Gjeloshaj kalon në klubin e deputetëve me URA-në

abazoviq - gjeloshajTre deputet në Kuvendin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, Milos Konatar dhe Nik Gjeloshaj kanë dorëzuar në Kuvendin e Malit të Zi iniciativën për formimin e klubit të deputetëve Alternativa Shqiptare – URA.

Gjeloshaj e lëshoi para dy ditëve Klubin e partive shqiptare Forca dhe Alternativa Shqiptare, Iniciativa Qytetare Kroate dhe Partia Liberale.

Ai tha se në krye të klubit të ri Alternativa-URA do të jetë deputeti Dritan Abazoviq.

“Edhe pse në mes nesh ka dallime politike, kemi shumë gjëra të përbashkëta, sidomos hapësirë për promovimin e Shqiptarëve dhe të pjesëmarrjes së tyre në të gjithë sferat e shoqërisë, sepse Dritani ka bërë shumë që paragjykimet të cilët ekzistojnë ndaj Shqiptarëve dhe të cilat vërtetohen me hulumtimet e ndryshme në masë të madhe të shemben dhe unë e respektoj këtë. Besoj në shtetin qytetar, ku nuk ka paragjykime dhe me zgjidhje konkrete mund ta vërtetojmë këtë”, shtoi Gjeloshaj.

Deputetët e URA-së janë pjesë e opozitës dhe kishin votuar kundër votëbesimit të Qeverisë Djukanovic, ndërkaq Gjeloshaj vjen nga koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike e Fatmir Gjekës i cili kishte nënshkruar përkrahje formimit të Qeverisë në vitin 2012. Gjeloshaj gjithashtu ka votuar pro në votëbesimin e fundit për Qeverinë Djukanovic.

Abazoviq në një intervistë për portalin tonë kishte deklaruar se deputetët e partive shqiptare janë servil të DPS-së. /MALESIA.ORG/