bashkim. Çështja jonë politike u sigurua përfundimisht.

Ismail Qemali.

Pavarësisht dy telegrameve, ajo që dihet publikisht dhe që Ismail Qemali e ka pranuar edhe vetë, është se pas takimit me Kontin Berthold ai qe i bindur për pavarësinë. Në fakt, ai kish ndërruar mendim pak më herët, ndoshta dy javë më parë në Bukuresht. I nisur nga Stambolli me idenë e shpalljes së autonomisë dhe krijimin e një shteti Shqiptar që do të supervizohej nga Stambolli, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi kishin gjetur një tjetër atmosferë më 3 nëntor të 1912-ës kur mbërritën në Bukuresht.

Në fakt, Historia e Pavarësisë së Shqipërisë, nëse i referohesh kujtimeve të disa prej protagonistëve të saj, nis më herët. Në një përmbledhje rrëfimesh të jetës së tij, të botuara në vitin 1921, Hasan Prishtina, zbulon një takim të zhvilluar në Stamboll në fillim të vitit 1912. Pas një seance të tensionuar në parlamentin Osman, ku Veziri i Madh Haki Pasha u kryqëzua për sjelljen e ekspeditës së Turgut Pashës në Shqipëri, Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina u takuan në shtëpinë e këtij të fundit. Të dy deputetë të Parlamentit Osman, ata arritën në përfundimin se Perandoria nuk do ta pranonte autonominë e Shqipërisë dhe se kjo do të ishte fatale për vendin. Burrat vendosën të veprojnë. Të nesërmen, thirrën në një takim, në Hotel “Pera Palace” të Kryeqytetit, 5 deputetë shqiptarë të Parlamentit Osman: Myfit bej Libohovën, Esad pashë Toptanit, Aziz pashë Vrionin dhe Syrja bej Vlorën. Takimi ishte më entuziast sesa pritej, siç dëshmon Prishtina:

Kur në takim kuptuem se këta zotninj mendojshin si na të dy, vendosëm me ba një mbledhje në shtëpi të Syrja Begut në Taksim. Mbledhja u mbaj nën kryesim të Ismail bej Qemalit dhe ne e quajtëm Komploti i Taksimit.

Më 12 janar të 1912-ës gjashtë deputetë shqiptarë të Parlamentit Osman hynë njëri pas tjetrit në shtëpinë e Syrja bej Vlorës në Taksim. Hasan Prishtina rrëfen se të gjithë u betuam që askush të mos rrëfente asgjë për atë mbledhje dhe as për vendimet që do të merreshin aty. Mbledhja, ose “komploti i Taksimit” siç njihet në histori, nuk zgjati shumë. Të gjithë ishin në një mendje dhe vendosën:

Për me i dhanë fund politikës tyrke në çashtje të kulturës kombëtare e për me sigurue disa privilegje politike për Shqypni nuk ka tjetër mjet përveçse me fitue me një kryengritje të përgjithshme.

5 deputetë u shpërndanë në krahina të ndryshme të Shqipërisë, ndërsa Ismail Qemali u ngarkua të siguronte mbështetjen ndërkombëtare në Europë. Kryengritjet filluan realisht, sidomos në Kosovë. Trupat e drejtuara nga Riza bej Kryeziu, Isa Boletini dhe Bajram Curri, nën frymëzimin e Hasan Prishtinës, morën Shkupin e më pas Manastirin në maj të 1912-ës, por pa arritur të gjejnë një gjuhë të përbashkët, sepse një pjesë e liderëve nuk ishin dakord për ndarjen nga Perandoria. Stambolli e shfrytëzoi këtë situatë dhe arriti ta ulë zemërimin e shqiptarëve, por siç raporton gazeta amerikane “The New York Times”, e datës 17 korrik të 1912-ës, Kabineti Osman i quajti të papranueshme propozimet e Ministrit të Luftës, Mahmud Muktar Pashës, për më shumë autonomi të shqiptarëve. Si pasojë e kësaj, Qeveria ra.

Pak muaj më pas, në tetor të 1912-ës, Serbët, Malazezët, Bullgarët, Grekët dhe Rumunët, të lidhur në një aleancë të përbashkët, i shpallën luftë në të njëjtën kohë Perandorisë Osmane. Fitorja e shpejtë e aleatëve ballkanikë, ishte një kërcënim për trojet e banuara nga shqiptarët. Në këtë moment, patriotët shqiptarë kishin vendosur shpalljen e Pavarësisë. Ismail Qemali gjendej në Stamboll. I bindur për krijimin e një shteti shqiptar, ai kish refuzuar edhe një ofertë të Vezirit të madh, Qamil Pasha, për të marrë një vend në kabinetin e ri Osman, që po përballej me një nga momentet më të vështira të Perandorisë, Luftën Ballkanike:

Në rrethana të tjera do ta kisha pranuar postin me kënaqësi dhe nder, por një detyrë më e lartë më detyronte të mos e pranoja. Vendi im nuk ishte aty dhe unë duhet t’i ofroja shërbimet e mia krejtësisht atdheut tim!

