Protestë e Shoqatës së gjuetarëve të Malësisë – Të mashtruar nga pushteti
Shoqata e gjuetarëve të Malësisë, të pakënaqur me territorin me të cilin e ushtrojnë gjuetinë, ka organizuar protestë paqësore pranë ndërtesës së Komunës urbane të Tuzit, në të cilën edhe njëherë treguan pakënaqësitë e tyre ndaj diskriminimit që po u bëhet dhe premtimeve të rrëjshme që u kanë dhënë vite me radhë Ministri i Bujqësisë z. Petar Ivanovic dhe politkanët shqiptarë.
Disa nga anëtarët e Shoqatës mbanin disa pankarta në dorë ku kërkonin të drejtën e tyre tu lejohet gjuetia brenda kufijve të territorit të Komunës urbane të Tuzit.
Tubimit ju drejtuan Kryetari dhe Nënkryetari i Shoqatës Rrok Dreshaj dhe Safet Ferluçkaj.
Sipas Rrok Dreshaj nuk është bërë asnjë hap para në këtë drejtim që nga viti 2007.
“Ne nuk kërkojmë as më pak as më shumë se sa territorin që na takon brenda kufijve administrativ të KU të Tuzit”, theksoi Dreshaj.
Ndërsa Safet Ferluçkaj akuzoi deputetët shqiptarë për mospjesëmarrje në protestë edhe pse sipas tij i kishin ftuar të marrin pjesë. Ai kërkoi dorëheqjen e kryetarit të Komunës urbane të Tuzit Abedin Axhaviq, si dhe dorëheqjen e deputetëve Nikollë Gegaj dhe Nik Gjeloshaj nga Parlamenti shtetërorë.
Frluçkiq paralajmëroi protestën e radhës më 17 gusht 2015 në ora 10, pranë ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Malesia.org/