Iniciativa Qytetare – Tuz, nuk do të përkrahë kandidatin e DPS-së Filip Vujanovic, nëse data për referendumin konsultativ për Komunën e Malësisë me qendër në Tuz, nuk do të përcaktohet para zgjedhjeve presidenciale të 7 prillit.
Iniciativa Qytetare në një letër të hapur drejtuar presidentit Vujanovic, kryeministrit Djukanovic dhe kryetarit të parlamentit Krivokapic, kopja e të cilës na ka mbërri në adresën tonë, kërkon që data e referendumit të përcaktohet para zgjedhjeve presidenciale duke respektuar ligjin, përndryshe ata nuk do të përkrahin kandidatin Vujanovic.
Siç shkruan në letër, e drejta për vetëqeverisja lokale është një nga të drejtat themelore të njeriut, dhe ajo është e garantuar edhe me Kushtetutë ku Komuna është e përshkruar si forma kryesore e vetëqeverisjes lokale.
“Kjo është vetëm një ndër të drejtat themelore e cila është e garantuar me Kushtetutë, por e cila nuk aplikohet kur është fjala për qytetarët e Malësisë me qendër në Tuz, e cila në vitin 1957 me dekret të qeverisë të asaj kohe i është shkurtuar e drejta për vetëqeverisje lokale.
Malësia ka më shumë banorë se 6 Komuna ekzistuese, më shumë të punësuar dhe familje se 4 Komuna ekzistuese dhe kapacitet mesatar fiskal më shumë se shumica e Komunave ekzistuese në Mal të Zi. Është e vërtetë se Malësia ka mbetur parapa sa i përket zhvillimit, por besojmë se do të pajtohemi se faji kryesor është pikërisht ai se Malësia nuk e kishte statusin e Komunës”, shkruan në letrën e nënshkruar nga Smajl – Maliq Çunmulaj dhe Vasel Sinishtaj.
“Me 3 Gusht 2012 deputetet i Perspektivës Vasel Sinishtaj dhe deputeti i Forcës Genci Nimanbegu kanë dorëzuar elaboratin e arsyetshmerisë për Komunën e Malësisë në Parlamentin e Malit të Zi, kërkesë e cila i është dorëzuar Ministrisë së Punëve të Brendshme. Edhe pse ministria përkatëse është e obliguar të japin sqarimin e tyre brenda 45 ditëve, ajo nuk është bërë as sot.
Fakti se kjo ministri ende hesht ndaj nismës tonë, na jep të drejtë të konstatojmë se organet shtetërore, në lidhje me të drejten e vetëqeverisjes lokale për qytetarët e Malësisë nuk kanë qasje dhe marrëdhënie të barabarta dhe se edhe me Kushtetutë kjo nuk mund të trajtohet ndryshe por si diskriminim kombëtar ndaj shumicës së qytetarëve të Malësisë”, shkruan në letër.
Ata sqarojnë, nëse referendumi konsultativ mbi Komunën e Malësisë nuk do të përcaktohet deri me 7 prill, nuk do të përkrahin kandidatin presidencial të DPS-së por edhe seriozisht do të shqyrtojnë mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve të ardhshme ku do të ftojnë të gjitha partitë shqiptare të u bashkëngjitën në këtë qëndrim.
“Këtë nuk e dëshirojmë, por nëse kërkesat tona si të drejta të garantuara kushtetuese, të cilat janë të natyrshme dhe juridikisht të mundshme, reale dhe praktike do të vazhdojnë të injorohen, do të qëndrojmë mbas qëndrimit të paralajmëruar, gjë që nuk do të jetë mirë dhe do të ndikoj negativisht në negociatat e mëtejshme të anëtarësimit të Malit të Zi në strukturat euro-atlantike, për shkak se shqiptarët si popull autokton për të parën herë mund të bojkotojnë zgjedhjet në Malin e Zi të pavarur, përfundon letra. /Malesia.Org/