Mali i Zi ka refuzuar ta ekstradojë në Kosovë një serb të dyshuar për krime lufte në Meje të Gjakovës.
Mirash Gegoviq është lënë i lirë me vendim të Gjykatës në Podgoricë, shkruan Koha Ditore. Pos Serbisë, ai tash mund të jetojë lirisht edhe në Mal të Zi. Tashmë janë zvogëluar edhe më shumë gjasat që një ditë të dalë para drejtësisë në Kosovë për krimet që dyshohet se i ka kryer mbi popullatën civile.
Gegoviq ishte arrestuar më 19 shkurt të këtij viti, bazuar në një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga UNMIK-u.
Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka konfirmuar për “Kohën Ditore” lirimin e të dyshuarit. Është arsyetuar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet për ekstradimin në Kosovë, por këtë ka thënë se nuk e ka lejuar Gjykata në Mal të Zi. /Telegrafi/MALESIA.ORG/