Gjeloshaj, duam komunë si të gjitha tjerat, megjithatë ky është hapë i madh përpara

Nik-GjeloshajSot në Parlamentin malazez u diskutua rreth propozim-ligjeve përmes të cilave parashihet ndryshimi i statusit të Komunës urbane të Tuzit në Komunë në kuadër të Podgoricës.

Deputeti i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, gjatë seancës së sotme tha se këto ligje duhet të ishin miratuar 10 vjet më parë.

“Qytetarët e Malësisë kërkojnë komunë si të gjitha komunat tjera në Mal të Zi. Nuk e di se ku është problemi, çfarë duhet të bëjmë që të jemi të barabartë”, tha Gjeloshaj, transmeton agjencia MINA.

Ai tha se partitë politike shqiptare do të vazhdojnë me kërkesën që Malësia të bëhet komunë me të drejta të plota ashtu si të gjitha komunat tjera në Mal të Zi. “Është e drejtë dhe obligim i yni”, tha Gjeloshaj.

Megjithatë, siç transmeton MINA, Gjeloshaj nuk hezitoi as me “lëvdata”, duke thënë se zgjidhja e propozuar (nga DPS-ja) është një hap shumë i madh në krahasim me situatën aktuale.

“Ky është një hap shumë i madh përpara, por nuk është hap i plotë, ajo që ne duam, tha Gjeloshaj.

Deputeti i Forces Genci Nimanbegu, në kuadër të diskutimit të tij për ndryshimet e propozuara, tha se këto propozime nuk i ka punuar vetëm DPS-ja por edhe disa përfaqësues të partive shqiptare të cilat i ftoi që të deklarohen publikisht dhe ti njoftojnë votuesit e vetë mbi këtë çështje.

Nimanbegu poashtu lexoi edhe emrat e nënshkruesve të iniciativës nga Këshilltarët e Komunës Urbane të Tuzi, të cilët më parë e kanë nisur kërkesën për ndryshime të statusit aktual, e cila përkon me ndryshimet të cilat tani janë në procedurë. Nënshkrues të iniciativës (2013), përpos këshilltarëve të DPS-së dhe Partisë boshnjake ishin edhe katër këshilltarët e opozitës së atëhershme, Iniciativës Qytetare, Smajl Çunmulaj, Vasel Sinishtaj, Rexhep Gjokaj dhe Lindon Gjelaj. 

Deputeti tjetër nga Malësia, ai i DPS-së, Halil Dukoviq, tha se qëllimi i ndryshimit të këtyre ligjeve, që Tuzit dhe Gollubovcit do t’u mundësojnë statusin e komunës në kuadër të Kryeqytetit, është përmirësimi dhe efikasiteti i tyre, por edhe për të marrë përgjegjësi për zhvillimin e mëtejshëm.

“Besoj se kemi ardhur në një zgjidhje të mirë që nuk do të ndalojë zhvillimin e deritanishëm të dy komunave urbane, por do ta përshpejtojë me ndihmën e kryeqytetit, dhe se ky është momenti i krijimit të komunave që do të kenë një të ardhme më të sigurt”, tha Dukoviq.

Ndërkaq, kolegu partiak i tij, Nikollë Gegaj tha se kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme dhe një hap i madh përpara në krahasim me situatën aktuale, duke theksuar se vota e dyfishtë është përparësi e madhe, sepse qytetarët do të vendosin për këshilltarët e kuvendit komunal dhe atij të kryeqytetit.

Duke pasur parasysh se për statusin e ardhshëm të Malësisë përsëri flitet për diçka më pak dhe ndryshe nga të gjitha komunat tjera, qytetarët e Malësisë edhe njëherë mbetën të manipuluar dhe të diskriminuar. /MALESIA.ORG/

Furra Tahiri