Lulzim Basha, politikan klas, me brumë e fytyrë euroatlantike

Nga Ramiz Lushaj

Në asnjë elektoriadë shqiptare, ku politikani i ri Lulzim Basha ka konkuruar drejtpërdrejt,
si në Tiranë – deputet në zonën 33 në vitin 2005, kryetar bashkie i kryeqytetit më 2011, në Elbasan si kryesues i listës elektorale të PD-së në vitin 2009, nuk ka pësue asnjë humbje, përkundrazi i ka dhënë politikës së tranzicionit “modelin Basha” dhe partisë demokratike fitore të shtyllta në ditë e proçese të vështira.
Ende pa mbrrirë 31 vjeç, Lulzim Basha, politikan klas, me brumë e frymë euro-atlantike, i shkolluar në Hollandë si jurist me rrezatim profesional bashkëkohor, si rrallëkush vjen nga UNMIK-u i OKB-së në Kosovë, me përkushtim ndaj demokracisë së re e të brishtë në Shqipëri dhe merr pjesë në KOP (Komitetin e Orientimit të Politikave) si koordinator i tij, shpesh zëdhendës i fushatës së PD-së dhe kandidat për deputet i saj në Tiranë.
2.
Vetëm një politikan i guximit klasik e i dritnimit modern si Lulzim Basha, vetëm një njeri kombëtar, shoqëror e familiar si Lulzim Basha, vetëm një burrshtetas me pamje, fjalë e veprim shqiptar e euro-atlantik si Lulzim Basha mund të fitonte suksesshëm në zonën 33 të Tiranës më 3 korrik 2005, në këtë bastion të fortë të së majtës ku demokratët ende thyhen në elektoriada parlamentare e lokale.
            Politikani Lulzim Basha si deputet i Partisë Demokratike mori 7.870 vota kundrejt 6.395 votave që mori kundërshtari i tij politik agresiv Arben Ahmetaj i PS-së dhe ato të politikanit e diplomatit të karierës, Edmond Haxhinasto i LSI-së.
            Në tri planet elektorale: pjesmarrja në votime, numri i votave, përqindja e fitores, deputeti Lulzim Basha kryerenditet me të parët në 100 deputetët e votuar në 100 zonat zgjedhore të 3 korrikut 2005.
Ndoshta nuk e teproj teksa krahasimoj se deputeti i ri Lulzim Basha mori më shumë vota, jo vetëm se disa drejtues të sotëm të lartë të PD-së (që nuk po iu përmend emrat për të mos krijuar gurgac elektorial partiak), por edhe më shumë se gjithata liderë potencial të së majtës.
 Për nga numri i votave Lulzim Basha ua kalonte edhe kryetarit të PS-së Fatos Nano (zona 99–Sarandë), kryetarit opozitar të LSI – Ilir Meta (zona 79–Skrapar), kryetarit të  socialistëve të Tiranës, Musa Ulqini (zona 42–Tiranë), si edhe Majkos, Dokles, Islamit, Finos, etj. etj.
I riu Lulzim Basha, si prurje kombëtare e demokracisë së re shqiptare, e botës euro-atlantike, e institucionit ndërkombëtar të OKB-së, si një arritje kulmore me kontribute e atribute në vitin elektoral 2005, do t’i besohej detyra meritore e ministrit të Transporteve e Punëve Publike
3.
Nga viti i zi 1997 Partia Demokratike në qarkun e Elbasanit kishte marrë një goditje të randë duke humbur thellë: 11 me 0. As në dy elektoriadat e tjera parlamentare PD nuk u ringrit në nivelin e disa qarqeve të tjera të vendit, ku demokratët po kuotonin në rritje drejt fitores së ardhjes në pushtet. Dueli politik PD – PS në vitin 2001 ishte 1 me 11 (me një mandat të fituar vetëm në balotazh nga demokratët dhe nën vëzhgim ndërkombëtar), ndërsa në vitin 2005 rezultati ishte 2 me 9, çka dëshmon se PD ende nuk po e rimerrte vetveten.
