Në 15-vjetorin e përkujtimit të eksodit më të madh të shqiptarëve të Kosovës, ku nën dhunën dhe represionin serb u deportuan në Shqipëri mijëra kosovarë, të dy qeveritë organizuan sot aktivitete ndryshe.
Reshjet e shiut e borës dhe temperaturat krejt të pazakonta për këtë stinë, nuk u bënë dot pengesë për dy kabinetet qeveritare, por as për mijëra qytetarë nga dy anët e kufirit, të bëhen pjesë e përkujtimores së një prej ngjarjeve më të dhimbshme në historinë e Kombit Shqiptar.
Në pëfundim të ceremonisë zyrtare u zhvillua konferenca “Nga eksodi te partneriteti strategjik”, e cila u hap me shfaqjen e një mini-dokumentari, me temë luftën e Kosovës, dramat që prodhoi, ndër to dhe dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre.
Në qytetin e Kukësit, në përkujtim të atij fluksi të madh të larguarish me forcë nga Kosova prej dhunës serbe 15 vite më parë, do të ngrihen kampingje të improvizuara.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe politikanët nga trojet shqiptare në Mal të Zi, Kryetari i Këshillit Kombëtarë Shqiptarë Genci Nimanbegu, kryetari i komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka, Vasel Sinishtaj nga Iniciativa Qytetare – Tuz, Gjergj Camaj dhe Nik Gjeloshaj nga Alternativa Shqiptare dhe Nazif Cungu nga Forca.
THAÇI: LUFTA JONË, E DREJTË DHE LEGJITIME, ASKUSH S’MUND TA NJOLLOSË
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shprehu mirënjohje për homologun Edi Rama dhe autoritetet shqiptare që mundësuan përkujtimin në Kukës të 15-vjetorit të eksodit kosovar. Shefi i qeverisë së Kosovës theksoi se ky përvjetor është dita për të theksuar me më tepër forcë bindjen se lufta e shqiptarëve të Kosovës ishte e drejtë dhe legjitime.
“Politikat gjenocidale ndaj popullit tonë ishin krime kundër mbarë njerëzimit. Kjo është arsyeja pse e gjithë bota na ka mbështetur. Në këtë ditë ne ritheksojmë qartë me bindje se lufta jonë ishte e drejtë dhe legjitime dhe askush nuk mund ta njollosë. Sot i jam mirënjohës kryeministrit Rama që ka bërë të mundur që kjo ditë të përkujtohet ashtu siç e meriton”- deklaroi Thaçi.
Kryeministri i Kosovës falënderoi edhe ish-kryeministrin shqiptar në ’99 Pandeli Majko, duke theksuar se “pa prapavijën e shtetit shqiptar nuk mund të qëndronim në ballë të luftës”.
RAMA: PAS 15 VITESH ULEMI ME ‘ARMIQTË’ PA DISKUTUAR KUFIJ E ARMËPUSHIM
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në fjalëne tij theksoi se sot pas 15 vitesh gjithçka është ndryshe dhe kjo falë një luftë të drejtë. Rama vlerësoi dhe qeverinë e atëhershme shqiptare që iu gjend në ato momente të vështira popullit kosovar që po linte trojet për shkak të makinës vrasëse së Milloshevic.
“Kur e sheh me sytë e sotëm të shkuarën e 15 viteve më parë duket sikur ka kaluar një jetë e tërë. Në një anë të kufirit, një vend shumë i brishtë i dalë nga një rrënim ekonomik si ai i vitit ‘97 me një qeveri në krye të së cilës ishte një djalë 30 vjec që dhe zëvëndësine kishte 30 vjec dhe nga ana tjetër e kufirit në errësirën e një diktature gjithnjë e më barbare, një përpjekje e zgjatur e zgjatur në kohë e sakrifica që shtrihej nga ekzistenca e Ibrahim Rugovës që shtrihej në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nga ana tjetër ushtria vrasëse e Milloshevic dhe nga ana tjetër aleanca e madhe që iu bashkua krah për krah shqiptarëve, por gjithnjë në kushtet kur fundi nuk dihej. Dhe ajo që bën që shqiptarët e zakonshëm dhe që bën që një qeveri shqiptare në një vend të ri tërësisht të brishtë garantoi që aleanca e madhe të shkonte përpara pa frikën e lëkundjeve të opinionit publik në Europë. Kryeministrit Thaci foli për prapavijën e Shqipërisë dhe për kë e kujton atë kohë kujton që pa ata prapavijë dhe sinergji të pazakontë do të ishte e pamundur të shkoje përpara ku e gjithë aleanca të shkoje para falë asaj prapavije që shkoi Shqipëria, falë lidershipit të z Majko” .
