Futbollistët e moshave të reja të KF Malësia po vazhdojnë rrugën e suksesit. Ata në kampionatin e Malit të Zi, pas nëntë gjirove, gjinden në vendin e parë në tabelë, me nëntë fitore pa asnjë humbje. Është ky një rezultat i KF Malësia cili thyen edhe rekordin e deritanishëm të ligës, çka dhe më së miri dëshmon punën e klubit në krye me trajnerin David Camaj.
KF Malësia gjithashtu ka edhe golashënuesin më të mirë të ligës, Andrej Camaj i cili në nëntë ndeshje ka shënuar 16 gola, si dhe Ajdin Gjokaj i cili pozicionohet golashënuesi i dytë në ligë me 13 gola.
Gjatë katër viteve të fundit, “Malësia” u kualifikua në finalen e ligës ku tre here nxunë vendin e dytë dhe një herë u shpallë kampione.
Trajneri David Camaj për portalin Malesia.org shprehet se krahas kampionatit ata kanë plane të vazhdojnë me pjesëmarrje edhe në turnamente ndërkombëtare. Pas pjesëmarrjes në turnamentin në Gjermani, ku këtë vit arritën vendin e parë në grup, dhe vendin e shtatë në renditjen e përgjithshme, klubi ka fituar dhe shumë ftesa tjera, si ajo në Romë në dhjetor, Vjenë në janar dhe turnamenti i Madridit në muajin prill, i cili sipas fjalëve të trajnerit, është dhe synimi kryesorë. Megjithatë, e gjithë kjo, krahas kualitetit dhe dëshirës e cila nuk mungon, janë mjetet financiare nga të cilat varet pjesëmarrja e tyre në këto gara, sqaron ai.
Camaj sqaron se mungon përkrahja nga institucionet, duke theksuar Komunën urbane të Tuzit e cila asnjëherë deri me tani nuk është interesuar për klubin. Ai sqaron se klubi vetëfinancohet nga anëtarësimet e futbollistëve por është ndihmuar edhe nga dy shoqatat shqiptare në diasporë, Shoqata Dedë Gjon Luli nga New York-u dhe Shoqata At Gjergj Fishta – King of Colombos nga Detroiti si dhe nga dy ndërmarrjet lokale, Castellana dhe Albino.
Camaj gjithashtu zbuloi se në janar të vitit të ardhshëm planifikojnë zhvillimin e ndeshjes kundër KF Tirana. Ai sqaron se kanë bashkëpunim të mirë edhe me Vllazninë e Shkodrës dhe Besëlidhjen e Lezhës me të cilën vitin e kaluar kishin zhvilluar ndeshje. /MALESIA.ORG/