Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha sot se autoritetet serbe do ta heqin monumentin kushtuar luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ai po ashtu tha se do të shkojë në Bruksel, meqë monument të tillë nuk do të ketë më në Preshevë.
“Ne do të veprojmë në mënyrë evropiane, që do të thotë se do ta heqim këtë monument”, ka thënë Dacici, duke reaguar në ftesën e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar nga Beogradi zyrtar që të sillet në mënyrë evropiane për këtë çështje.
Sipas Haradinajt, edhe Serbia duhet të sillet ngjashëm siç bënë Kosova për të njëjtën çështje, duke thënë se edhe në Kosovë ka lapidare dhe monumente historike serbe, e të cilat ruhen dhe respektohen.
Dacici shtoi se nuk është i sigurt nëse diku në Evropë mund të ketë “monumente për ata që janë anëtarë të organizatave terroriste dhe atyre që janë të përfshirë direkt në vrasjen e policëve dhe ushtarëve”.
Ai deklaroi se edhe organizatat ndërkombëtare, veçanërisht “ato që veprojnë në jug të Serbisë”, u kanë sugjeruar shqiptarëve që ta heqin atë monument, dhe se ai është “i gatshëm për këtë lloj kompromisi”.
Kryeministri i Serbisë ka thënë ditë më parë se afati i fundit për heqjen e monumentit të UÇPMB-së është 17 janari. Sipas tij, nëse ky monument nuk hiqet, ai nuk do të shkojë në Bruksel për ta takuar autoritetet e Kosovës.
Në prononcimin e tij të sotëm për RTS ai tha se do të jetë më 17 janar në Bruksel, për ta takuar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Nëse ata nuk e largojnë vet, e heqim ne. Nuk ka dilema nëse unë do të shkoj në Bruksel. Patjetër që do të shkoj, sepse atëherë nuk do të ketë monument”, ka thënë Dacic. /Telegrafi/