Më tej Rama ndau me të pranishmit momentet e takimit në Berlin me Kancelarin Angela Merkel. Kreu i qeverisë shqiptare tregoi sesi u bisedua për Ballkanin e paqes.
“Dua të ndaj me ju një moment, një fjalë që pata me kancelarin Merkel që lidhet pikërisht me çka po flasim. Që lidhet pikërisht me atë që askënd nuk ishte e imagjinueshme që të ndodhte që në 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore vetëm pak vite nga kjo luftë që ndodhi, e tmerrshme që përjetuan, Ballkani të gjindej në paqe. Dhe ne të gjithë dhe përfshirë kryeministrin e Kosovës, përfshirë dhe atë të Serbisë të gjendeshim në Londër, jo si do të ndahen territoret as si do merret një armëpushim, as për të diskutuar për të bërë këtë apo atë aspekt të luftës, por për të diskutuar se cfarë do bëjmë me paqen. Një paqe që është shumë e madhe për shpatullat e brishta për secilin nga vendet e rajonit tonë. Është një paqe që kërkon më shumë Europën në rajon, që kërkon më shumë bashkëveprim mes nesh për të kapërcyer ato pengesa që mes nesh nuk bëhen për t’i kapërcyer, ato ambicie legjitime që secila qeveri më vete dhe aq më pak pastaj apo dy qeveritë tona e kanë të pamundur ti arrijnë pa këtë sinergji pa këtë veprim. Kjo është një kohë e re që na bën të reflektojmë për të ardhmen dhe për kohën që nuk pret për integrimin. Jam i bindur që kjo qasje e jona që e merr të gjithë forcën e vet nga vizioni dhe kurajoja e kryeministrit të Kosovës për t’u ulur në një tryezë me armiqtë e deridjeshëm, për të hapur rrugën me ata që deri dje ishin sundimtarë në tokën e shqiptarëve, sepse pa atë hap të jashtëzakonshëm përpara sot ne nuk do kishim forcën për tu bërë të gjithë së bashku avokat të një Ballkani të ri, rajoni të ri të një bashkëjetese të re. Që ndjehemi mirë, që qeveria e Kosovës e mëshiroi si një ecje, në një rrugë të përbashkët për të kthyer këtë kohë të re në një bashkëpunim shqiptar dhe rajonal në një hapësirë tejkufijve që e përjetojmë sot në këtë 15 vjetor, që ishte dita që e bashkoi në fillim Shqipërinë me Kosovën që e pati me siguri shtysën e vet”
RAMA: KOSOVA BURIM I UNIFIKIMIT TË SHQIPTARËVE, MIRËNJOHJE EDHE BERISHËS
Në aktivitetin e organizuar në Kukës, në 15-vjetorin e përkujtimit të eksodit më të madh të shqiptarëve të Kosovës, kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohje edhe për Partinë Demokratike dhe ish-kryeministrin Berisha, për atë që ai e cilësoi si përpjekje të përbashkët të shqiptarëve për Kosovën e pavarur.
Shefi i qeverisë theksoi se pavarësisht ndasive për gjithçka, në çështjet që kanë të bëjnë me politikën, shqiptarët janë të unifikuar kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës.
