Fuad Nimani – Politikan dhe njeri me kurajo njerëzore

Fuadi Nimani do të mbetet në bindjen e shumicës që e njohën si njeri, politikan dhe intelektual i nderuar, i respektuar dhe i dashur, si një eksponent i rëndësishëm i politikës shqiptare.

Shkruan: Gjekë Gjonaj

Para një viti politikani dhe mësimdhënësi nga Ulqini Faud Nimani ndali frymën e trupit, në moshën 64-vjeçare, pas një beteje të gjatë të vdekjezezës me të. Sot ne duhet ta nderojmë një vit pasi Fuadi u nga nga ne, nga familja, nga shoqëria. Në këtë mënyrë ne shlyejmë një detyrim njerëzor, duke mos e harruar këtë personalitet të dalluar të politikës shqiptare në Mal të Zi, i cili me punën dhe veprimtarinë e tij shumëvjeçare të politkbërjes dhe mësimdhënies ka lënë gjurmët e veta, të cilat gjithësesi meritojnë vlerësim.
Unë personalisht kam patur një raport shumë miqësor, një respekt reciprok, i cili nuk buronte nga përkatësia poltike, por nga marrëdhëniet njerëzore, që kishim me njëri –tjetrin. Ai, për dallim nga disa politikan shqiptarë të cilët në vitet 1997 dhe më pas në bashkëpunim me pushtetarët e kohës pa asnjë kriter e standard profesional të medias, u angazhuan për largimin tonë nga puna, kishte shumë respekt dhe e vlerëosnte punën time modeste si gazetar dhe si studiues. E kishte kuptuar fare mirë gjendjen e pavolitshme financiare të krijuesve shqiptarë, prandaj edhe i ndihmonte financiarisht sa herë që kërkonin nga ai brenda mundësive dhe kompetencave që kishte. Një ndihmë të tillë financiare më ka dhënë edhe mua dy herë, me rastin e botimit të dy librave. Për këtë veprim të tij fisnik, që dëshmon dashurinë dhe përkushtimin e tij që kishte ndaj meje në veçanti dhe kulturës shiptare në përgjithësi, e kam falënderuar personalisht për së gjalli, kurse kësaj herë këtë po e bëj edhe publikisht. Sepse të rrallë janë politikanët tanë që i mbështesin krijuesit, madje edhe me një fjalë të vetme miradie, e jo më me ndonjë para.
Fuad Nimani, për aq sa e njoha unë, ishte njeri i thjeshtë, komunikativ, zemërbardhë dhe fisnik në shpirt. Ishte ndër politikanët dhe intelektualët tonë ndoshta më modest. Nuk kam vërejtur ndonjëherë të ketë përdorur në mënyrë agresive unin, të ishte autoreferencial në gjykimin e vet, të kishte fyer ndokënd, madje as kundërshatrët e tij politikë dhe kritikët kur e sulmonin egërsisht. Si politikan Fuadi nuk i shau kurrë rivalët e tij politikë. Nuk u mor kurrë me emra të përveçëm, por me idetë e tyre, me dukuritë politike në të gjitha kontekstet.
Nimani komunikonte me të gjithë, edhe me ne gazetarët, fuqinë e shtatë. Telefoni i tij ishte i hapur 24 orë për çdo bashkëbisedues. Nuk më ka ndodhur asnjëherë të vetme që Fuadi të mos më jetë përgjigjur në telefonatë apo SMS, qoftë edhe kur ndodhej në udhëtim zyrtar jashtë Ulqinit apo në takime të ndryshme zyrtare jashtë shtetit. Në të gjitha rolet e tij shoqërore, Fuadi u mundua të ndihmonte njerëzit. Ishte një njeri me kurajo të jashtëzakonshme jetësore, deri në momentet kur tinëzarja ia ndali frymën e jetës.
Fuadi kishte përpunuar një teori të vetën për t’u vetëbindur se nuk kishte sëmundjen e rëndë dhe kurrë me askënd, përjashto mjekët e tij, dhe ndoshta të afërmit, nuk ka folur për këtë sëmundje. Kur e pyesja për shëndetin e tij në kohën e kurimit në spitalin e Beogradit dhe më vonë nuk më ankohej kurrë. Fliste me mua sikur të ishte i shëndosh dhe të mos vuante nga sëmundja e pashërueshme. Më bënte të mos llogarisë vdekjen e këtij njeriu i cili do të mbetet gjatë i paharruar në kujtesën time.
Në fillim të viteve ’90- të të shekullit të kaluar, Fuad Nimani u bë pjesë e lëvizjeve demokratike të Malit të Zi . Qysh në kohën e pluralizmit u ngarkua politikisht në shërbim të kauzës shqiptare. Ka qenë nënkryetar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve ( 1993-1998), kryetar i kësaj partie, të cilën e drejtoi gjatë viteve 1998 – 2002, pastaj kryetar i Komunës së Ulqinit ( 2002-2006), ministër në Ministrinë për Mbrojtjen e Popujve Pakicë dhe Grupeve Etnike në Mal të Zi ( 2006-2009) dhe këshilltar i presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq. Ishte Qytetar Nderi i Durrësit.
Në të gjitha këto detyra Fuadi do të mbetet në bindjen e shumicës që e njohën si njeri, politikan dhe intelektual i nderuar, i respektuar dhe i dashur, si një eksponent i rëndësishëm i politikës shqiptare.
Fuad Nimani, pas kësaj frymëndërprerjeje, na lë në një mungesë varfërimi. Ulqinakët e trajtuan njerëzisht si një qytetar të tij, duke e lënë të varroset qetësisht.
Përkujtimi i tij për mua nuk ka dilemë është vetëm një shërbim i meritueshëm.