Nuk dihet nëse Ismail Qemali ishte në dijeni të demarsheve austro – hungareze, që kërkonin krijimin e një shteti shqiptar sa më shpejt. Ministri i saj i Punëve të Jashtme, Leopold Berchthold, i kishte kërkuar Gjermanisë me anë të një shkrese, më 30 tetor të 1912-ës,

Të solidarizohej për  “interesin jetësor” të monarkisë në zhvillimin e lirë të Shqipërisë në mënyrë që në brigjet lindore të Adriatikut të mos instalohej asnjë fuqi e madhe e huaj.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Alfred von Kiderlen-Wächter, ia paraqiti këtë më 3 nëntor të 1912-ës Kajzerit Wilhelmi II me shënimin:

Duhet të krijohet një Shqipëri e aftë për të jetuar.

Perandori gjerman shkroi mbi dokumentin:

 Një shtet hajdutësh nuk mund të bëhet kurrë i aftë për të jetuar.

Por Austro – Hungaria ishte e vendosur të shkonte deri në fund. Atmosfera e vakët e Stambollit qe bërë alarmante sapo Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe shoqërues të tjerë, kishin dalë nga kufijtë e Perandorisë. Në kujtimet e tij, Ismail Qemali e shpjegon kështu vendimin për ta zëvendësuar idenë e autonomisë me atë të pavarësisë:

Kur dëgjova që njësitë bullgare kishin pushtuar Kirkarelin, ndërsa Serbët kishin hyrë në Shkup, kuptova që kishte ardhur koha për ne që të vepronim me forcë për shpëtimin tonë…

Më 5 nëntor të 1912-ës, në Hotelin “Kontinental” të Bukureshtit, shtypi rumun vuri re praninë e madhe të komunitetit shqiptar. Disa prej tyre personalitete të njohura të jetës aty. Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi kishin mbërritur me tren 2 ditë më parë, me shpresën për të gjetur mbështetjen e komunitetit të Rumanisë për autonominë e Shqipërisë. Ata u befasuan nga entuziazmi i emigrantëve dhe nga bindja se pavarësia e Shqipërisë ishte e vendosur. Mbledhja ngarkoi Ismail Qemalin dhe delegacionin e tij të kontaktonte përfaqësuesit diplomatikë të Fuqive të Mëdha dhe të merrte aprovimin për krijimin e shtetit shqiptar!

Si për ta bërë gjithçka më bindëse, më 7 nëntor, në momentin e largimit në stacionin e trenit, Kristo Meksi i la në dorë delegacionit një çek prej 500 mijë frangash ari, dhuratë e kryeministrit rumun, Taqe Junesku. Nuk dihet nëse kjo ishte një ndihmë e Mbretërisë Rumune apo personale e politikanit më të rëndësishëm në vend, që mburrej për origjinën e tij nga Voskopoja, por kjo ka pak rëndësi. Ato 500 mijë franga, qenë buxheti i parë i Shtetit Shqiptar që do të formohej 3 javë më pas në Vlorë.

Ismail Qemali nuk duhej të humbiste kohë. Javën e parë të nëntorit osmanët qenë thyer në të gjitha frontet. Ushtria serbe po zbriste drejt Shqipërisë së Mesme; malazezët kishin rrethuar Shkodrën dhe grekët Janinën. Që ushtria serbe të mos mbërrinte në Durrës përpara pavarësisë (një prej shqetësimeve kryesore të Vjenës), ai i kërkoi Ministrit austro – hungarez që t’i vinte në dispozicion një anije për ta çuar nga Triestja në Durrës. Konti Berchtold vuri në dispozicion të Ismail Qemalit anijen “Brünn” të Lloyd-it austriak.

Ismail Qemali dhe shpura e tij prej 14 vetash, përfshi 3 djemtë e tij, mbërriti në Trieste mëngjesin e 19 nëntorit të 1912-ës me trenin e linjës Vjenë – Budapest – Lubjanë-Trieste. Delegacioni u vendos në “Excelsior Palace-Hotel”, në shoqërinë e autoriteteve lokale austro – hungareze. Po aty, ai dha edhe intervistën e parë për gazetën “Il Piccolo”:

Dje në mëngjes mbërriti në qytetin tonë, me trenin direkt nga Vjena, kryetari i partisë së pavarur shqiptare Ismail Qemal bej-Vlora. Udhëtonin bashkë më të edhe 14 bujarë shqiptarë. Ai u prit në stacion nga kreu i ri shqiptar, Mark Kakariqi, i njohur për studimet e tij mbi çështjen shqiptare dhe nga bujarët e kolonisë. Ismail Qemal Beu qëndroi në Excelsior Palace Hotel për disa orë dhe u nis në orën 2 pasdite me vaporin “Brunn” për në Shqipëri.

Pyetjes së gazetarit se çfarë pritej të ndodhte në Shqipëri, Ismail Qemali i qe përgjigjur me një frazë të vetme:

Një gjë fare e thjeshtë, por që ne e dëshirojmë me gjithë shpirt: Shpallja e Pavarësisë së Atdheut tonë.

Më tej ai shtoi:

Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t’i paraqesim Europës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje.

Në orën 14:00 të datës 19 nëntor të 1912-ës, i shoqëruar nga 14 vetë, midis të cilëve: i biri i tij, Qazim Vlora, Luigj Gurakuqi, Pandeli Cale, Dhimitër Berati, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Spiridon Ilo etj, Ismail Qemali u nis nga Trieste për në Durrës. /mapo/

Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë
Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë