Tuz, Malësia (25.11.2015) – Nën organizimin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, sonte në Tuz u zhvillua aktivitet kremtimi i 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.
Aktiviteti në sallën e QKI Malësia në Tuz, filloi me intonimin e himnit kombëtarë për t‘u pasuar nga një recitim kushtuar kësaj date të madhe kombëtare.
Të pranishmeve i‘u drejtua Kryetari i KKSH-së Genci Nimanbegu i cili pasi uroi Ditën e Flamurit foli disa fjalë edhe për çështjen politike e sociale të shqiptarëve në Mal të Zi, nevojat dhe sfidat, si dhe për planet e KKSH-së.
Në skenë pastaj u paraqit regjisori nga Tirana, Stefan Çapaliku i cili pasi uroi festën, foli shkurtimisht për filmin dokumentar nën regjinë e tij, “Na ishte një herë Shqipëria…”, prodhim ky i Digitalb-it, premiera e të cilit u shfaq për herë të parë sonte në Tuz. Dhe kjo ishte e gjitha nga manifestimi i organizuar nga KKSH-ja, e ashtuquajtur, institucioni më i lartë shqiptarë në Mal të Zi. Ndërkaq, ky ishte edhe i vetmi organizim i festës së Ditës së Flamurit për këtë vit në trevën tonë.
Duhet cekur se salla e QKI Malësia ishte më shumë se gjysmë e zbrazët. Nuk mund të konstatohet nëse në pyetje është mungesa e ndërgjegjes dhe vetëdijes së qytetarëve të Malësisë, apo mungesë e organizatorit, duke ja nisur nga varfëria e programit, marketingu, e deri tek vendimi që kremtimi të zhvillohet në një ditë pune (e ënjte), në ora 17h, kurë njerëzit mund të jenë ende në punë. /MALESIA.ORG/