“Në këtë ditë ku ne shqiptarët mund t’i themi vetes, ne ndahemi për gjithçka për çështje politike, por ne fatmirësisht nuk ndahemi tek çështja e madhe që deri dje mbante emrin çështja e Kosovës por që sot natyrshëm ka emrin çështja e shqiptarëve. Kosova ka vlejtur edhe për këtë si burime një fryme që ka arritur t’i unifikojë shqiptarët e Shqipërisë edhe atëherë kur kanë qenë të paunifikueshëm. Sa më të fortë të jenë shqiptarët kudo ku jetojnë, aq më i fortë është kombi ynë dhe aq më fort ne mund të mbështesim njëri- tjetrin për të mbrojtur të drejtat jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por në Preshevë Maqedoni e kudo.”- deklaroi Rama.
NIKOLLA-BUJA: SHKOLLAT SHQIPE, KUDO ME TË NJEJTIN TEKST
Nxënësit e Shqipërisë dhe Kosovës, shumë shpejt do të mësojnë me një tekst unik, i cili do të miratohet nga qeveritë e të dy vendeve. Ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, deklaroi sot nga qyteti i Kukësit se dy qeveritë kanë arritur një standard të ri të unifikimit të kurrikulave.
Ndërkaq, homologu i saj i Kosovës, Ramë Buja, deklaroi se “përbashkimi dhe njësimi i kurrikulave është çështja kryesore dhe punët kanë ecur nga komisionet e ekspertëve. Nuk ka pse të ketë një libër ndryshe në Tiranë dhe në ndryshe në Prishtinë. Unifikimi do të ndodhë shumë shpejt pasi jemi në prag të një ngjarje të madhe mes dy vendeve”.
PACOLLI: TE HIQEN BARRIERAT DOGANORE, NUK MUND TE KETE KUFIJ
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, parashtroi një sërë hapash që duhen ndërmarrë në një kohë të shkurtër për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve. Pacolli kërkoi heqjen e barrierave doganore për lëvizjen e mallrave dhe qytetarëve, pasi siç u shpreh ai, nuk mund të ketë kufij mes dy vendeve tona, së pari në bashkëpunimin ekonomik, pasi do të jetë ky që do të çojë më pas në bashkimin kombëtar të dy vendeve. “Perspektiva ekonomike ngrit vetëdijen tonë, përmirëson standardin tonë dhe përmes këtyre dy elementëve do të shkohet në bashkim të vërtetë kombëtar, i cili do të ndodhë”, deklaroi Pacolli.
Zv/kryeministri i Kosovës, Pacolli po ashtu kërkoi ndërmarrjen e nismave për heqjen e çmimeve të referencës. Ai informoi se qeveria e Kosovës ka miratuar dy zona të lira ekonomike, në Gjakovë dhe Prizren, që sipas tij, janë bërë me qëllimin e mirë për t’u shërbyer dy vendeve, jo vetëm Kosovës, por edhe pjesës veriore të Shqipërisë, që me krijimin e këtyre dy zonave do t’a kenë më të lehtë tregtinë me Kosovën për shkak të afërsisë fizike. Për këtë, Pacolli i kërkoi qeverisë shqiptare bërjen funksionale të aeroportit të Kukësit.
PELESHI: PLATFORME TË PËRBASHKËT PËR ZHVILLIMIN E DY VENDEVE
Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës synojnë krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik, i cili të mund të tërhiqte investime të huaj, duke rritur standardet e jetesës për qytetarët. Kjo nismë u shtrua si domosdoshmëri në një ceremoni të organizuar në qytetin e Kukësit, me rastin e 15-vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës, në kulmin e konfliktit të armatosur të vitit 1999.
Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Niko Peleshi në fjalën e tij u ndal në hapat konkret të ndërmarrë në kuadër të bashkëpunimit dypalësh që nga mbledhja e parë e mbajtur në Prizren, Kosovë, mes dy qeverive. Peleshi theksoi se gjatë kësaj periudhe janë hartuar dhe miratuar një sërë marrëveshjesh dypalëshe në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, që synojnë krijimin e një platforme të përbashkët të zhvillimit të dy vendeve.
