Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit

abetare shqip dokument manastir 1908Me rastin e 107 vjetorit të Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe – “Kongresit të Manastirit” ministrat e Arsimit të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit është një hap përpara dhe në frymën e vendimeve të Kongresit të Manastirit

“Këto tekste të nënshkruara janë të harmonizuara mes grupeve tona, por nga ana tjetër kanë edhe simbolikën e tyre, sepse janë një hap përpara implementimit të marrëveshjes së nënshkruar në Vlorë. Mirëpo janë edhe për projekte konkrete mes vendeve për shkëmbim studentësh, për shkëmbim stafi akademik, si dhe për programe të përbashkëta”, deklaroi Ademi.

Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se për ministrat e Arsimit të Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit është një vlerë e shtuar, që siguron edhe rrugën e përbashkët të tre vendeve në Bashkimin Evropian,

“Është vlerë e shtuar për secilin prej nesh që të angazhohemi më shumë e më fortë që pikërisht këto vlera t’i përçojmë në të gjithë procesin edukativ që ndodh në sistemet tona arsimore”, theksoi ministrja Nikolla.

Në fund, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami, theksoi se këta tre vendet duke ofruar një edukim kombëtar dhe evropian, do të punojnë bashkërisht drejt proceseve të integrimit kombëtar.

“Shqiptarët tani po i realizojnë të drejtat kombëtare, po bëhen një faktor që përmes sistemit të edukimit dhe arsimimit, ata rrisin dhe ruajnë vlerat kombëtare, si dhe duke ruajtur vlerat kombëtare po bëhen qytetarë të barabartë evropian”, deklaroi Bajrami.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, theksoi se Manastiri është kryeqendra e kulturës shqiptare, sepse këtu është themeluar alfabeti shqiptar dhe ka qenë pikënisja drejt vlerave perëndimore euro-atlantike.

Dita e Alfabetit Shqip apo”Kongresi i Manastirit” shënon mbledhjen e dhjetëra dijetarëve shqiptar, që u zhvillua më 14-22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me synimin e përcaktimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë kongres të pranishëm ishin delegatë të ardhur nga anët e Shqipërisë, si dhe nga shoqata dhe klube shqiptare, të cilët miratuan vendimin e pranimit të alfabetit latin me disa ndryshime të shkronjave, duke i adaptuar në 36 shkronja të gjuhës shqipe. /BW/MALESIA.ORG/