Kosovë – Dënohen për Flamur

Dy komuna të Kosovës i kanë detyruar të gjitha lokalet afariste që t’i vënë flamujt kombëtarë nëpër vende të dukshme, pavarësisht se 28 Nëntori nuk është festë zyrtare në vend. Në rast se vendimi nuk respektohet, Inspektorati i Komunës së Vushtrrisë ka vendosur t’i dënojë pronarët e lokaleve me para, pa e saktësuar shumën. E, në Pejë lokalet janë kushtëzuar që të ekspozojnë vetëm flamuj të rinj.

Nuk është festë zyrtare që festohet në Kosovë. E si e tillë nuk figuron as në kalendarin e festave zyrtare të përpiluar nga Qeveria e Kosovës. Por kjo nuk është se u bën përshtypje komunave të Kosovës. Pavarësisht se para pesë vitesh Qeveria pati hequr 28 Nëntorin nga kjo listë, janë komunat ato që në njëfarë forme po e kthejnë atë, tash kur Shqipëria po e feston 10- vjetorin e të qenit shtet.

Kështu Komuna e Vushtrrisë, ajo e Pejës, e Ferizajt, e Prishtinës dhe shumë komuna të tjera kanë nisur shumë përgatitje për këtë ditë. Pos rregullimit të qytetit, ato kanë marrë edhe një vendim.

Komuna e Vushtrrisë ka urdhëruar secilin lokal afarist dhe secilën shtëpi që ta dekorojnë ndonjë pjesë të objektit me flamurin kombëtar. Atë kuqezi me shqiponjën dykrenore në mes. E urdhri i kësaj komune doli të jetë më rigoroz sesa duket. Ata që nuk e respektojnë urdhrin e lëshuar nga inspektorët e Komunës së Vushtrrisë, do të dënohen edhe me të holla.

Kjo gjë i ka shkuar në vesh Blerim Mustafës, i cili është pronar i një kafiterie në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Vushtrri. Blerimi, sikurse shumë qytetarë të tjerë të këtij qyteti, kanë dëgjuar nëpërmjet një reklame në radio se Inspektorati i Komunës ka marrë vendim që çdo cep i qytetit dhe çdo dyqan duhet patjetër ta ketë një flamur të vendosur diku. “Unë e respektoj si festë kombëtare, prandaj edhe e kam flamurin e vendosur. Por ku ka qenë edhe urdhër i Komunës”, sqaron Blerimi për Express.

E për t’iu bindur më shumë faktit se flamuri me shqiponjën dykrenore duhet patjetër të jetë i vendosur në lokalin e tij, janë disa fjalë nga banorët përreth që Blerimi i ka dëgjuar. “Më thanë se Komuna do t’i dënojë me të holla të gjithë ata që nuk e përfillin urdhrin”, pohon ai.

Dhe ato çfarë ky qytetar i Vushtrrisë, ka dëgjuar janë plotësisht të vërteta. Sipas Bahri Bivolakut, zëdhënësit të kësaj komune, qytetarët detyrohen që ta vendosin flamurin kombëtar, sipas një vendimi që ka marrë Inspektorati i Komunës së Vushtrrisë. “Inspektorati komunal ka shkuar lokal më lokal dhe i ka detyruar pronarët t’i vënë flamujt”, thotë Bivolaku për Express.

Vendimi, sipas tij, duhet respektuar nga të gjithë, madje edhe nga ata që nuk janë vizituar nga inspektorët. Kjo nëse, sipas tij, lokalet duan t’u shpëtojnë gjobave për mosrespektim të vendimit. “Është caktuar një afat për të gjithë ata që tashmë nuk e kanë vendosur flamurin. Nëse nuk vendosen flamujt deri në ditën e festës, atëherë Inspektorati do të veprojë konform ligjit”, sqaron ai. Dënimi sipas tij, do të pësoëj për shkak të mospërfilljes së urdhrave, pasi 28 Nëntori nuk është festë zyrtare që festohet në Kosovë. Megjithatë, ai nuk ka sqaruar se sa është dënimi me të holla për të gjithë ata që nuk e respektojnë këtë vendim të Komunës.

E, një vendim të tillë e ka marrë edhe Komuna e Pejës, më saktësisht inspektorati i saj.

Sipas një vendimi të nënshkruar nga kryetari i Komunës, Ali Berisha, pos vendosjes së flamurit, qytetarët duhet t’i ndjekin edhe disa rregulla se si duhet të jetë ky flamur.

Përveç që vendosja e tij është e obligueshme për çdo biznes që vepron në këtë komunë, flamuri sipas vendimit duhet patjetër që të vihet në ndonjë vend të dukshëm, qoftë në vitrinë apo në ndonjë shtizë. E kjo nuk është e tëra. Në vendim thuhet se nëse flamuri nuk është i ri, vendosja e tij në vendet ku janë përcaktuar, është rreptësisht i ndaluar.

“Ndalohet vendosja e flamurit nëse është i vjetër apo i dëmtuar. Flamuri duhet të jetë i ri i mirëmbajtur dhe të vendoset në mënyrë të rregullt”, thuhet mes tjerash në vendimin e lëshuar nga Komuna e Pejës. E njëjtë sikurse Komuna e Vushtrrisë edhe ajo e Pejës, përgjegjës për ata që nuk e respektojnë vendimin e ka lënë inspektoratin. Është kjo drejtori, e cila do të merret me ata që nuk e vendosin flamurin e ri dhe në bend ku duket nga syri i njeriut.

E ndryshe nga këto dy komuna, është ajo e Prishtinës. Zyrtarë të saj dhe Inspektorati janë treguar më humanë me qytetarët e saj. Muhamet Gashi, drejtori i Inspektoratit komunal thotë se Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë urdhra të tilla siç kanë bërë Komuna e Vushtrrisë dhe ajo e Pejës.

“Nuk është e drejtë që secili qytetar të detyrohet ta vërë flamurin. Prandaj, ne kemi bërë apel që në kuadër të 100-vjetorit secili qytetar secila shtëpi e secili biznes ta ketë një flamur nëpër shtëpitë e lokalet e tyre”, ka sqaruar Gashi të shtunën për Express. “Por askush nuk dënohet edhe nëse nuk e vendos flamurin”.

Sidoqoftë, të gjithë këto përgatitje të komunave të Kosovës po bëhen në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Kjo pavarësisht se Qeveria e Kosovës në maj të vitit 2008 miratoi projektligjin për 11 festat zyrtare te Republikës së Kosovës, në mesin e të cilave 28 Nëntori nuk figuron fare. Në kalendar nuk është përfshirë 28 Nëntori – Festa e Flamurit, si datë që është festuar në Kosovë në vazhdimësi, e po ashtu nuk është përfshirë as 12 Qershori, dita e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që deri para pesë vitesh festohej si Dita e Çlirimit, me arsyetimin se Kosovës i duhen festat e veta shtetërore. /G. Express/

Kalendari i festave zyrtare

Viti i Ri

Krishtlindjet Ortodokse

Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Pashkët Katolike

Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës

Pashkët Ortodokse

Dita Ndërkombëtare e Punës

Dita e Evropës

Bajrami i Madh, dita e parë

Bajrami i Vogël, dita e parë

Krishtlindjet Katolike