6 shqiptarët e Zvicrës në Brazil


Xherdan Shaqiri shënoi edhe në Tiranë, kundër kombëtares shqiptare, dhe firmosi emrin e përfaqësueses zvicerane si një nga skuadrat pjesëmarrëse në botërorin “Brazil 2014”.

Pavarësisht se ëndrra dhe shpresa e tifozëve tanë u shua përfundimisht në “Qemal Stafa”, në Rio de Janeiro do të jetë një “minipërfaqësuese” shqiptarësh, të cilët do të luajnë me fanelën e kombëtares helvete.

“Kam dashur që ne të dilnim në vendin e parë dhe Shqipëria në të dytin, për të luajtur në ‘play-off’. Kur të shkojmë në botëror do të përfaqësojmë edhe Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë. Besoj se të gjithë fansat shqiptarë do të bëjnë tifo për ne në botëror”, u shpreh pas ndeshjes Xherdan Shaqiri, ylli i gjermanëve të Bayern Munchen dhe i kombëtares së Zvicrës.

“Kemi qenë të gjithë shqiptarë sot, edhe ne që kemi luajtur për Zvicrën. Shpresoj që tifozët shqiptarë këtu duhet të krenohen, që ne kemi arritur diçka kaq të madhe me kualifikimin në botëror”, tha Admir Mehmeti, një tjetër shqiptar që aktivizohet për helvetët.

Në pjesën e parë, zviceranët, nën drejtimin e Shaqirit dhe Xhakës, iu afruan disa herë golit të avantazhit, madje rasti më i mirë për ta ishte në minutën e 20, por shtylla nuk lejoi që gjuatja e Stoker të përfundonte në rrjetën e Berishës.

45-minutëshi i dytë nisi me një rast për tanët, por Benaglio nxorri jashtë kuadratit të portës së tij gjuatjen e Ramës. Reagimi i Zvicrës ishte shumë i shpejtë, Shaqiri përfitoi nga hutimi i mbrojtësve tanë, të cilët kërkonin një goditje dënimi për prekje të topit me dorë nga Xhaka, dhe zhbllokoi rezultatin.

Zvicra kaloi në avantazh, ndërsa tifozët tanë shpërthyen në kore ofenduese ndaj shqiptarit të Bayern Munchen. Loja e përfaqësueses sonë rritet pas këtij goli, madje shkojmë shumë afër barazimit, por në minutën e 75, Salihi bëri më të vështirën, duke nxjerrë topin jashtë.

Atëherë kur të gjithë shpresonin për një gol kuqezi, Lang dyfishoi rezultatin dhe vulosi humbjen e kombëtares sonë, në ndeshjen e fundit në “Qemal Stafa”. Goli i Salihit më pas, me 11-metërsh, nuk ndryshoi asgjë.

Zvicra shkon kështu në Brazil, ndërsa pas këtyre 3 humbjeve të fundit, Shqipëria mbetet në vendnumëro, pra në vendin e parafundit në grup.

“Shqipëria nuk mund të mendojë se mund të bëhet si niveli i Zvicrës për 2 vjet. Të jemi realist, asnjëri nga ne nuk besonte, që do të shkonte në Brazil, por të gjithë e ëndërruam. Duhet të presim për të krijuar një grup, përpara se ta mendojmë këtë objektiv madhor”, tha tekniku italian i kuqezinjve, Gianni de Biasi.

“Në qoftë se trajneri realisht ka sjellë shumë lojtarë, stafi ka bërë një punë shumë të mirë, duke afruar lojtarë cilësorë. Në qoftë se do të ishte në dorën time, trajneri duhet të vazhdojë dhe vitin tjetër të kërkohet konsolidimi i grupit dhe të mbyllet cikli i parë i prurjeve dhe eksperimenteve. Duhet të kërkohet konsolidimi, për të krijuar fytyrën reale të ekipit”, deklaroi pas ndeshjes autori i golit të vetëm për tanët, Hamdi Salihi.

Para ndeshjes u zhvillua ceremonia e lamtumirës nga kombëtarja e futbollistit Klodian Duro, ndërkohë që një “show” emocionues ka dhënë shqiponja e Lacios, e sjellë në kryeqytetin shqiptar vetëm për këtë ndeshje.

Renditja e grupit E

Zvicër 21 pikë
Islandë 16
Slloveni 15
Norvegji 11
SHQIPËRI 10
Qipro 4

*Ndeshjet e fundit në grup do të jenë Zvicër-Slloveni, Norvegji-Islandë dhe Qipro-Shqipëri. /TCH/