Shirat e nisur një ditë më parë kanë rikthyer përmbytjet në jug të vendit. Ndërsa dy persona raportohet të kenë humbur jetën si pasojë e situatës së krijuar nga moti i keq në Shëngjin dhe Radhimë.
Në zonën e Kunes, në Shëngjin, 49-vjeçari Viktor Gjergji, kishte dalë për të peshkuar prej orëve të para të mëngjesit. Por pasdite ai u gjet i pajetë në lagunë.
Në Radhimë të Vlorës, Luan Qarri, gjeti vdekjen pasi rrjedha e lumit e mori me vete.
Në qytetin e Vlorës, reshjet kanë shkaktuar përmbytje në lagjet Pavarësia, 24 Maji dhe 15 Tetori. 8 familje u evakuuan gjatë natës. 3 persona u dërguan për ndihmë në spital. Rruga për në Orikum kalohet me vështirësi për shkak të rrëshqitjes së dherave. Raportohet për përmbytje edhe në disa fshatra.
Në Fier, lumi Gjanica ka dalë sërish nga shtrati dhe ka përmbytur disa banesa. Situata është më kritike në lagjen 1 maji. Edhe në Sheq të Madh dhe Sheq të Vogël gjendja është rënduar.
Në qarkun e Durrësit shirat e rrëmbyer të shoqëruar me erë të fortë lanë pa energji elektrike Sukthin, Thumanën, Gjirin e Lalzit, Xhafzotajn, Spitallën, Dervenën, Borizanin dhe zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Moti i keq është bërë shkak edhe për pezullimin e lundrimeve në portet e Durrësit dhe Vlorës. Kapiteneritë nuk kanë lejuar daljen në det të anijeve të peshkimit.
Përbytje ka edhe në disa pjesë të Tiranës/Mapo/MALESIA.ORG/