Rama në Beograd: Kosova e pavarur, realitet i pamohueshëm (VIDEO)


Kosova është bërë shkak për deklarata shumë të forta nga ana e dy kryeministrave atij shqiptar dhe kryeministrit serb gjatë një konference të përbashkët për media zhvilluar në Beograd, pas një takimi 40-minutësh kokë më kokë mes tyre.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se Kosova është e pavarur dhe ky është një fakt. Por në këtë moment kryeministri Alaksandar Vucic, në shenjë demonstrative me një nënqeshje në fytyrë hoqi kufjen e përkthimit.

Pas përfundimit të deklaratave respektive, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, në më të parin rast, Vucic deklaroi: “Nuk kam pritur provokime dhe nuk kam pritur që të flas për Kosovën, por duhet të përgjigjem se nuk do ta lejoj askënd ta nëncmojë Serbinë në Beograd”.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ramës, i cili me qetësi tha: “Për sa i takon Kosovës, unë besoj se realiteti mbetet një dhe i pandryshueshëm, pavarësisht perceptimeve të ndryshme dhe mosdakordësisë së plotë”.

​VIDEO/ Momenti i përplasjes Rama-Vucic

Pergjegjet e Vucic

Rama: Shqiptarët e Luginës duhet të kenë të drejta sa serbët në Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë në Beograd, i bëri dy deklarata shumë të fuqishme. Pos që e tha midis Beogradit se Kosova është shtet i pavarur dhe ky është një realitet i pakthyeshëm Rama ia bëri të qartë Vuçiqit se edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të jenë në qendër të vëmendjes së Beogradit.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë vëmendjen e Beogradit. Ata të kenë po aq të drejta sa kanë serbët e Kosovës”, ka thënë Edi Rama.

Gjithashtu kryeministri shqiptar, Rama, ka thënë se “Kosova e pavarur është realitet dhe një realitet i pakthyeshëm”.

_____________________________________________

Është hera e parë e një takimi kryeministrash mes dy vendeve, pas 68 vitesh. Për herë të fundit kreu i shteti shqiptar i cili vizitoi Beogradin ka qenë në vitin 1946, nga diktatori komunist Enver Hoxha.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga një delegacion mbërriti në aeroportin e Beogradit, ku u prit nga ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç.

Per Ramen ishte organizuar nje ceremoni nderi ne aeroportin e Beogradit. Me pas kryeministri u drejtua drejt kryeqytetit, ku po takohet me kryeministrin Vuçiç.

Në 11:00 delegacioni shqiptar mbërrin në Pallatin Serbia.

Kryeministri i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i uroi mirëseardhjen Kryeministrit te Republikës se Shqipërisë dhe së bashku asistuan në luajtjen e himneve kombëtarë të dy shteteve dhe parakaluan para rojeve të nderit.

Nga raportimet e fundit mesohet se flamuj shqiptare valeviten ne qender te Beogradit, por mungesa e tyre eshte vene re ne aeroport dhe ne rruget e kryeqytetit.

Beogradi eshte i blinduar nga forcat e sigurise, nderkohe qe dy helikoptere patrullojne nga ajri.

Gazetari i Top Channel në Beograd, Idro Seferi njoftoi se janë rreth 200 gazetarë që do e ndjekin këtë ngjarje historike dhe 3000 policë që do të sigurojnë rendin gjatë kësaj vizite.

Është parashikuar nënshkrimi i tri marrëveshjeve mes dy vendeve; një për doganat, një që shqiptarët dhe serbët të udhëtojnë me karta identiteti dhe një për bashkëpunimin rinor, por konfirmime zyrtare ende nuk ka.

Në orët e mbrëmjes Kryeministri Rama pritet të vizitojë Bashkinë e Beogradit ku do të takohet me kryebashkiakun Sinisha Mali me të cilin do të ketë një bisedë joformale.

Të martën Kryeministri Rama do të vizitojë Preshevën ku do të takohet me udhëheqësit shqiptarë, ndërkohë që do të ketë edhe një takim me qytetarët në Pallatin e Kulturës.

Mediat serbe i kanë kushtuar një rëndësis të veçantë vizitës së tij në Preshevë duke cituar Ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiç që tha se nuk është problemi tek vizita e Ramës në Preshevë, por tek mesazhi që ai do të përcjellë. /MALESIA.ORG/