Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi është duke organizuar në trevat shqiptare në Mal të Zi festime për nder të Ditës së Flamurit dhe 100 Vjetorit të Shpalljes se Pavarësisë së shtetit shqiptar.
Mbas manifestimeve te organizuara në Katerkollë dhe Rozhajë, sonte KNSH-ja organizoi manifestimin në Tuz të Malësisë.
Manifestimi filloi në ora 19:00, në sallën e QKI “Malësia” në Tuz, e cila ishte e vogël për të pranuar të gjithë të interesuarit.
Programi u hap me performancen e Ansamblit “Shqiponja” nga Malësia, me piken e tyre artistike “Vallja e Flamurit” të koreografit Agron Pllumaj.
Pastaj programi vazhdoj me këngëtarin e Ansamblit “Mirdita”, Kastriot Kola me këngën “Kudo shkojmë shqipe na thonë”, Mrikë Trumshi me këngën “Plisi ne Luver”, Ndue Picaku “Nënë e bijë”, të gjithë nga Ansambli “Mirdita”.
Më pas këngëtari Toni Ujkaj nga Malësia, si mysafir special i Ansamblit “Shqiponja”, para publikut këndoj këngën “Gëzuar pavarësinë nënë Shqipëri”.
Pastaj kryetari i KNSH-së z. Tahir Tahri i përshëndeti të pranishmit.
Mbas fjalimit mjaft emocionues të Tahirit programi vazhdoj me këngë e valle nga Prena Beleshi dhe Franc Preci me këngën “Jam shqiptar e s’ul flamur”, Arita Gjoni me këngën “Rrjedh me këngë e ligjërime”, Kurt Lika “Lulja e Kurbinit”, Nikollë Dedaj dhe Daniela Koka “Brezat bashkë e këndojnë kangen”.
“Baresha” nën orkestralen e Ansamblit “Shqiponja” ishte pika e radhës, pastaj Prena Beleshi “Dasma ime”, Mrikë Trumshi “Mirësevjen dita e shqiptarit” dhe në fund para publikut performoj Kastriot Kola me këngën “Si vendlindja ime ska”.
Programi u udhëhoq nga Gjergj Marku, drejtor i pallatit të kulturës në Rrëshen të Mirditës.
Nga mysafiret e nderit të pranishëm ishin Nënprefekti i Malësisë Madhe, z. Sytki Ndrecaj, Kryetari i Komunës se Kastratit, z. Viktor Popaj. I ftuar ishte edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Tonin Beci i cili nuk kishte mundësi të jetë i pranishëm për shkaqe familjare. /Malesia.Org/