Sh.Peraj: Liderëve shqiptar u ka dalur boja

Shaban-PerajPublicisti dhe gazetari Shaban Peraj vlerësoi se liderët shqiptarë në Mal të Zi “nuk janë të vetëdijshëm se tashmë gjithçka e kanë tejkaluar, u ka dalur boja”.

“Të bësh sot koalicion kur gjysma e mandatit ka kaluar, është sikur të bësh koalicion me djallin”, shkruan ai në tekstin autorial në “Koha javore”.

Peraj thotë se kështu u dëshmua se vetëm prijësi i DPS-së është personi që mund të bashkojë krerët e politikës shqiptare këtu në Mal të Zi.

“Të gjitha përpjekjet e bëra para tij nuk dhanë rezultate dhe kjo është një ogur i mire për të kuptuar votuesit se kush i komandon këta, kush i vë për fije të perit kur e lypë nevoja, kush i detyron të përulen e të bëjnë ‘temena’ para prijësit”, shkruan Peraj dhe shton: “Të mashtrosh në tregti, në marrëveshje është tepër e ulët, por të mashtrosh në politikë është mëkat duke e ditur se mëkatarët janë qytetarët, ata që u dhanë votëbesimin”.

Dy partitë shqiptare Forca dhe Partia Demokratike të cilat udhëhiqnin pushtetin lokal të Ulqinit, pas prishjes së koalicionit dhe futjes së krizës politike në këtë komunë, nisën bisedimet me DPS-në opozitare për krijimin e pushteti të ri lokal. Megjithatë, me kërkesë të DPS-së për një koalicion të gjerë, si Forca, ashtu dhe PD-ja do të jenë pjesë e pushtetit të ri lokal me DPS-në. /UL-info/MALESIA.ORG/