Komisioni i disiplinës në UEFA nuk ka dalë nga parashikimet duke i dhënë fitoren 3-0 në tavolinë kombëtares ruse për ndeshjen me Malin e Zi, e ndërprerë në minutën e 69 për shkak të dhunës së tifozerisë malazeze.
Disiplinori i UEFA-s ka vendosur gjithashtu që kombëtarja e Malit të Zi të luajë pa tifozë ndeshjen e ardhshme dhe gjobiti federatën e futbollit të këtij shteti me 50 mijë euro për sjelljen e dhunshme të tifozëve vendas në stadiumin e Podgoricës.
Nuk i ka shpëtuar dënimit edhe federata ruse e cila është gjobitur me 25 mijë euro për sjelljet jo korrekte të tifozëve të saj.
Institucioni më i lartë i futbollit europian tregoi edhe njëherë se komisionet e tij veprojnë me 2 standarde për çështje të ngjashme.
I mbylli sytë para dhunës se tifozëve serbë ndaj lojtarëve të përfaqësueses tonë në stadiumin e Beogradit dhe i mohoi fitoren në tavolinë kombëtares shqiptare, ndërkohë që i dha atë që meriton federatës ruse, e cila është shumë herë më e madhe dhe me më shumë influencë se e jona kur vjen koha e zgjedhjeve në UEFA. /TCH/MALESIA.ORG/