Shumëkush (asish e kësish) lëshonin fjalë e prisnin humbjen e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha, si kryesues i listës së PD e koalicionit të saj në Qarkun e Elbasanit. Ndokush ishte lodhur e ma e keqja edhe mësuar me humbje të këtilla të njëpasnjëshme elektorale, po Elbasanit i kishte shkue lideri që do t’i ringrinte drejt fitores dhe aty gjeti aq potenciale në rritje, të fjetura apo të frymëzuara, që do të sillnin fitoren e vonuar e të merituar të demokratëve.
Politikani emblematik Lulzim Basha dhe Qarku i Elbasanit do të arrinin një barazim historik 7 me 7, do të ishin “mandate të artë” që do t’i garantonin PD-së e koalicionit të saj një mandat të ri qeverisës. Një sukses të tillë do ta arrinte vetëm Qarku i Tiranës.  Edhe Qarku i Shkodrës e ai i Durrësit, dy qendra të së djathtës, fituan secili nga 7 mandate, ndërsa në qarqet e tjera të vendit numërohehsin nga 6 në Korçë e Fier dhe deri në 2 mandate në Gjirokastër.
Në këtë elektoriadë të 28 qershorit 2009 pati edhe një ringritje të madhe të PD-së, e cila mori vota ma shumë se sa qarku i Fierit, i Shkodrës, i Korçës, i Vlorës, i Beratit, i Lezhës, i Gjirokastrës, i Dibrës e i Kukësit.
Gjithësesi nuk është e rastit që duke parë këto arritje të liderit emblematik Lulzim Basha dhe rënien e PD-së në 4 mandate (i pesti i PDIU) në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, demokratët e Elbasanit (sipas gazetës “Koha Jonë” e 3 korrikut) të shprehen “pro” kandidaturës së zotit Basha për kreun e PD-së, ndërkohë që ky ende nuk e kishte shpall as kandidaturën e tij të pritshme.
4.
Në vitin 2007 Sokol Olldashi, ish ministri i Brendshëm, kandidoi për kryebashkiak në duel politik me Edi Ramën – kryebashkiak në detyrë e kryetar i PS-së, ku humbi thellë me 22.122 vota diferencë, përndryshe 12.54 për qind më pak se kundërshtari i tij socialist. Kjo humbje i përket edhe kryetarit të shtabit të asaj fushate, Bamir Topit, nënkryetar i PD-së e kryetar i Grupit Parlamentar të saj, çka drejt kësaj rrjedhe llogjike na çon edhe fakti se kur fraksionoi me parti me vete – Fryma e Re Demokratike nuk mundi t’i jepte as partisë dhe as vetes së tij asnjë mandat deputeti (!).
Në vitin 2011 në revanshin e tij politik për mandat të katërt si kryebashkiak i Tiranës, Edi Rama humbi përballë Lulzim Bashës – ish ministër i Brendshëm me një rezultat të ngushtë.  Kjo humbje desh i kushtoi atij edhe postin e kryetarit të Partisë Socialiste.
Kësaj rradhe, kryetari demokrat i bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha, fitoi me 48.858 vota më shumë se ç’mori Sokol Olldashi katër vjet ma përpara, çka dëshmoi një rritje të elektoratit si parti demokratike e koalcion fitues.
Për ma tepër, kjo ishte fushatë direkte e Bashës, ma e mira e të gjitha elektoriadave të tranzicionit shqiptar, i cili na dha modelin e tij të veçantë dhe fitoren e tij të rrallë si kryebashkiak, pas tri elektoriadave. Një të tillë fushatë me ide, vlera e risi presim nga polikani 39 vjeçar Lulzim Basha edhe për kreun e PD në opozitë, i cili është ma i votuari nga Këshilli Kombëtar i PD-së në korrik 2011 në zgjedhjen si antar i kryesisë së saj, i pasuar nga politikani 41 vjeçar Sokol Olldashi, të cilët jo rastësisht konkurojnë përballë njëri-tjetrit për lider të PD-së, kësaj partie historike e me vepra epokale.