Podgoricë, 8 maj- Kryetari i Partisë Demokratike (PD) me seli në Ulqin, z.Fatmir Gjeka, deputet i Koalicionit shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi , duke folur rreth raportit me Partinë Demokratike të Socialistëve në pushtet, ditën e mërkurë ka deklaruar se opsioni i bashkëpunimit të PD me PDS, është afatgjatë edhe serioz.
“Sigurisht se pakicat duhet të jenë të përfqësuara në pushtet, sepse me këtë ndihmojnë, në radhë të parë, popullin e vet. PD, edhe para zgjedhjeve parlamentare të tetorit, e ka theksuar se bashkëpunojmë drejtpërdrejt me forcat politike që e kanë njohur Republikën e Kosovës, kanë hapur dyert e shtetit për strehimin e refugjatëve shqiptarë të përndjekur nga vatrat e tyre në Kosovë, subjekte të cilat angazhohen për integrime evropiane edhe evroatlantike”,- shprehet lideri i PD, z. Fatmir Gjeka.
Sipas tij, tashmë ka nisur jetësimi i Marrëveshjes me PDS. Kërkesat tona janë mirëkuptuar edhe nuk lidhen me politikën njëditore ose të një çasti. Koalicioni jonë është i vetmi me prefiks shqiptar edhe me synime të bashkëpunimit afatgjatë. Në këtë frymë, veprimi dhe përqëndrimi i Koalicionit shqiptar është orinetuar edhe përqëndruar drejt mbrojtjes së interesave të popullit shqiptar që na ka dhënë besimin për t `i përfaqësuar në institucionet shtetërore të Malit të Zi .E themi këtë sepse me PDS nuk kemi ndërmjetësues edhe në komunikimet tona potencojmë ato kërkesat që i shohim me përparësi dhe jetike për shqiptarët në Malin e Zi. Në këtë sens, kemi përkrahjen e votuesve tanë shqiptarë.
“Po përmend këtu vendvotimin në Katërkollë.PD, në zgjedhjet parlamentare të tetorit, por edhe në ato presidenciale kishte një diferencë tepër të madhe kundrejt subjekteve tjera politike. Duhet të jemi objektiv se kërkesat tona që i kemi shtruar , edhe definuar në Marrëveshje me PDS, nuk dëshirojmë të jetësohen në mënyrë parciale edhe sipërfaqësore”,- nënvizon z. Gjeka.
Ai permend domosdoshmërinë e investimeve në viset tona shqiptare të pazhvilluara në Malin e Zi, duke ritheksuar përfundimin e modernizimit të e rrugës Ulqin- Sukubinë, statusin e Komunës së Malësisë me qendër në Tuz, punësimet në resorët qeveritare, kthimin e pronave, vijën e bregdetit siç e kërkojmë në Ulqin etj.
Z. Gjeka është optimist se, në bashkëpunim edhe mirëkuptim me PDS, do të realizohen këto synime të Koalicionit shqiptar. /Ulqini-Online/ – /MALESIA.ORG/