Qindra qytetarë të Komunës së Pejës dhe qyteteve fqinje Istog e Deçan, kanë protestuar sot në sheshin kryesor të qytetit kundër pretendimeve të shtetit fqinje Mali i Zi për ndarjet e kufirit Kosovë – Mal i Zi.
Protestuesit i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës, Komisionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që urgjentisht të merren masa në ketë drejtim që të mos lejojnë autoritetet e Malit të Zi të bëjnë ndarje kufitare sipas dëshirës së tyre ngase shumë hektarë të zonës së Rugovës e Komunës së Istogut do të aneksohen në mënyrë paqësore nga Mali i Zi, raporton korrespodenti i Kohës Ditore në Pejë.
Ndër të tjera është kërkuar edhe dorëheqja e anëtareve të Komisionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në krye me Murat Mehen, ndërsa nga Kuvendi është kërkuar që në asnjë mënyrë të mos e ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin kufitar me pretendimet malazeze.
Banorët e këtyre zonave që kishin dalë të protestojnë janë zotuar nuk i lëshojnë pronat e tyre stërgjyshore dhe se do ti mbrojnë ato qoftë nevoja edhe me luftë dhe nuk do të lejojnë autoritetet malazeze të vendosin piramida që u marrin tokat e tyre që i kanë me shekuj.
Mali i Zi i ka doferomuar hartat e vitit 1974 dhe tash pretendon të marr 7000 hektarë në rajonin e Rugovës që janë pjesë e Kosovës dhe 5400 metra brenda territorit të Kosovës të Kulla.
Ali Lajqi, anëtar i Komisionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tha se sot jemi mbledhur këtu për të kërkuar nga të gjitha mekanizmat shtetëror se demarkacioni i kufirit Kosovë-Mali i Zi është në trend negativ ngase malazezet po vazhdojnë të vëne vija kufitare të papranueshme për popullatën e këtushme.
Kurse Islam Husaj, nga Komuna e Pejës, tha se me të drejte dhe me këmbëngulje kërkojmë nga të gjitha mekanizmat shtetërore që të marrin gjitha masat e duhura për një proces korrekt duke marrë parasysh faktet dhe dëshmitë e ofruara nga banorët dhe anëtarët e kësaj ane, përcjell koha.net. Ai kërkoi nga Kuvendi i Kosovës që të mos ratifikoj asnjë marrëveshje të dëmshme për qytetarët e kësaj anë, për qytetin e Pejës dhe krejt Kosovën. /Koha/MALESIA.ORG/