Në Tuz u promovua libri “Flamuri në Deçiq 1911” i Palok Traboinit (foto)

Kthimi i birit të harruar

Të enjten, më 22 nëntor, në QKI “Malësia” në Tuz, në organizimin e SHKA “Dedë Gjo Luli” nga Traboini, u bë promovimi i librit “Flamuri në Deçiq 1911” të Palok Traboinit (Gojçaj), atdhetarit dhe shkrimtarit, mësuesit të parë të Hotit dhe sekretarit të Ded Gjo Lulit, pjesëmarrës i Kryengritjes së Malësisë së Madhe 1911. Libri ka dalë nga shtypi para pak ditësh, në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar dhe është përgatitur nga biri i Palok Traboinit, Koleci. Moderatori i programit, në fillim, tha se edhe ky promovim i kushtohet, si një kontrbut modest, 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar në  Vlorë.

Megjithëse ishte ditë pune dhe përveç kësaj programi u mbajt në orët e hershme te pasditës, publiku numëronte një numër të konsiderueshëm njerëzish, të të gjitha moshave dhe shtresave: nxënës, studentë, punëtorë të arsimit dhe të profileve të tjera, si dhe mjaft intelektualë të Malësisë.

Fotografia e madhe e Palok Traboinit (1888-1951) stoliste foltoren, kurse programi filloi me një pikë folklorike të SHKA-së “Ded Gjo Luli”, një këngë “përkrye-krahu” të kënduar nga Marash Dushaj.

I pari në foltore doli profesori i filozofisë, Mark Dushaj, i cili publikut i shprehi mbresat dhe përshtypjet e veta për librin që promovohej, të parë në një këndvështrim të gjerë filozofiko-historiko-estetik. Ai kryengritjen e malësorëve në vitin 1911 e trajtoi duke e krahasuar  me luftrat e shekullit XV që ka përshkruar Marin Barleti, pra si një vazhdimësi  historike kurrë të ndërprerë. Poemën “Lufta e maleve” ai e quajti poemë historike dhe vlerësoi lart artin dhe sidomos porositë e saj.

Pas tij, Anton Gojçaj paraqiti përmbajtjen e librit dhe, përveç tjerash, në kumtimin e vet ai theksoi se kjo poemë është shkruar në vitin 1911, botimin e parë të pjesshëm e pati në Shkodër në vitin 1962, kurse botimin e parë të plotë në vitin 1995. Gojçaj poemën “Lufta e maleve”  e trajtoi në raport me letërsinë popullore, duke tërhequr vërejtjen se atë duhet parë në kontekstin dhe rrethanat objektive të vendit dhe kohës kur është shkruar.

Shkrimtari Pandeli Koçi kishte ardhur për këtë promovim nga Tirana dhe me këtë rast ai para auditorit të Malësisë tha ndër të tjera se “Lufta e maleve” e Palok Traboinit i duket si një “Lahutë e vogël e Malcis'” e P. Gjergj Fishtës.  Pandeli Koçi vlerësoi lart luftëtarët e Malësisë duke mos e fshehur pakënaqësinë e vet lidhur me “harresën” e këtyre fatosave atdhetarë nga institucionet shoqërore dhe kulturore të shtetit amë.

Në fund publikut iu drejtua edhe mysafiri ekskluziv, shkrimtari Kolec Traboini, biri i Palok Traboinit. Fjalimi i tij ishte i frymëzuar, dhe mjaft emocionues, me ç’rast ai, por edhe ndonjëri në publik, me vështirësi i përmbajtën lotët.  “Unë nuk jam kryefjala këtu, jam thjesht një kundrinë”, theksoi Kolec Traboini duke aluduar në figurën e babait të vet dhe librin që ishte objekt i promovimit. Koleci pastaj foli me shumë respekt jo vetëm për babain e vet, por edhe për Ded Gjo Lulin, Kolë Marash Vatën, Nikë Gjelosh Lulin e heronjtë e tjerë të luftës së vitit 1911, që janë edhe personazhe të poemës “Lufta e maleve”. Ai tregoi ndër të tjera, disa episode nga jeta e vet, ku përshtypje la rasti kur ai pas rënies së diktaturës komuniste Koleci vizitoi vendlindjen e atit të vet, Traboinin, me ç’rast, siç tha vetë, kur shkoi bashkë me të birin te Kroni i Traboinit i tha atij: ” Këtu kanë pirë gjyshi, stërgjyshi dhe të gjithë të parët e tu! Pi edhe ti ujë në këtë krua!” Në fund, ai e falënderoi SHKA-në “Ded Gjo Luli” për organizimin e promovimit, Këshillin Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi për sponsorizimin, folësit për vlerësimet që dhanë dhe publikun e Malësisë për pjesëmarrjen dinjitoze. Të gjithë librat që kishte sjellë me vete Koleci i shpërndau falas.

Promovimi u mbyll me dy pika muzikore të SHKA “Ded Gjo Luli”: një këngë me lahutë nga Lucë Pjetër Gojçaj dhe një këngë nga grupi. Gjatë gjithë kohës sa zgjati programi, djemtë dhe vajzat e SHKA “Dedë Gjo Luli” qëndruann në skenë, në veshje kombëtare, me flamurin kombëtar në dorë.

SHKA “Ded Gjo Luli

FOTOGRAFITË