HOXHAJ: TAKIMI I SOTËM FLET PËR VETËDIJEN HISTORIKE TË SHQIPTARËVE
Gjatë fjalës së tij në konferencën “Nga eksodi te partneriteti strategjik”, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj theksoi se takimi i sotëm flet për vetëdijen historike të shqiptarëve.
“Është mënyra më e mirë për të treguar se sa rrugë të gjatë, të dhimbshme dhe sa sakrifica kemi bërë për të arritur aspiratën tonë për të qenë të lirë dhe të pavarur. Së dyti, flet për atë se si popujt e vegjël me një vetëbesim të krijuar në histori mund ta formësojnë të ardhmen e tyre. Dhe për këtë, shembulli më i mirë është lufta e UÇK-së. Së treti, flet se, pas mbledhjes së dy qeverive dhe pas nënshkrimit të partneritetit strategjik, u krijua një vizion strategjik se si mund të duket e ardhmja e bashkëpunimit”- deklaroi Hoxhaj.
Sipas ministrit Hoxhaj, “për Republikën e Kosovës Shqipëria është partneri i saj më i natyrshëm, ndërsa për Shqipërinë mendoj se Kosova do duhet të jetë partneri më strategjik i saj.”- deklaroi Hoxhaj.
BUSHATI: SË BASHKU MUND TË KAPËRCEJMË SFIDAT
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ishte i pari që foli në konferencën “Nga Eksodi tek Partneriteti Strategjik”, në kaudër të përkujtimit të eksodit më të madh të shqiptarëve në 15 vite, siç tha ai. Eksodi më i madh i 15 viteve. Shqiptarët u detyruan të linin shtëpitë nga dhuna dhe gjenocidi serb.
“Ne jemi sot këtu sëbashku për të konfirmuar vlerat tona evropiane, për të shprehur mirënjohjen SHBA NATO e BE që falë ndëhyrjeve të sinkronizuara ndalen dhunën dhe genocidin serb. Pas 15 vitesh arritëm të jetësonim vullnetin e shumë brezave për ti dhënë udhë projekteve të përbashkëta”, – tha Bushati në nisje.
Ministri tha se dy qeveritë shqiptare mund të flasin me vepra konkrete, duke veçuar këtu projektin energjetik të interkonjeksionit, përvec energjisë është edhe nxitja për lehtësimin e tregtisë.
Bushati u shpreh më tej se, bashkëpunimi gjithpërfshirës i rajonit është kusht për integrimin e tij familjen e BE. “Së bashku mund ta kapërcejmë këto sfida”, tha ai.
AXHENDA E AKTIVITETEVE
Ora 10:00 Mbërritja e Kryeministrit të Kosovës dhe delegacionit të tij në pikën kufitare të Morinës.
Ora 10:05 Nisja drejt Pallatit të Kulturës së qytetit të Kukësit
10:15 – 10:25 Takimi i dy Kryeministrave dhe delegacioneve të tyre si dhe Ceremonia Zyrtare e Pritjes
Vendi: Sheshi përpara Pallatit të Kulturës
Ora 10:30 – 12:30 Konferenca “Nga Eksodi tek Partneriteti Strategjik” Vendi: Pallati i Kulturës Kukës
Ora 12:30 Vizite tek Panairi Artizanal
15:00 – 15:45 Ndeshje miqesore Kukesi-Mitrovica
16:00-17:00 Vizite tek zyra e Kryetarit te Bashkise
17:00- 18:00 Takim me Familje Kosovare dhe Familje Kuksiane pritese .Vendi: Obelisku i Kukesit/Kulla e Qendreses
13:00 – 17:00 Aktivitete kulturore të ndryshme në Shesh (Ansambli Popullor, Cirk, Stenda për artin Kulinar, Kinema Lëvizëse)
17:00 – 21:00 Koncert me këngëtarët më të njohur nga te gjitha trevat shqiptare, Vendi: Sheshi përpara Pallatit të Kulturës
21:00 e vazhdim koncertet dhe aktivitetet kulturore vazhdojnë në Shesh
/BalkanWeb/MALESIA.ORG/