Tuz, Malësi (24 Nëntor) – Ashtu siç e kishim paralajmëruar, në nderë të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, në malin e Deçiqit u shpalosën flamujt kombëtarë. Deçiqi ishte si asnjëherë më parë i lulëzuar me flamuj të shumtë.
Kulminacioni i ngjarjes ishte shpalosja e flamurit me përmasa 8 x 8 metrash, sigurisht më i madhi i shpalosur ndonjëherë në Deçiqin legjendar.
Bashkimi dhe nisja, ashtu si kishim paralajmëruar u bë në Tuz, ku mbas një orë qëndrimi në parkingun pran Komunës urbane të Tuzit, të gjithë së bashku në kolonë me flamuj në duar u nisëm për në Passhkallë, nga ku vazhduam në këmbë deri në majën e Deçiqit.
Me mbërritjen, e rreth 100 pjesëmarrësve, adoleshent e të moshuar, përfaqësues të shoqatave kulturo-artistike, intelektual, aktivistë nga mërgata e përfaqësues të spektrit politik, të gjithë valëvitën flamujt kombëtarë.
Kulmi i krejt ngjarjes ishte shpalosja e flamurit me përmasa 8 x 8 metra, i cili dallohej nga e krejt fusha e Malësisë por edhe më gjerë.
Mbas disa orë qëndrimi, të gjithë u kthyem në Tuz në mënyrë të organizuar në kolonë duke defiluar nëpër qendër të Tuzit.
Ishte Kadri Beqiri Hakaj i cili për nderë të kësaj ngjarje ftoi të gjithë pjesëmarrësit që në kthim nga Deçiqi të jenë mysafir të tij në restorantin Troja, ku u shtrua një sofër e pasur për të gjithë pjesëmarrësit, për çka e falënderojmë.
Vasel Ulaj, aktivist nga mërgimi, në emër të pjesëmarrësve dorëzoj një flamur Muzeut te vetëm ne Malësi – Muzeut Etnografik me qëllim që kjo ngjarje të mbetet e shënuar. Pronari i Muzeut, Shtjefën Ivezaj e pranoj me kënaqësi dhe premtoj se në atë flamur do të shënohen emrat e të gjithë pjesëmarrësve.
I gjithë aktiviteti u përcjell nga kamera e TV Boin, të cilët qëndruan bashkë me pjesëmarrësit gjate gjithë kohës, për çfarë i falënderojmë. Po ashtu një falënderim për udhëheqësin e Ansamblit Shqiponja, Anton Pllumaj i cili na siguroj flamurin e madh. /Malesia.Org/